Sulmet ndaj Donika Gërvalles nisën tri dekada me parë, këto ishin planet e Thaҫit, Vuҫiҫit e Mustafës

Politika

Sulmet ndaj Donika Gërvalles nisën tri dekada me parë, këto ishin planet e Thaҫit, Vuҫiҫit e Mustafës

Hava Orana Nga Hava Orana Më 13 maj 2021 Në ora: 08:14
Foto ilustrim

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është bërë cak i sulmeve dhe kritikave ditëve të fundit si shkak i angazhimeve të saj që ka nisur në këtë mandat të ri.

Sulmet ndaj saj janë jo të rastësishme, madje u tha se ato kishin filluar tri dekada më parë, që nga vrasja e babait të saj, Jusuf Gërvalla.

Ajo po sulmohet e po bëhen përpjekje për të ndaluar punën që ka nisur, ngjashëm sikur shumë ish veprimtarë të Presidentit historik, Ibrahim Rugova e që shumë nga tashmë janë të vrarë.

Zeqiraj: Sulmi i tanishëm ndaj Donikë Gërvallës, është i sinkronizuar dhe zë fill tej tri dekadave më parë

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike nga Gjermania, Idriz Zeqiraj thotë se sulmi ndaj Donika Gërvallës ishte sinkronizuar tri dekada më parë.

“"Nxirr një kashtë, e dalin gjashtë", thotë populli! Sulmi i tanishëm ndaj Donika Gërvallës, është i sinkronizuar dhe zë fill tej tri dekadave më parë. Vrasja e Jusuf Gërvalla, 40 vjet më parë, dhe angazhimi politik i vajzës së tij, 30 vjet më parë, dëshmon kontinuitetin, vijimësinë e familjes Gërvalla. Një pjesë e shqiptarëve, po lodhën shumë për të mohuar kontributin e madh, shumë cilësor, të vajzës krenare të Jusuf Gërvallës, Donikës, të dhënë për çështjen kombëtare. Në veçanti, atë që e bënë Gërvallën pjesë aktive të UÇK-së, në Emergjencën politike dhe diplomatike të dhënë asaj”, vlerëson Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

 

Sipas tij, Serbia ka shënuar dhe nuk ka harruar asgjë, sepse në vitet e para luftës, gjatë dhe pas luftës, është përballur me debatet televizive të Gjermanisë dhe vendeve tjera.

“Kryeministra, ministra, gjeneralë të Armatës jugosllave dhe personalitete tjera të larta, janë përballur me luftaraken rugoviste, Donikë Gërvallën dhe i ka mundur të gjithë, sepse - fakteve kokëforta -, me përgatitje supreme intelektuale të saj, nuk i rezistonin dot. Nuk është rastësi as lufta e egër, amorale, deri në rrugaçëri, e klanit Mustafa, kundër Donikë Gërvallës. Duke qenë kryetare e LDK-së, në Gjermani, me grupin e delegatëve të saj, për Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, ia mbyllën derën. Për ta kamufluar këtë, ndëshkuan me mbyllje dere edhe delegatët e Zvicrës. Sepse, me Donikë Gërvallën në Sallën e Kuvendit, nuk mund të bëhej votim fiktiv e mashtrues, aklamativ! Dhe, as të rizgjedhjes të Isa Mustafës kryetar i LDK-së”, thekson Zeqiraj.

Duke shpjeguar tutje, Zeqiraj thotë se këtë provokim të rëndë e tejkaloi Donika, për të mos e dëmtuar LDK-në siç ndodhi në Zvicër, kur gjysma e Nëndegëve atje e pushoi veprimtarinë partiake, natyrisht, me ndërhyrjen e Prishtinës!

“Por, në vitin 2016, edhe pse i dërguan materialin për Konventën e LDK-së, tre "burra" e tërhoqën zvarrë nga salla, duke e zhveshur deri në brekë! Ishte një rrugaçëri e krerëve klanorë të LDK-së. Reagimi i anëtarësisë, ishte i ashpër. Në shenjë proteste, mijëra anëtarë e braktisën partinë”, thotë ai.

Tutje ai thotë se ishte Donika Gërvalla dhe Vjosa Osmani që denoncuan të parat marrëveshjen e fshehtë të Hashim Thaҫit me Vuçiqin dhe Isa Mustafën, lidhur me demarkacionin dhe Asociacionin.

“Hashim Thaçi po flirtonte, njëherësh, me Vuçiqin dhe Isa Mustafën. Kishin nënshkruar Demarkacionin dhe Asociacionin me të drejta ekzekutive! Kulmoi konspiracioni, me marrëveshjen sekrete e banditeske, për zgjedhjen e presidentit, në mes Isës dhe Hashimit: "Unë kryeministër sot, ti president mot!" Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla ishin denoncueset e para të kësaj maskarade të fshehtë. Vjosa, ndonëse deputete, nuk e votoi as Isën kryeministër, as koalicionin LDK-PDK dhe as Hashimin president, duke mbrojtur parimin bazë, se me krimin dhe kriminelët, nuk duhet bërë kompromise të pista, përkundër vullnetit të anëtarësisë, elektoratit, popullit”, thotë Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se ‘duke parë se LDK-ja, me lidershipin e shantazhuar, nga PDK-ja dhe SHIK-u i saj, po shkonte drejt greminës, punonin hapur me brezin e Republikës, brezin e të rinjve, për rezistencë dhe imponim të reformave në parti, deri tek strukturimi i përgjithshëm i saj. Zëdhënëse e këtij grupimi ishte Donikë Gërvalla’.

“Por, skilja e vjetër Isa Mustafa, i ndihmuar nga dinaku Hashim, me aleatët e tij, brenda dhe jashtë Kosovës, stopuan konsolidimin dhe dështuan ndryshimin. Sepse, qëllimi fillestar ishte shkëputja e LDK-së, nga ingranazhi, kthetrat e Hashimit, PDK-së dhe SHIK-ut kriminal! Binomi Donika-Vjosa është parë dhe shihet si pengesë dhe rrezik, për pazaret e pista të trinomit: Vuçiq-Thaçi-Mustafa. Në përballjen me klanin Mustafa, Vjosa dhe Donika triumfuan. Ato mposhtën edhe Hashimin, PDK-në e tij dhe bishtrat e saj, pjesë e PAN-it. Shtrëngata e tyre tronditi skenën e zezë e skëterrë politike të Kosovës, si "tigra prej letre"! Donika dhe Vjosa, si produkt i shkollës rugoviane, "kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë" (Rugova), ato nuk do të ndalën se vepruari, për çkapjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni industrial. Fundja, ky është edhe premtimi elektoral i -Listës GUXO - dhe të LVV. Zotimi i tyre se "do të luftojmë, derisa të prangosen kriminelët vrastarë dhe hajnat e pasurisë të brezave shqiptarë, sepse këtë besim dhe mbështetje, na e ka dhënë populli. Dhe, ne nuk do ta zhgënjejmë atë!", thotë ai.

Zeqiraj përmend edhe përballjen brilante, me guxim e zgjuarsi unike të Donikë Gërvallës, me Serbinë dhe Rusinë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ua kujton atyre, atë Donikën luftarake, të viteve `90-a dhe përgjatë luftës së Kosovës, e cila ata dhe të tjerët, i mundi, faktikisht dhe intelektualisht.

“Shumë domethënëse edhe martesa e Donikë Gërvallës, me ish-deputetin e CDU të Merkelit dhe drejtori politik për Ballkanin, Stefan Schwarz. Angazhimi i tij për Kosovën dhe shqiptarët, ka qenë dhe mbetet proverbial. Ai Kosovën e konsideron si atdhe të dytë dhe mburret me nusen Donikë dhe miqësinë me shqiptarët, në përgjithësi, dhe me ata të Kosovës, në veçanti. Duke marrë shkas nga prononcimet, deklarimet e veprimtares së shquar kombëtare, Donikë Gërvalla, për ekzekutimet e listuara dhe të ngeshme, të ushtarakëve që bënë luftën të FARK-ut; bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Rugova; të veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve të luftës; kuadrove shumë-vjeçar të LPK-së, PDK-ja shantazhon dhe kërcënon, pse ajo ka guximin qytetar dhe intelektual, ta rithotë një të "fshehtë publike"! “, thekson ai.

Sipas tij, janë, pikërisht këto arsyet e sulmeve të njëpasnjëshme dhe të pandërprera, ndaj ministres së Jashtme dhe të Diasporës, Donikë Gërvallës. Në sulmet e pacipa, pa zgjedhur metoda e mjete, duke angazhuar edhe partizanë dhe grupe minore, PDK-ja do të dështojë turpshëm, ashtu siç dështoi edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, së bashku me aleatët e saj, fort të inkriminuar.

“Donikë Gërvalla ka mbijetuar dallgë e furtuna. Dhe, do t`i injorojë të gjithë llafollogët, të cilët ulërijnë mjerueshëm, për humbjen e pushtetit. Por, kujdes, se bota ju përgjon në klithmat tuaja dëshpëruese, deri edhe në akuzat e shpifura, të bëra kundër Gjykatës Speciale. Me këto britma idioteske, me mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve tani, siç keni humbur zgjedhjet, mund ta humbisni edhe lirinë. Këtë e kanë provuar dhe po e vuajnë kolegët e zhurmaxhiut Klinaku në tym e hiç, të cilët bënë dje, atë që po bëni ju sot. Qytetarët e devotshëm, duhet ta ndihmojnë drejtësinë, Atdheun. Përndryshe, kush mbron krimin, bëhet pjesë e krimit. Këtë mësim na servir, madje, gratis, historia jonë plot travaja”, thotë Zeqiraj për “Bota sot”.

Mehmeti: Donika nuk frikësohet dhe askush nuk mund ta mposhtë atë që e ka të vërtetën me vete

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, thotë se ende ka elemente të SHIK-ut që e sulmojnë këdo që prek vrasjet e pasluftës.

“S’ka dyshime se elementet të SHIK janë akoma "të gjalla", ato nuk janë shuar dhe vazhdojnë të sulmojnë këdo që i prek tek vrasjet e pasluftës. Nëse nuk janë të përfshira s’ka pse me iu djeg kaq shumë, as zonja Gërvalla dhe as dikush tjetër s’po kërkon asgjë tjetër përveç drejtësisë. Ata që nuk kanë bërë zhullum dhe s’janë të përfshirë në vrasjet e pasluftës, s’kanë pse të shqetësohen, por ata që shqetësohen dihet se po iu dhemb diku”, thotë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

 

Sipas tij, këto sulme do të vazhdojnë të bëhen edhe ndaj Donikës dhe të tjerëve, derisa drejtësia nuk vihet në vend. Mirëpo, Donika nuk frikësohet dhe askush nuk mund ta mposhtë atë që e ka të vërtetën me vete.

“Donika Gërvalla është vetëm njëra ndër shumë të tjera që janë sulmuar dhe do të vazhdojnë të sulmohen, derisa drejtësia nuk vihet në vend dhe njerëz që duhet të jenë në burg janë pjesë e politikës. Donika ka të vërtetën me vete, ajo nuk frikësohet është vajzë e heroit dhe askush nuk mund ta mposhtë dikë që e ka me vete të vërtetën. Kështu që, Donika do të dalë faqebardhë nga beteja me të keqen, e cila fatkeqësisht akoma nuk e ka marrë dënimin e merituar”, ka deklaruar Faton Mehmeti për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat