Përfitimet e Kosovës në BE nga “Non paper”, kërkohet që Serbia ta ndalë lojën e dyfishtë

Politika

Përfitimet e Kosovës në BE nga “Non paper”, kërkohet që Serbia ta ndalë lojën e dyfishtë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 12 maj 2021 Në ora: 18:51
Borrell, Lajçak

Krerët e diplomacisë së Bashkimit Evropian të hënën kanë zhvilluar një diskutim strategjik në Bruksel, mbi një angazhim më të fortë politik të BE-së me partnerët në Ballkanin Perëndimor, si dhe "bashkimin në potencialet e përbashkëta, veprimin e partnerit në përballjen me sfidat globale".

Kjo thuhet në dokumentin përgatitor për sesionin ministror të BE-së, i cili do të shikojë se si "së bashku të formojmë të ardhmen e përbashkët përmes Bashkimit Evropian përmes veprimeve urgjente dhe të përbashkëta", me qëllim gjithashtu "forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë".

Meqë rast, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell, ka paraqitur para ministrave, një “Non paper”, për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, i cili thotë se qëllimi i qartë i Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi i plotë në BE.

E lidhur me këtë “non-paper”, nga shefi i diplomacisë së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kanë folur disa njohës të çështjeve politike për gazetën “Bota sot”.

“Brenda BE-së, përfitues të gjitha vendet”

Analisti politik, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se do të ishte një përmbyllje e konflikteve nëse integrohen brenda saj edhe shtete që janë jashtë BE-së, meqë rast do të rriste edhe ndikimin në raport me Rusinë dhe Kinën.

Image
Mirsad Voca

Pra, së bashku do të kishin mundësi të tjera të zhvillimit multidimensionale.

“Integrimi në konjukturën ndërkombëtare perëndimore mbetet orientimi i vetëm dhe i pa alternativë për Ballkanin perëndimor. Do të ishte një përmbyllje definitive të konflikteve prapambetëse në Evropën ballkanike, po që se Shtetet e mbetura jashtë BE-së integrohen si grup brenda saj. Një integrim i tillë do ta bënte më të besueshme politikën e jashtme të BE-së dhe do të rriste fuqinë dhe ndikimin e saj në raport me fuqitë tjera të mëdha e veçanërisht ndaj Rusisë dhe Kinës. Njëkohësisht, të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor do të përfitonin sepse brenda BE-së, shoqëritë e këtyre vendeve do të kishin një liri tjetër dhe mundësi tjera zhvillimi multidimensionale”, potencoi Voca.

Më tej, ai theksoi se nga integrimi në BE edhe Kosova do të përfitonte, përfshirë stabilitetin, demokracinë, madje edhe rritjen ekonomike, zhvillimin e tregut si dhe shumë të tjera.

“Po të fokusohemi vetëm në disa avantazhe të përgjithshme, edhe Kosova do të përfitonte nga integrimi në BE, sepse të jesh në BE nënkupton stabilitet, demokraci, siguri e prosperitet, po ashtu zhvillim rrjetesh biznesi, mbrojtje më e sigurt e të drejtave, zhvillim i tregut të brendshëm, qarkullim i lirë në punësim, shërbime dhe kapitale, rritje ekonomike, më shumë punësim, rritje pagash e pensionesh etj. Le të mbetemi me shpresë që edhe Kosova do të trajtohet njëjtë sikurse shtetet tjera të rajonit, kusht pa të cilin integrimi do të stagnohej”, shtoi ai.

Voca po ashtu ka thënë se nëse Serbia nuk arrin të ndryshojë orientimin gjeopolitik, atëherë mund të ketë edhe vend për konflikte të reja, prandaj duhet Serbia të bindet nga BE-ja që të ndalojë këtë politikë dhe ta njohë Kosovën.

“Pengesa kryesore mbetet tek shteti serb, i cili nuk po arrin të shkëputet nga një paradigmë e vjetër që solli vetëm luftëra me përmasa gjenocidiale në Ballkan. Në fund dhe në veçanti, nëse shteti serb nuk arrin të reflektojë lidhur me orientimin e tij gjeopolitik, gjë që ndërlidhet me të kaluarën e tij, i tërë Ballkani Perëndimor do të vazhdojë me një stagnim politiko-ekonomik. Ky stagnim, mund të lë hapësirë për situata të reja jostabile dhe vend për konflikte të reja. Prandaj, besoj se BE, duhet patjetër ta bind Serbinë që të lë anash lojën e saj strategjike të dyfishtë, të ndalojë një politikë prapambetëse e denigruese rajonale, ta bind Serbinë për ta njohur Kosovën dhe ta përmbyll integrimin e Ballkanit perëndimor në gjirin e saj”, përfundoi Mirsad Voca.

“Temat e qarta për dialogim”

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë se “Non-paper” është i krijuar nga grupe të forta politike dhe e rëndësishme është se çka theksohet në të, meqë rast parashihet zgjidhja e raporteve me Serbinë.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, si formë e zgjidhjes së çështjes është Asociacioni i komunave serbe në Kosovë.

“Zgjidhjet sipas "Non paper" përkrahen nga shumë forca në Evropë e më gjerë! "Non paper" është e krijuar nga grupet e ndryshme që janë mjaft të forta në skenën politike të Evropës dhe edhe më gjerë. Në planin e tillë, këtu nuk është me rëndësi se kush e publikoi atë, por çka theksohet në atë letër. Me atë parashihet ndërrimi i territoreve si mundësi e zgjidhjes së raporteve me shtetin serb. Kuptohet se sipas "Non paper" humbës më i madh është Kosova, sepse parashihet ndarja e viseve shqiptare dhe zgjerimi i shtetit serb. Në këtë anë duhet thënë se në tavolinë, edhe pse po refuzohet gjoja nga UE e SHBA-të, është Asociacioni i komunave serbe në Kosovë me pushtet politiko-ekzekutiv, si formë e zgjidhjes së çështjes. Këtu si formë tjetër është mu plani i paraparë në "Non Paper" i zgjidhjes së çështjes në mes Kosovës dhe Serbisë”, potencoi Kelmendi.

Tutje shtoi se edhe Borrell, por edhe Lajçak e mbështesin njeri nga këto dy plane.

Kelmendi thotë se këto janë baza e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të dy këto janë në tavolinë dhe forcat e ndryshme, vetë z. Borell dhe Lajçak, si përfaqësues të UE, e përkrahin njërin a planin tjetër. Këto dy plane po gjejnë mbështetje apo kanë pasur mbështetje edhe në ish administratën e SHBA-së, të z Trump. Shikuar këtej, pra, del se janë plane shumë të forta dhe të përkrahura nga shumë forca. Duket se edhe Spanja dhe Franca janë për ndarjen e Kosovës. Kështu kanë fituar këto dy plane në peshë dhe të dyja ekzistojnë në dialog në mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto janë bazë e dialogimit të shtetit serb. Dhe këtu kërkohet të refuzohen kategorikisht planet e tilla, qoftë edhe me ndërprerjen përfundimtare të dialogut, ka deklaruar profesori.

Më tej, ai ka theksuar se Kosova nga shteti serb ka humbur territore, ndërsa nëse humb edhe tani, më Kosova nuk mund të funksionojë si shtet i pavarur.

Ai thotë se edhe për dialogim temat janë të qarta, që është gjetja e të vdekurve, dëmet materiale, madje nuk mund të harrohen as përdhunimet, përndryshe këto janë baza kryesore e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova ka humbur mjaft territor dhe popull nga shteti serb. Nga territori i Kosovës janë shkëputur në 100 vjetët e fundit rreth 22 mijë kilometra katrorë dhe janë asimiluar nga shteti serb. Nëse edhe tash i merren sipërfaqet e përcaktuara me "Non Paper", nuk ka jetë dhe nuk funksionon më Kosova si shtet i pavarur dhe sovran. Temat që janë për dialogim në Bruksel janë të qarta. Është gjetja e të vdekurve. Dëmi material dhe moral. Kthimi i mjeteve financiare të grabitura nga kriminelët serb dhe përgjegjësia penale e shtetit serb për gjenocidin e bërë në Kosovë ndaj shqiptarëve. Nuk mund të harrohen përdhunimet e 20 mijë motrave dhe të nënave shqiptare, sikundër as përdhunimet e qindra meshkujve shqiptarë. Kështu dhe me këto tema zgjidhen çështjet me shtetin kriminal serb. Kjo dërgon te njohja e shtetit që është baza kryesore e raporteve Kosovë-Serbi. Pa këto tema nuk ka dialogim”, përfundoi Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat