‘Bëhu veç pak Rugovë në negociata” – vjen thirrja publike për Kurtin, ja çfarë i kërkohet dy ditë para rifillimit të dialogut

Politika

‘Bëhu veç pak Rugovë në negociata” – vjen thirrja publike për Kurtin, ja çfarë i kërkohet dy ditë para rifillimit të dialogut

Nga: A.Morina Më: 13 qershor 2021 Në ora: 16:20
Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti - Foto ilustrim “Bota sot”

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor.

Këto negociata po përcjellën me një vëmendje të madhe, jo vetëm nga rajoni, por edhe nga shtetet e mëdha ndërkombëtare.

Ajo çfarë i bënë edhe më të veçanta këto bisedime është përballja e kryeministrit Albin Kurti me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Kur dihet se, kryeministri Kurti që nga ardhja e tij në pushtet ka paralajmëruar Serbinë për padi gjenocidale për krimet e luftës, si dhe ka refuzuar formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Mirëpo, ende mbetet në pikëpyetje mbarëvajtja e këtij procesi të stërzgjatur, në të cilin bënë pjesë Kosova dhe Serbia.

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar përballjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, e cila pritet të ndodhë këtë të marte.

Shahu beson se çdo gjë do të shkojë në mënyrë të qetë gjatë këtij takimi, pasi sipas tij nuk do të ndodhë asnjë përplasje në mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu

“Nuk besoj se do të ketë ndonjë përplasje mes Kurtit e Vuçiqit. Negociatat nuk janë fushatë elektorale as pallavra para votuesve të tij.”, deklaroi ai.

Analisti kërkoi nga kryeministri Kurti që të veprojë si ka vepruar presidenti historik Ibrahim Rugova, në të kaluarën.

Ai tha se Rugova nuk fliste me parulla, por me stilin dhe sjelljen e tij, ai impononte dije dhe urtësi tek të tjerët. Gjithashtu, Shahu kërkoi nga Kurti që të mos hyjë në negociata për territor e pavarësi.

“Kurti bën mirë me u bë veç pak Rugovë në negociata, me hy ne stilin e sjelljen e Rugovës që veç impononte me fuqinë e qëndresës së tij. Rugova nuk fliste me parulla. Ai impononte me dije e urti. Kurti i pa mësuar me ndërtim shteti por veç me rrënim shteti duhet të mos lëshojë pe në dialog, ta mbrojë Kosovën, territorin e saj, sistemin politik e tërësinë e saj, pavarësinë e saj, pra të mos hyjë në negociata për territor e pavarësi”, theksoi Shahu.

Krejt në fund, analisti bëri apel te kryeministri Kurti që të mos fillojë bisedimet me shtetin serb, pa praninë amerikane, pasi Kosova është e lirë dhe sovrane, falë projektit dhe luftës me armë të Amerikës.

“Kurti duhet të jetë i bindur se Serbia nuk i serbizoi dot shqiptarët për një shekull ndonëse i kishte të pushtuar e të sunduar. Sot që nuk i ka të pushtuar as të sunduar, Serbia nuk i serbizon kurrë më shqiptarët. Kurti nuk do doja të hynte në asnjë lloj negociatë me Serbinë pa prani amerikane në negociata, pasi Kosova shtet i lirë e sovran, i pavarur është falë projektit dhe luftës me armë të Amerikës”, përmbylli Rexhep Shahu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat