Takimi Kurti-Vuçiq afër, ish-këshilltari i kryeministrit jep paralajmërimin: Ja pse s’do të ketë normalizim të marrëdhënieve

Politika

Takimi Kurti-Vuçiq afër, ish-këshilltari i kryeministrit jep paralajmërimin: Ja pse s’do të ketë normalizim të marrëdhënieve

Nga: N. H Më: 5 qershor 2021 Në ora: 12:51
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ditë më parë në një konferencë për media ka treguar se pas pak ditësh do të mbahet takimi mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Lajçak madje tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovës ishte që të përgatitet takimi i parë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është që të përgatitet takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel. Prandaj programi fokusohet në katër takime kyçe, Bislimi, Kurti, Gërvalla... Këto takime kanë qenë të dobishme. Ka potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet me BE-në. Ka pasur një diskutim me 27 ministrat e jashtëm, më 22 qershor do të kemi dhe një diskutim tjetër, do të kemi Samitin e Ballkanit Perëndimor në tetor”, ka thënë Lajçak.

E, kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te ky takim, për “Bota sot”, ka folur Driton Tali, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.

Tali është shprehur se nuk do të ketë asnjë gjasë që të ndodh normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, pasi që, sipas tij, nga koha e “Kasapit të Ballkanit” - Sllobodan Millosheviç, po vazhdon edhe me tej të jetë e njëjtë qasja e krerëve të Serbisë ndaj Kosovës.

Image
Driton Tali, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti

“Realisht nuk mund të pritet asnjë gjë në kuptimin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi për faktin se establishmenti serb nuk ka ndryshuar në substancë asgjë. Që nga koha e Millosheviçit është qasja e njëjtë ndaj Kosovës, u morr vesh me disa moderime për shkak të ndryshimeve në gjeopolitikë”, ka pohuar Tali, për “Bota sot”.

Tutje, Tali ka deklaruar se derisa në Serbi të ekzistojë kjo kastë politike me këtë qasje, të kota do të jen përpjekjet për rregullim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Unë në vazhdimësi e jam duke e thënë se derisa në Serbi të ekzistojë kjo kastë politike me këtë qasje, ne kot e kemi me kompromise sepse kjo Serbi nuk do ta njeh Kosovën pamarrë parasysh. Bie fjala, ne edhe nëse e krijojmë Asociacionin e Komunave Serbe, në formën e Mustafës e Thaçit, të firmosur ne Bruksel, ajo përsëri nuk do ta njeh Kosovën”.

“Shtrohet pyetja pse e them këtë. E them sepse derisa Thaçi e Mustafa nuk e dini se çfarë monstrumi kishin krijuar dhe firmosur (ju kujtohet fushata mediale nëpërmes tellallëve tyre për të na bindur se Asociacioni është një OJQ pa kompetenca ekzekutive) Vuçiqi në Beograd qytetarëve serbë u shpjegonte saktësisht se çfarë Autonomie kishin fituar komunat me shumicë serbe l, nëpërmes cilave kompetenca ekzekutive. Por asnjëherë nuk u tha apo madje edhe aludua se me atë marrëveshje do të njihet Kosova. D.m.th., marrëveshja për ASK trajtohej si njëra nga marrëveshjet e shumta Thaçi – Vuçiq”, ka deklaruar Tali.

Ish-këshilltari i kryeministrit gjithashtu kujton kohën kur Grupi Negociues i Serbisë kërkonte që kishat ortodokse të Kosovës të shndërroheshin në Kisha të Serbisë.

“Pra, as nuk aludohej (me metafora) siç pati bërë të themi Grupi Negociues i Serbisë në Vjenë kur kërkonte që kishat ortodokse të Kosovës të shndërroheshin në Kisha të Serbisë e t’u jepej statusi i eksterritorialitetit dhe të bëhej decentralizmi etnik i Kosovës. Të paktën atëherë Serbia aludonte në njohje nëse pranoheshin kushtet për çka delegacionin (naiv e krejtësisht të papërgatitur) të Kosovës e pati trimëruar për t’u deklaruar për kompromiset e dhimbshme”, shprehet me tej ai.

Krejt në fund, ai ripërsëriti qëndrimin e tij se nuk pret asgjë nga takimi mes kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë.

“Prandaj, them se nuk pres asgjë nga ky takim, sepse nga njëra anë kemi një president me qasje imprealiste, dhe raciste të Serbisë dhe një kryeministër të ri të Kosovës, të pashantazhaur, i cili ka një agjendë shtetërore dhe jo individuale siç e patën disa të mëparshëm që ishin të brishtë e lehtë intimidues dhe patronizues për shkak se përballeshin me shantazhe dhe akuza e padi të shumta”, ka thënë krejt në fund, Driton Tali, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat