50 ditëshi i Qeverisë Kurti/Ç’kapja e shtetit dhe paralajmërimi për skenare nga strukturat e vjetra

Politika

50 ditëshi i Qeverisë Kurti/Ç’kapja e shtetit dhe paralajmërimi për skenare nga strukturat e vjetra

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 maj 2021 Në ora: 21:46
Qeveria Kurti

Megjithëse pesëdhjetë-ditshi i Qeverisë “Kurti 2” është karakterizuar me disa ngjarje pozitive, njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se ka ende shumë punë për t’u bërë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij u zgjodhën në mars të këtij viti nga Kuvendi me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Qeveria Kurti që në startin e qeverisjes ka një dukje pozitive, mirëpo vlerësojnë se për ta vënë situatën në kontroll dhe për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve duhet shumë punë dhe kohë.

Analistët janë të mendimit se qeveria aktuale i ka të gjitha kapacitetet dhe premisat për ta bërë ç’kapjen e shtetit. Mirëpo, paralajmërojnë se do të ketë opstrukcione nga strukturat e vjetra.

Dedë Preqi: Qeveria aktuale ka një energji pozitive

Opinionisti Dedë Preqi, në lidhje më 50 ditshin e Qeverisë Kurti 2, fillimisht është ndalur tek skenari i LDK-së, ku së bashku me PDK-në, AAK-në e Listën Serbë organizuan mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti 1.

Image
Dedë Preqi

“Kryetari i LVV, zotëri Albin Kurti, zgjidhet për herë të parë kryeministër i Kosovës, në vitin 2019, i cili i bëri vetëm 50 ditë qeverisje të vendit. Kryeministri në fjalë, po sa hyri në hapat e parë të qeverisjes dhe filloi zbatimin e programit të punës dhe harmoninë ministrore, duke pasur prioritet menaxhimin e pandemisë, që ishte në ballë të programit qeveritar, si edhe shumë çështje të tjera, që kërkonin zgjidhje të menjëhershme dhe të domosdoshme që në start të qeverisjes. LDK, edhe pse ishte në koalicion me LVV-në, në qeverisje, e cila që në fillim të qeverisjes e tregoi një mos-seriozitet dhe një dozë të llojit të arrogancës së saj, kur në vend të krijimit të një atmosfere të punës dhe bashkëqeverisjes me partnerin e koalicionit, ajo inicion dhe organizon së bashku me PDK-në, AAK-në dhe Lista Serbe, në ngritjen e mocionit të mosbesimit dhe rrëzimin e qeverisë Kurti”, ka thënë fillimisht Preqi.

Ai është i mendimit se mocionin e mosbesimit të vitit 2020-të askush nuk do e lakmonte dhe çmonte këtë veprim të këtyre subjekteve politike.

“Askush nuk do e lakmonte dhe çmonte një mocion të tillë të mosbesimit, në veçanti kur Kosova, sikur edhe vendet tjera të rajonit dhe botës, do duhej të përballen me rrezikun e Covid-19, i cili ishte në fazën më kritike të përhapjes së kësaj pandemie edhe vendi i jonë, nuk do duhej të humbte kohë kurrsesi dhe të bëjmë ndërrime pushtetesh dhe zgjedhje të reja në një situatë të tillë. Edhe LDK, nuk ia doli me qeverinë Hoti, të cilën e krijuan në kushte të jashtëzakonshme dhe rrethana tërësisht të gabuara, sepse edhe pazaret që i bënë me Hashim Thaçin, dualën qesharake dhe me një qeveri e jashtëligjshme, e cila nuk vonojë, duke e rrëzuar vetveten”, tha ai.

Në këtë 50 ditësh, Preqi është i mendimit se qeveria aktuale ka një energji pozitive në luftimin e pandemisë.

“LVV dhe Albin Kurti, u rikthyen në qeverisje me 14 shkurt 2021, të cilët arritën të marrin 58 deputet në Kuvendin e Kosovës, nga 29, që kishte më parë me 2019, duke e krijuar qeverinë Kurti 2, prioriteti i secilës është drejtësia dhe ekonomia e vendit, por mbi të gjitha, fokusimi në luftën kundër Covid-19. Qeveria Kurti, që në startin e qeverisjes kemi një dukje pozitive në menaxhimin e pandemisë, të cilën e zhvilloi në disa fronte, duke i menaxhuar komunat dhe qendrat e vendit me pajisje të nevojshme, por ajo që ka ngjallur debat dhe kritika është sigurimi i vaksinave të pa mjaftueshme, me ç’rast jo vetëm Kosova, por edhe vendet tjera të rajonit dhe Evropës, atakohen me të njëjtin problem. Natyrisht që rreziku ndaj kësaj pandemie është evidente dhe serioze, dhe populli i jonë sikur edhe popujt tjerë hyjnë në krizën e vërtetë të humanitetit të vet, dhe kjo krizë kërkon vendimmarrje mes mundësive negative dhe pozitive, dhe për faktin se si të merren këto vendime, nëse përballë kësaj krize krijohet edhe një përshtypje tjetër e popullit, në veçanti ndaj vaksinave që kanë prejardhje nga Kina dhe Rusia”, u shpreh opinionisti.

Tutje ai shprehet se Qeveria Kurti, që nga hapat e parë të qeverisjes, ka ndërmarrë dhe po e organizon rikthimin e ekonomisë në gjendje normale.

“Poashtu duke i mbështetur edhe trajtuar pjesën e madhe të atyre që i kanë humbur vendet e punës. Fokusin e Qeverisë Kurti, e vërejmë në angazhimet e veçanta në ç’kapjen e shtetit, duke vënë në veprim mekanizmat dhe energjitë e pa kursyera për shtetin e së drejtës dhe sundimi i ligjit, si edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, duke bërë hapa të guximshëm në përgatitjen e Vettingut në drejtësi dhe prokurori, në pozita të larta në polici dhe inteligjencë. Në 50 ditët e qeverisë Kurti, si kurrë njëherë tjetër, kemi një zotërim dhe seriozitet në përgatitjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, kundër Serbisë, për gjenocidin që ka shkaktuar fashizmi serb popullit të Kosovës. Dhe kur flasim për djallëzinë e Serbisë, ndaj popullit tonë të pafajshëm, sikur kryeministri Kurti, me plot të drejtë ndërmerr një qëndrim të tillë, jo vetëm për t’i dhënë zë një qëllimi të caktuar, i cili ka mbetur zbrazët dhe pa u trajtuar deri më tani, por për t’i dhënë zë ndjenjës dhe ekzistencës njerëzore të këtij populli, të cilit iu kanë bërë edhe shumë të pa drejta në periudha të ndryshme historike nga i njëjti ogurzi”, tha tutje Preqi.

Ai gjithashtu shprehet se 50 ditët e Qeverisë Kurti nuk mund t’i quajmë historike, apo si diçka që qeveria e tij ka mundur të bëjë mrekulli në Kosovë, kur dihet fare mirë se çfarë është rrënuar dhe vjedhur në këtë vend brenda 20 viteve të kaluara nga pushtetet e krimit dhe korrupsionit, andaj ai është i mendimit se kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij i duhet një kohë e gjatë, për ta vënë situatën në binarët e duhur.

“Qeveria Kurti, ka përballë vetës edhe dialogun e domosdoshëm me palën e Serbisë, që nënkupton sipas kryeministrit Kurti, jo vetëm për t’i vënë vetës detyrë që të arrijë deri te një takim simbolik, apo për t’i dhënë zë negociatave formale, të cilat janë zvarritur deri më tani, por Serbisë, do i bëhet e qartë dhe do përballet me faktet e vërteta, për të gjet rrugën që garanton paqen dhe ruan marrëdhëniet ndërnjerëzore në mes këtyre dy popujve. Një gjë të tillë kryeministri Kurti, e vërtetoi në vizitën e fundit që kishte në BE, dhe aty pohoi se mos serioziteti dhe mos barazimi në mes palëve nuk sjell në vete rezultate të duhura, dhe lukuninë që tregoi Serbia, deri më tani do të ishte ndryshe nga ajo për të cilën është folur dhe negociuar në negociatat e kaluara në mes palëve, me domethënien se shpeshherë pala serbe e luante rrolin e viktimës në prani të BE-së, dhe të tjerëve”, ka shpjeguar ai.

Njohësi i çështjeve politike është i mendimit se qeveria aktuale bart brenda vetës tipare të veçanta.

“Tipari i Qeverisë Kurti, bart brenda vetës një tipar të veçantë, por të mos thënë se do jetë i veçantë me gjitha specifikat e veta që kërkon një shoqëri moderne dhe demokratike, por imazhin e secilës do e gjejmë dhe e shohim në ditët në vijim me përmirësimin e gjendjes dhe të mirëqenës së përgjithshme të vendit. Qeverisë Kurti, përveç tjerash, që kanë të bëjnë me problemet e kohës dhe gjendjen ekonomike të vendit, kësaj i shtohet edhe një element i dobët të një opozite që nuk çon më larg se një fodullëk, e cila po krijon një lloj barriere të pa kuptimtë dhe në përçmimin e Qeverisë Kurti, me sharje dhe fyerje, duke iu kundërvu në mënyrë të padrejtë ndaj një qeverie të arsyeshme, që e ka votuar vullneti i shumicës së popullit”, tha njohësi i çështjeve politike.

Ai thekson se në kuptimin e imazhit të 50 ditëve të Qeverisë Kurti, ka shumë gjëra dhe çështje që janë duke u drejtuar në binare.

“Ndër të tjera, dhe më e rëndësishme për shëndetin e kësaj popullate, kemi një ulje të infektimit dhe një përmirësim të dalluar të gjendjes me pandeminë e Covidit 19-të, një rezultat i mundshëm që rezulton edhe nga mirë menaxhimi i shërbimit dhe organizimit të Institucionit përkatës dhe menaxhmenti adekuat. Kryeministri Kurti, është një figurë e njohur edhe në spektrin e gjerë ndërkombëtar, në veçanti edhe për SHBA-të, të cilët përbëjnë një konsideratë ndaj tij, pikërisht kur nga qeveria e tij presin të realizohet shumë, në veçanti lufta kundër krimit dhe korrupsionit, dhe shumë përloteni të tjera, që ka nevojë ky popull, duke parë se këtu shpaloset një pushtet i fuqishëm dhe serioz, i cili nuk është vënë re ndonjëherë tjetër përgjatë historisë së vet”, ka theksuar opinionisti Dedë Preqi, për gazetën “Bota sot”.

Skënder Musliu: Qeveria Kurti 2 i ka kapacitetet për ta bërë ç’kapjen e shtetit

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Skënder Musliu, është i mendimit se ndërrimi i qeverive nuk ndryshon qenësisht në politikat dhe strategjitë afatgjate të zhvillimit, pasi konsideron se qeverisjet kanë një koherencë dhe konsistencë në qeverisjen e shtetit.

Image
Skënder Musliu

“Para disa ditëve, u bënë 50 ditë nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti 2. Disa media, analist dhe gazetarë, vetëm pas 20 ditë qeverisje, nëpër studio të ndryshme organizuan debate duke ftuar politikan të opozitës, për t’a vlerësuar punën Qeverisë. Me këtë rast, duhet theksuar se në mentalitetin politik të Qeverive në ardhje është instaluar një rregull, që fillimisht, puna e saj të vlerësohet pas 100 ditë qeverisje. Ky parim i vlerësimit është shumë normal nëpër shtetet e zhvilluara, sepse ndërrimi i qeverive nuk ndryshon qenësisht në politikat dhe strategjitë afatgjate të zhvillimit, sepse qeverisjet kanë një koherencë dhe konsistencë në qeverisjen e shtetit”, ka thënë juristi Musliu.

Musliu ka thënë se në bazë të veprimeve të para dhe paralajmërimeve të bëra për hapat e ardhshëm ka sinjale pozitive nga qeveria aktuale.

“Në rastin e Kosovës, nuk mund të themi se afati për vlerësimin e Qeverisë duhet të jetë 100 ditë, sepse qeverisjet tona suksesive, njëra nga tjetra, kanë aq shumë dallime në (keq)qeverisje, saqë për shumë procese duhet të fillohet nga e para. Madje, Qeveria Kurti 2, në gjysmën e parë të mandatit, duhet të merret me sanimin e gjendjes së vështirë që ka trashëguar nga qeverisjet e papërgjegjshme për 20 vite me radhë. Duke pasur parasysh kushtet në të cilat vepron kjo Qeveri, mendoj se është shumë herët të bëhet vlerësimi i punës së saj, edhe pse pritshmëritë janë shumë të mëdha”, u shpreh me tej ai.

Madje, ai shprehet se nuk duhet të harrohet lehtë se gjatë 20 viteve qeverisje, në Kosovë ka lulëzuar korrupsioni endemik, nepotizmi, krimi i organizuar i profilit të lartë politik.

“Këtë e vërtetojnë edhe raportet vjetore të Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillit të Evropës dhe shumë OJQ vendore dhe ndërkombëtare, në të cilat Kosova cilësohet si shtet i kapur nga politika, ku ka korrupsion dhe krim të organizuar. Institucionet shtetërore ende janë të stërmbushura me militant partiak, e jo me profesionist të profileve të ndryshme, shëndetësia është gjunjëzuar, arsimi, me formimin e universiteteve private ku janë punësuar njerëz partiak, ka rënë në nivelin më të ulët e tij”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai thekson se për t’u zgjidhur të gjitha problemet në vendin tonë duhet shumë punë dhe kohë.

“Të gjitha këto probleme nuk mund të zgjidhen brenda natës, por duhet shumë punë dhe kohë. Meqenëse se në LVV dhe Listën “Guxo”, respektivisht në Qeveri dhe në Parlament, ka një elitë të re politikanësh, intelektual të rinj të pashantazhuar dhe të pakorruptuar, mendoj se kjo Qeveri gjatë mandatit të parë do të mund t’i realizojë disa nga objektivat, sikurse luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimin e pandemisë si dhe fillimin e rimëkëmbjes ekonomike duke krijuar vende të punës”, u shpreh Musliu.

Në fund, ai shprehet se duke krijuar infrastrukturën e përshtatshme dhe të nevojshme juridike ekzekutivi aktual gradualisht do të mund të fillojë zbatimin e procesit të ç’kapjes së shtetit.

“Besoj se duke krijuar infrastrukturën e nevojshme juridike, ndër të cilat, Ligjin mbi Vettingun, Ligjin mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, etj. gradualisht do të mund të fillojë zbatimi i procesit të ç’kapjes së shtetit. Dhe kur flasim për ç’kapjen e shtetit, lirisht mund të them se Qeveria Kurti 2, i ka të gjitha kapacitetet dhe premisat për ta bërë këtë. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë, sepse se do të ketë opstrukcione nga strukturat e vjetra të instaluara në sistemin e drejtësisë, që vet kapësit e shtetit i kanë vendosur prokurorët dhe gjyqtarët për t’ua mbrojtur interesat”, ka përfunduar juristi Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat