Zgjedhjet e brendshme/ Paralajmërohen përçarje të mëdha mes klaneve të PDK-së!

Politika

Zgjedhjet e brendshme/ Paralajmërohen përçarje të mëdha mes klaneve të PDK-së!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 qershor 2021 Në ora: 08:27
PDK

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që nga nëntori i vitit të kaluar, ka mbetur pa kryetar, pasi ish-kryetarit të saj Kadri Veseli iu konfirmua aktakuza për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Njëjtë si Veselit, aktakuza iu konfirmua edhe themeluesit të kësaj partie, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Që nga ajo kohë, pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë e ka ushtruar Enver Hoxhaj, i cili ishte edhe kandidat për kryeministër nga radhët e PDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mirëpo, mandati prej ushtruesit të detyrës, Enver Hoxhajt do t’i përfundojë më 3 korrik, pasi ky i fundit njoftoi se zyrtarisht me këtë datë do të mbahet Konventa për zgjedhjen e kryetarit të PDK-së.

“Pas një debati të gjatë në të gjitha nivelet e partisë, sot edhe përfundimisht Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të shtunën, me 3 korrik. Mohimi i padrejtë që PDK të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave të pabaza ndaj tij, solli një situatë sa të rëndë emocionale, aq edhe të vështirë në ecjen e partisë”, njoftoi Hoxhaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, përcjell “Bota sot”.

Kandidatët e mundshëm për kryetar të PDK-së

Pas zyrtarizimit të këtyre zgjedhjeve të brendshme, menjëherë filluan lakimet e emrave të mundshëm për kryetar të kësaj partie.

Ndër më të përfolurit, janë ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u.d i kryetarit, Enver Hoxhaj dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi.

Mirëpo, Betim Gjoshi, sekretar elektoral i kësaj partie, ka deklaruar se ende nuk ka asnjë kandidaturë të shpallur për kryetar.

Ai tregoi edhe arsyet që shpien për mbajtje të këtyre zgjedhjeve.

“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e strukturave të PDK-së, elektoratit dhe votuesve që ne ta vazhdojmë reformën që pati filluar zoti Kadri Veseli, e cila besoj së do të vazhdojë edhe në Konventën që e kemi më 3 korrik”, thotë Gjoshi.

Gjoshi u shpreh se Konventa e dhjetë e PDK-së do t’ia kthejë karakterin fitues në zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin tetor.

Ahmeti: Tendenca që në krye të PDK-së të zgjidhet një person i ‘ricikluar’, do ta zhvendos këtë parti në rënie të lirë

Image
Hidajet Ahmeti

 

Analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, komentoi zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilat pritet të mbahen me 3 korrik.

Ai u shpreh se PDK do ta ketë shumë të vështirë reformimin e saj të brendshëm, për vet faktin se elektorati i saj nuk mund ta imagjinojë atë pa kryetarin faktik, Hashim Thaçin dhe kryetarin juridik, Kadri Veselin.

“PDK-ja duhet ta gjejë mundësinë për ta riparuar dëmin që iu është shkaktuar me largimin e kryetarit faktik, zoti Thaçi dhe atij juridik, zoti Veseli. Figurat me të cilat identifikohet PDK-ja apo me thënë identiteti politik i saj nuk mund as të imagjinohet pa Thaçin dhe Veselin dhe një fakt i tillë është vështirë i pranueshëm nga elektorati i PDK-së”, deklaroi analisti.

Sipas Ahmetit, Partia Demokratike e Kosovës duhet ta gjejë personin që e largon atë nga e kaluara e saj kriminale, individ ky i cili duhet të përmbush tiparet e një lideri modern.

“PDK-ja do të ishte mirë që ta ndryshojë qasjen dhe të bëjë zgjedhjen e një personi, i cili e shkëput PDK-në nga e kaluara e saj kriminale dhe lideri në fjalë përmbush tiparet e një lideri modern”, theksoi ai.

Në fund, analisti paralajmëroi zyrtarët e kësaj partie, se në rast se në krye të partisë së tyre e vendosin një person të ‘ricikluar’ i cili është brumë i njerëzve të PDK-së, atëherë kjo parti do të shënojë edhe rënie më të madhe elektorale.

“Çdo tendencë që zgjidhet, që në krye të PDK-së të zgjidhet një person i cili është i ricikluar dhe është brum i njerëzve të PDK-së që kanë tjetërsuar funksionin publik, potencialisht do ta zhvendoste këtë parti në rënie të lirë”, përmbylli Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti paralajmëron ‘shpërthim’ të pakënaqësive në PDK!

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve politike, Faton Mehmeti paralajmëroni shpërfaqje të pakënaqësive të shumta në Konventën e PDK-së.

Ai gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” përmendi edhe disa klane brenda Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat nuk shfaqen publikisht asnjëherë.

“Konventa e PDK-së pritet të shkaktojë pakënaqësi të shumta, kur dihet se në këtë parti ekzistojnë disa fraksione, por të cilat nuk shfaqen aq publikisht. Këto klane do të tentojnë të mbizotërojnë duke marrë drejtimin e partisë, e cila duket se është në një gjendje të mjerueshme si kurrë më parë”, u shpreh Mehmeti.

Në vazhdim, analisti potencoi se shkaku që Enver Hoxhaj nuk ka personalitet lideri, kjo parti po tenton të gjejë liderin adekuat dhe të pranueshëm për elektoratin.

Ai përmendi edhe disa nga kandidatët e mundshëm për postin e të parit të partisë, ku ndër këta emra u përfol edhe ish-ambasadorja Vlora Çitaku.

“Duket se Enver Hoxhaj s’ka personalitet lideri, andaj po tentohet të gjendet një emër që është i pranueshëm për publikun. Nëse nuk bëhet ministre e Jashtme në Qeverinë Rama 3, pritet që Vlora Çitaku të jetë kryetare e PDK-së, ose Memli Krasniqit, pa përjashtuar këtu as emrin e Bedri Hamzës, të tjerët nuk duket se kanë shanse”, vlerësoi ai.

Krejt në fund, Mehmeti paralajmëroi përçarje të mëdha në PDK, pas mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme.

Ai tha se kjo konventën do të jetë jetike për fatin politik të PDK-së, ku do të shihet nëse do ta gjejë mënyrën e ngritjes së elektoratit apo do të vazhdojë me rënie.

“Megjithatë të presim, duke ditur se edhe klanet brenda saj janë shumë të forta, pritet të ketë debate, të ketë ndasi dhe përçarje të mëdha pas konventës së PDK, e cila është jetike për të gjetur modelin e ngritjes ose vazhdimin e rënies së lirë që ka nisur që shumë kohë”, përfundoi Faton Mehmeti për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat