Rrëzimi i Qeverisë i pamundur, ja pse shkaktoi zhurmë deklarata e Kurtit dhe cili ishte qëllimi i tij

Politika

Rrëzimi i Qeverisë i pamundur, ja pse shkaktoi zhurmë deklarata e Kurtit dhe cili ishte qëllimi i tij

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 qershor 2021 Në ora: 09:34
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka raportuar para deputetëve në Kuvend, strategjinë e qeverisë në dialogun me Serbinë, në prag të takimit me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Mirëpo, krahas këtyre temave shumë me rëndësi, një deklaratë tjetër mori vëmendje të madhe.

Kurti në fund të fjalës së tij, ka pasur një lutje për deputetët e opozitës, duke i kërkuar që mos ta rrëzojnë sërish qeverinë e tij.

“E kam veç një lutje në fund. Mos më rrëzoni edhe një herë, se mandej…Ju faleminderit”, tha Kurti, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

E kjo natyrisht që nuk i pëlqeu opozitës, e cila menjëherë reagoi.

Ndër ta, ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili i replikoi kryeministrit Albin Kurti.

Abdixhiku i ka kërkuar Kurtit që të mos bëjë drama, meqenëse nuk është duke e “rrëzuar” askush dhe se ai do ta rrëzojë veten.

“Mos bëj drama kryeministër se nuk është tu të rrëzu kush. Edhe nëse ke me u rrëzu, ke me e rrëzu veten”, ka thënë Abdixhiku.

Këto përplasje pozitë-opozitë për rrëzimin e qeverisë aktuale, i komentuan analistët politik për gazetën “Bota sot”.

Ata thanë se rrëzimi i Qeverisë Kurti është i pamundur, pasi opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për të realizuar mocion mosbesimi, ndërsa, kryeministri Kurti me deklaratën e tij vetëm ironizoi me partitë opozitare dhe asgjë më shumë.

Kelmendi: Opozita nuk ka mundësi ta shkarkojë nga detyra Qeverinë

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi është shprehur se debatet në mes pozitës dhe opozitës janë krejtësisht normale.

Mirëpo, ai në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se përplasja në seancën e fundit parlamentare, erdhi si pasojë e largimit nga tema kryesore, çështja e dialogut.

“Në kuadër të punës së Kuvendit janë diskutimet midis pozitës dhe opozitës shumë normale. Natyrisht se tema ishte e nxjerrë dhe diskutimet janë gjithashtu shumë konfliktuoze dhe me kundërshtime të ashpra”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, çështja dialogut është temë shumë më e rëndësishme për momentin, se sa rrëzimi i Qeverisë Kurti, pasi kjo është edhe një temë krejtësisht tjetër.

“Çështja e dialogut me palën serbe është temë e rëndë dhe kërkon nga Qeveria përgatitje paraprake, shumë të qarta. Kjo u kërkua në Kuvend, ndërsa, rrëzimi është një çështje tjetër”, ka theksuar Kelmendi.

Në fund, profesori ua bëri me dije partive opozitare, se nuk kanë mundësi ta rrëzojnë Qeverinë Kurti, pasi u mungojnë më shumë se 20 vota.

“Opozita nuk ka vota për të rrëzuar Qeverinë e Kurtit, asaj i mungojnë së paku 20 apo më tepër vota. Pra, opozita nuk ka mundësi të shkarkojë nga detyra Qeverinë”, ka deklaruar Muhamet Kelmedi për “Bota sot”.

Bytyçi: Rrëzimi i Qeverisë Kurti i pamundur

Image
Adem Bytyçi

Kurse, analisti politik, Adem Bytyçi tha se paraqitja e opozitës në seancën e fundit parlamentare, kishte motive të urrejtjes politike.

“Seanca e fundit e Parlamentit sipas sjelljeve të opozitës ndaj pozitës përkatësisht qeverisë, thënë më saktësisht kundër Kryeministrit Kurti, ka qenë tipike me motive urrejtje politike”, ka thënë ai.

Bytyçi gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot’ është shprehur se partitë opozitare në vend se të kontribuonin në çështjen e dialogut me Serbinë, ata bënë ‘zhurmë’ me paragjykimet e tyre ndaj sjelljeve të kryeministrit Kurti ndaj presidentit Vuçiq.

“Në një seancë në të cilën bëhej fjalë për rifillimin e negociatave Kosovë - Serbi, për një të ardhme paqësore eventuale në mes këtyre dy shteteve, kontributi i opozitës ka qenë zero , përveç zhurmës opozita nuk mendoj unë se është sjell në harmoni me rëndësinë e temës e cila trajtohet në këtë seancë, paragjykonin z.Kryeministrin Kurtin, se si do të sillej me Presidentin Vuçiq, para se të takohej me Vuçiqin”, ka nënvizuar ai.

Në vazhdim, analisti kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se ata nuk po merren me interesat e vendit, por po u intereson vetëm rikthimi në pushtet.

“Sipas qëndrimeve të opozitës në raport me pozitën dhe mënyrës se si po ju qasen çështjeve të cilat kanë të bëjnë me interesat e vendit, opozitës duket se po i intereson vetëm si të vijë në pushtet dhe asgjë tjetër”, ka theksuar Bytyçi.

Krejt në fund, ai beson se pavarësisht dëshirës së partive opozitare, rrëzimi i Qeverisë Kurti është i pamundur.

“Rrëzimi i Qeverisë Kurti duket i pamundur para katër viteve qeverisje pavarësisht dëshirës së opozitës, me përjashtim vetëm nëse Kurti bie në konflikt me SHBA dhe BE-në, me rastin e një marrëveshje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas versionit euro-amerikan”, ka përfunduar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Kryeministri Kurti u tallë me opozitën

Image
Faton Mehmeti

Në anën tjetër, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot”, ka potencuar se deklarata e kryeministrit Kurti për rrëzimin e qeverisë, ishte ironike, me qëllim të talljes me opozitën.

Madje, sipas tij opozita ende nuk është kthjellur nga humbja e madhe që ka pësuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Deklarata e Albin Kurtit ishte ironike, deri diku edhe satirë për të lozur me nervat e opozitës, për t’iu treguar atyre se janë të dobët, se nuk kanë mbështetje qytetare. Albin Kurti ka shumicën qeverisëse që ia lejon atij edhe të tallet ndonjëherë me opozitën, e cila nuk po arrin të ngritet pas debaklit të 14 shkurtit”, ka deklaruar ai.

Sipas Mehmetit, partitë opozitare edhe nëse do t’i kenë votat për rrëzimin e Qeverisë Kurti, nuk do të guxojnë ta bëjnë një gjë të tillë, pasi e kanë provuar se çfarë ka ndodhur herën e kaluar.

“Opozita nuk e rrëzon Kurtin, edhe nëse do t’i ketë votat, e ka provuar njëherë dhe më nuk guxon. Ndërsa, deklarata e Lumirit është krejtësisht me vend, qeverinë mund ta rrëzojë vetëm Kurti dhe askush tjetër”, u shpreh analisti.

Në fund, ai ka thënë se bazuar në këndvështrimin e tij, Qeveria Kurti do ta përmbush mandatin 4 vjeçar dhe deri atëherë opozita duhet ta gjejë mënyrën se si të ngritet.

“Se a do të ndodh kjo apo jo, mbetet të shihet, në gjykimin tim kjo qeveri do e përmbush mandatin 4 vjeçar, deri atëherë opozita duhet të gjejë forcë për tu ngritur ose do t’i përsëritet 14 shkurti edhe në zgjedhjet tjera. Albini po lozë me nervat e opozitës, e cila s’duhet të bie nën ndikimin e tij, ndryshe do ta pësojë”, ka përfundoi Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat