Kandidaturat dhe pritjet nga zgjedhjet lokale, analistët paralajmërojnë LDK-në

Politika

Kandidaturat dhe pritjet nga zgjedhjet lokale, analistët paralajmërojnë LDK-në

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 qershor 2021 Në ora: 08:09
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Në tetor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet nëpër komuna për kandidatët e tyre potencial, të cilët mund të udhëheqin në komuna të caktuara.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturat për zgjedhjet lokale në disa prej komunave. Të gjithë kryetarët aktualë të komunave që udhëhiqen nga LDK do të rikandidohen përsëri në zgjedhjet lokale.

Kjo parti ka zyrtarizuar 8 kandidatë për 8 komuna.

“Ne kemi zgjedhur kandidatët që kanë gjasa më të larta për të fituar. Po ashtu kryetarë të tjerë të komunave do të shpallen e zyrtarizohen në ditët dhe javët në vijim. Do të jetë një proces gjithëpërfshirës, pozitiv për LDK-në dhe për qytetarët tanë, siç e shihni po sjellim risi në kandidatura për interes të qytetarëve tanë dhe rikthimin e LDK-së”, ka thwnw kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kandidatët e zyrtarizuar nga LDK janë:

- Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti;

- Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Kujtomë se edhe PDK ditë më parë ka prezantuar disa nga kandidatët të cilët do t’i hyjnë garës në zgjedhjet lokale.

Mirëpo, partia e cila nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidatë deri më tani për kryetar komunash është Lëvizja Vetëvendosje.

Analistët zyrtarizimin e kandidatëve të LDK-së e kanë cilësuar si diçka pozitive, por që kanë theksuar se LDK ka ende nevojë për reforma brenda saj.

Ahmeti: Edhe pse janë zgjedhje lokale, nuk mund të kemi një përmbysje të madhe të rezultatit nga ato nacionale

Lidhur më këtë temë, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë për “Bota sot”, se prezantimi i kandidatëve është veprim i mirë sepse qytetarët kanë mundësi dhe kohë për t’i njohur më mirë kandidatët.

Image
Hidajet Ahmeti

“Prezantimi i kandidatëve për kryetar të komunave nga LDK-ja është një vendim i mirë, pasi qytetarët mund të kenë kohë për t’i njohur më mirë kandidatët. Por shumë shpejtë edhe partitë tjera do t’i bëjnë publik emrat e kandidatëve për kryetar të komunave, ku me të cilët besojnë se do t’i fitojnë komunat përkatëse”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse këto zgjedhje dallojnë nga ato nacionale, prapë nuk mund të kemi një përmbysje të madhe të rezultatit të zgjedhjeve të fundit nacionale për një kohë aq të shkurtër.

“Natyra e zgjedhjeve lokale dallon prej atyre nacionale, por prapë nuk mund të kemi një përmbysje të madhe të rezultatit të zgjedhjeve të fundit nacionale për një kohë aq të shkurtër. LDK-ja ka të drejt të besoj sikur çdo parti tjetër, por realiteti politik tregon për një frymë të një natyre tjetër, e cila potencialisht do të prodhojw një realitet të ri nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, wshtw shprehur ai.

Në fund, Ahmeti shton se LDK-ja duhet të merret më shumë me veten e jo të lëshojw deklarata pompoze, të cilat mund t’ju kthehen bumerang edhe në zgjedhjet lokale.

“LDK-ja si parti politike është e hendikepuar, pasi ka filluar me një reformë të brendshme, por edhe me një rezultat shumë të ulët në zgjedhjet e fundit nacionale. Gjykoj se LDK-ja duhet të merret më shumë me veten e jo të lëshojw deklarata pompoze, të cilat mund t’ju kthehen bumerang edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti”, ka deklaruar analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Burjani: LDK ka nevojë për reforma e freskim sepse edhe tash duket e njejtë

Kurse, njohësi i çështjve politike dhe juridike Blerim Burjani, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se zyrtarizimi i kandidatëve është diçka pozitive, por që mbetet punë e madhe e LDK-së që të rikthejë elektoratin e saj.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është pozitive dhe me kohë që ka vepruar Lumir Abdixhiku, tash mbetet një punë e madhe për të rikthyer elektoratin e saj. Degët, nëndegët e LDK-së duhet t’i rikthehen lobizimit derë më derë për të arritur të bindin elektoratin e Prishtinës t’i kthehet asaj. Deri më tash nuk ka pas shumë përpjekje të kontakteve me qytetarët, këto takime duhet të ndodhin për çdo ditë, gati nëpër komunat e Kosovës nëse veç dëshiron ndonjë sukses në këtë çështje”, ka thënë Burjani.

Ai shprehet se vetëm caktimi i kandidatëve nuk mjafton, LDK duhet që të takohet edhe me qytetarët.

Sipas Burjanit, LDK ka nevojë për reforma e freskim sepse edhe tash duket e njewtë, pa ndonjë ndryshim fare me njerëz të njwjtë dhe të vetëmjaftueshëm.

“Nuk mjaftojnë vetëm kandidatët të caktohen por edhe duhet të kontaktohen qytetarët. LDK një kohë të gjatë ka mbetur pa reforma, pa freskim edhe tash duket e njwjtë, pa ndonjë ndryshim fare me njerëz të njwjtë dhe të vetwmjaftueshëm tash në duart e Lumirit dhe LDK të ndryshojë mënyrën e te menduarit politik dhe të freskohet. LDK me kuadro të reja mund të ketë më shumë kandidat për asamble që janë gjeneratat e re, tash kjo është çështje e LDK se si do të vendos më tutje”, ka përfunduar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat