Stagnimi i njohjeve, sfidat dhe detyrat e Kosovës, shpresat te Gërvalla

Politika

Stagnimi i njohjeve, sfidat dhe detyrat e Kosovës, shpresat te Gërvalla

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 maj 2021 Në ora: 10:31
Donika Gërvalla

U bë e pavarur para 13 viteve. Por, Republika e Kosovës po vazhdon të ketë stagnim në njohjen e shtetësisë së saj.

Në 2008 vërshuan njohjet e pavarësisë së Kosovës, por me vite kjo çështje u ngadalësua.

Njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës erdhi nga Izraeli, kjo falë marrëveshjes së nënshkruar në Uashington, më 4 shator 2020, nga ish kryeministri i Kosovës, Avduallah Hoti në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Zyrtarisht, ky shtet e njohu Kosovën më 01.02.2021.

Tashmë ka disa muaj që Kosova e ka qeverisjen e re.

Në krye të diplomacisë apo Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, është Donika Gërvalla.

Sipas ekspertëve, ministrja Gërvalla ka shumë punë për të bërë në çështjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, pasi sipas tyre, qeveritë e kaluara kanë dështuar edhe në ruajtjen e marrëdhënieve me ato shtete që na kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Voca: Gërvalla ka potencial për ta dërguar procesin e rritjes së njohjeve përpara

Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë ka ndikuar në stagnimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Image
Mirsad Voca

“Dialogu i mëhershëm me Serbinë, udhëhequr nga qeveritë e mëparshme në formë jo parimore dhe jo të drejtë, ka ndikuar që njohjet të stagnojnë, meqë iu lejua Serbisë që të shpërfaq idenë tek shtetet që nuk njohin Kosovën se nuk mund të marrin vendim për njohje pa përfunduar dialogu me Kosovën. Përmes një dialogu të tillë dhe duke e shfrytëzuar në dëm të Kosovës dhe në favor të saj, Serbia e vinte në dyshim shtetin e Kosovës tashmë i pavarur dhe sovran pranë atyre shteteve, ndërsa bisedimet fillimisht bëheshin për çështje teknike. Më vonë bisedimet u bënë politike dhe këtë momentum Serbia e shfrytëzoi duke e dobësuar pozitën lobuese të Kosovës në rritjen njohjeve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka treguar se nga çfarë varet rritja e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Rritja e njohjeve varet nga disa çështje dhe ndërveprime mes Qeverisë së Kosovës dhe shteteve mike të saj. Zonja D. Gërvalla, së bashku me Presidenten V. Osmani dhe Kryeministrin A. Kurti kanë mjaft potencial për ta dërguar procesin e rritjes së njohjeve përpara”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Voca ka potencuar se ministrja Gërvalla me përgatitjen e saj profesionale do të mundësojë adresimin edhe të çështjes së rritjes së numrit të njohjeve.

“Ministria e Punëve të jashtme e udhëhequr nga Zonja Donika Gërvalla, besoj se do të marrë kahjen e duhur. Integriteti dhe përgatitja profesionale e Zonjës Gërvalla, do të mundësojë adresimin edhe të çështjes së rritjes së numrit të njohjeve. Kjo do të mund të bëhet përmes një ri-organizimi në rrafshin diplomatik, përmes përcaktimit të mandatit, vizionit, prioriteteve dhe qëllimeve të qarta në politikën e jashtme”, ka vlerësuar Voca për “Bota sot”.

Më tej, profesori ka përmendur disa çështje të cilat do të ndikojnë në këtë çështje, duke theksuar edhe marrëveshjen finale të dialogut me Serbinë.

“Po ashtu, zhvillimi i brendshëm i vendit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, përforcimi i shtetit ligjor, si prioritete të Qeverisë aktuale, janë faktorë me ndikim të madh në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, elemente që patjetër do të lehtësojnë bindjen e shteteve që nuk kanë njohur Kosovën për ta bërë një gjë të tillë. Duhet theksuar se në këtë çështje, do të ndikojë edhe marrëveshja finale me Serbinë me njohje të ndërsjellë sepse kjo do të zhbllokonte njohjet e Kosovës nga vende tjera. Po ashtu, lobimi për njohje të reja duhet të rritet përmes shteteve mike sepse edhe kjo do të ndihmonte dhe përshpejtonte njohjet. Patjetër që Kosova tani do të shfaqet me një imazh tjetër në arenën ndërkombëtare dhe natyrisht që politika e jashtme e udhëhequr nga Presidentja V. Osmani dhe Ministrja D. Gërvalla do të jap një perspektivë krejt tjetër dhe shumë më pozitive në imazhin e Kosovës jashtë. Të gjitha këto arsye të lart theksuara, do të bëjnë që Zonja D. Gërvalla të ketë sukses jo vetëm në rritjen e njohjeve por edhe në afirmimin, përforcimin dhe integrimin e Kosovës në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar profesori Voca për “Bota sot”.

Mehazi: Nën udhëheqjen e Gërvallës, do të ketë dyfishim të njohjeve

Ndërkaq, profesori tjetër, Sulejman Mehazi, ka treguar se për çfarë ka stagnuar Kosova rritjen e njohjeve, duke përmendur se prioritet i ministres Gërvalla do të jetë edhe kjo çështje.

Image
Sulejman Mehazi

“Kosova jo që ka stagnuar nga njohja e pavarësisë, po për shkak pa aftësisë së qeverisjeve të mëparshme shumë shtete të botës pasi e kanë njohur më vonë e kanë shfuqizuar njohjen e Kosovës. Përveç prioritete tjera të rëndësishme diplomatike të Donika Gërvallës të jetë edhe rritja e numrit të njohjeve të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori Mehazi ka shtuar se diplomatja  Gërvalla do të dyfishojë rritjen njohjeve të Kosovës nga shumë shtete të botës.

“Atë që bënte Daçiqi si Ministër i Jashtëm i Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, Donika Gërvalla, duhet të bëjë të kundërtën, të dyfishojë rritjen njohjeve të Kosovës nga shumë shtete të botës. Nëse Gërvalla mbërrin suksesin e njohjeve  të Republikës së Kosovës nga shtetet që ende se kanë njohur pavarësinë, atëherë do jetë ministrja më e suksesshme e diplomacisë së Kosovës”, ka thënë Mehazi.

Ndërkaq, profesori ka cekur se prioriteti i Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht varet nga ministrja e MPJ-së dhe nëse arrihen njohjet edhe nga pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë vendi do të integrohet në instancat më të larta botërore.

“Shumë më e dobishme do ishte për Gërvallen e Kosovën që të jetë e shurdhur ndaj kritikave të opozitës e të bëhet e zgjuar si Ministre e Punëve të Jashtme, pasi vet posti nuk ia lejon që të merret me partitë opozitare. Puna e saj është diplomacia e jo opozita. Gërvalla le të ju përgjigjet diplomatëve ndërkombëtare, kurse kritikave të opozitës le të ju përgjigjet zëdhënësi i qeverisë e jo vet Gërvalla. Zëri i Gërvallës le të dëgjohet jashtë Kosovës, në Bruksel, Gjenevë, Berlin, Paris e Uashington e jo brenda Kosovës, në Prishtinë. Prioriteti i Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht e botërisht do varet prej saj, nëse rritet numri i njohjeve, sidomos, të pesë shteteve që ende se kanë njohur Kosovën aq më shpejt Kosova do integrohet në instancat më të larta botërore. Suksesi i njohjeve të Kosovës është thelbësor, sa më shumë njohje, aq më shumë dyer të hapura e më e autoritetshme në diplomacinë evropiane e botërore”, ka deklaruar profesori Mehazi për “Bota sot”.

Krasniqi numëron dështimet e Qeverive të kaluara në diplomaci

Ndërkaq, analisti politik, Islam Krasniqi, ka deklaruar se diplomacia vendore ka dështuar në ruajtjen e marrëdhënieve me ato shtete që na kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Image
Islam Krasniqi

“Diplomacia e Republikës së Kosovës ka stagnuar që një kohë të gjatë, duke mos sjellë njohje të reja për vendin tonë, të cilët kanë dështuara edhe në ruajtjen e marrëdhënieve të mira edhe me ato shtete që na kanë njohur”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka treguar se pse mund të ketë probleme në shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Është shumë problem që Ministria e jashtme e Kosovës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla do të mund të ndikojë në rritjen e numrit të njohjeve gjatë mandatit të saj, pasi që ish-politika e gabuar e vendit tonë i ka lidhur të gjitha çështjet me procesin e dialogut me qellim apo pa vetëdije, ku çdo proces për vendin tonë tani po kërkon një çmim, sepse një herë dhamë shumë apo bemë një kompromis të dhimbshëm me pakon e Ahtisarit duke menduar së do të jetë fundi i kompromiseve, tani shtetet që s'na kanë njohur po kërkojnë që të vazhdojë dialogu dhe  pas përfundimit të dialogut të marrin vendimin për njohjen e Kosovës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Në fund,  Krasniqi ka theksuar se Gërvalla nuk do ta ketë të lehtë t`i bind shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Gërvalla do ta ketë shumë të vështirë që t'i bind shtetet që të ndryshojnë mendjen lidhur me njohjen e vendit tonë, pasi që ato kanë qëndrimet e tyre e që kohëve të fundit po na bllokojnë me qellim edhe në procese tjera siç është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë”, ka përfunduar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat