Sulmet ndaj Donika Gërvallës dhe verbëria për pushtet e Adrian Kastratit të PDK-së

Politika

Sulmet ndaj Donika Gërvallës dhe verbëria për pushtet e Adrian Kastratit të PDK-së

Nga: A.SH Më: 11 maj 2021 Në ora: 17:56
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ende po vazhdon fushata denigruese kundër ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës.

Kësaj radhe dikush ka hapur llogari të rrejshme në emër të saj dhe për këtë ajo ka thënë se është duke hetuar policia.

Analisti politik, Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, Gërvalla nuk duhet të dorëzohet, duke thënë se sulmi ndaj saj është sulm ndaj të arriturave deritanishme të Kosovës në raport me miqtë tanë ndërkombëtarë.

“Mos t'i dorëzohet harresës se sulmi ndaj zonj. Donika Gërvalla është sulm ndaj të arriturave të deritanishme të Kosovës në raport me miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me shtetin e Gjermanisë, pa ndihmën e të cilit Kosova nuk do të mund të bëjë as një hap drejtë Bashkimit Evropian. Të gjithë e dinë se zonj. Donika Gërvalla, nuk e meriton gjithë këtë urrejtje patologjike, sepse Kosovës i ka dalë zot edhe kur nuk ka qenë në postin në të cilin është tani”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, hallakama e disa individëve kundër zonj. Donika Gërvalla, do ta dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Vetëm një i verbër të cilit ia ka alivanos arsyen ambicia për pushtet nuk e kupton se hallakama e disa individëve kundër zonj. Donika Gërvalla, do ta dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe pa dyshim do të bije përkrahja ndërkombëtare ndaj të ardhmes të shtetit tonë. Burimi i vetëm dhe kryesori i kampanjës kundër ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës zonj. Donika Gërvallës është humbja e pushteti dhe privilegjeve të disave, të cilët gjatë kanë qëndruar në poste të larta shtetërore dhe kanë përfituar çka kanë dashtë për veti dhe familjet e tyre, e tani e kanë shumë të vështirë t'i adoptohen jetës jashtë kolltukëve të pushtetit”, shprehet tutje Bytyçi.

Ai në fund thotë se, qëllimi i gjithë kësaj është që përmes dorëheqjes së Gërvallës, të rrezohet qeveria Kurti.

“Qëllimi i tyre nuk është dorëheqja e zonj. Donika Gërvalla nga posti në të cilin është aktualisht, por përmes dorëheqjes saj rrëzimi i qeverisë legjitime Kurti. Për ta kuptuar deri ku arrit verbëria për pushtet e Adrian Kastratit të PDK-së, vlen të përsëritet thënia e tij: Kinse Donika Gërvalla paska ardhur nga Gjermania në Kosovë për lekë...”, përfundon Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat