Thirrjet e opozitës për rrëzimin e Kurtit, vjen alarmi për Kosovën: Kjo është një rrugë e rëndë – LDK e AAK se kanë asnjë gjasë

Politika

Thirrjet e opozitës për rrëzimin e Kurtit, vjen alarmi për Kosovën: Kjo është një rrugë e rëndë – LDK e AAK se kanë asnjë gjasë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 korrik 2021 Në ora: 12:49
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abidixhiku

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë paralajmëruar se vendi mund të shoqërohet me protesta masive, me qëllim të rrëzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Nga partia e Lumir Abdixhikut është zyrtari Bajram Gecaj, i pari që ka kërkuar që të organizohet protestë gjithëpopullore para Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i shefit të qeverisë.

“Kurti ik! Partitë në pushtet, opozita, shoqëria civile, si dhe qytetarët e vendit, të organizojnë një protestë të përbashkët gjithë-popullore para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i Albin Kurtit, i cili, edhe pse deklarohet politikan i majtë, megjithatë, ai po sorollatet nëpër resorë luksozë pa qarë kokë për qytetarët e helmuar. Rrjedhimisht, deri në organizimin e zgjedhjeve, të kërkohet zëvendësimi i tij me Besnik Bislimin, i cili u “sakrifikua” në atë masë për vendin saqë shkoi në komision parlamentar drejtpërdrejtë nga klinika, pas trajtimit me infuzion, dhe pastaj edhe udhëhoqi mbledhjen e kabinetit qeveritar!”, ka thënë Gecaj.

Ndërsa, në një linjë me anëtarin e LDK-së, është edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka kërkuar organizim të qytetarëve për tiketën në vlerë 5 euro, për regjistrimin e veturave.

“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit. Qytetarë të nderuar, protestoni. U protestua për pesë euro taksë për shfrytëzim të Rrugës së Kombit, ndërsa tani, pa asnjë arsye iu merren 5 euro për secilin automjet! Protestoni për të drejtat tuaja”, është shprehur Haradinaj i AAK-së.

Nga Lëvizja Vetëvendosje për gazetën “Bota sot” kanë thënë se përveç strukturave të ngushta partiake, askush tjetër nuk do t’i bashkohet këtyre thirrjeve për protesta, ngase kanë bërë me dije se qytetarët e Kosovës edhe me tej i kanë të freskëta të bëmat e PLAN-it.

E, njohësit e çështjeve politike shprehen se as LDK-ja e as AAK-ja nuk e kanë asnjë gjasë teorike e as praktike që të rrëzojnë Qeverinë Kurti II, që sipas analistëve ka mbështetjen më të madhe që ka pasur një qeveri që nga paslufta në Kosovë. Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar se kjo është një rrugë e rëndë për vendin dhe bart rreziqe për të ardhmen e Republikës.

Tali: Kjo qeveri për këto pak muaj ka performuar shumë larg më mirë se ato të PLAN-it

Image
Driton Tali

Driton Tali, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk ka asgjë kundër protestave të paralajmëruara nga opozita, të thirrura kundër Qeverisë Kurti 2.

Tali ka inkurajuar LDK-në dhe AAK-në, por edhe partitë dhe organizatat tjera, që të organizojnë protesta nëse e kanë kauzën, pasi që sipas tij, dalja masive e qytetarëve do të nënkuptonte se opozita e ka mirë, kurse qeveria e ka humbur busullën.

“Protesta është njëra nga mekanizmat kryesore të demokracisë, andaj në parim nuk kam asgjë kundër të protestuari nga kushdo qoftë dhe për çfarëdo kauze qoftë. Së këndejmi, në këtë kontekst, unë i inkurajoj LDK-në dhe AAK-në, por edhe partitë dhe organizatat tjera, të organizojnë protesta nëse e kanë kauzën. Kjo do ju ndihmojë atyre në kuptimin e përkrahjes që e kanë te qytetarët. Natyrisht edhe “Qeverisë Kurti 2” do t’i ndihmonte. Dalja masive e qytetarëve do të nënkuptonte se opozita e ka mirë dhe se Qeveria e ka humbur busullën, ndërsa mosdalja të kundërtën”, ka thënë Tali për gazetën “Bota sot”.

Mirëpo, ai konsideron se kjo protestë do të jetë shumë e zbehtë, ndërsa shprehet se në rast se kjo bëhet veç e veç, këto parti do të pësojnë debakël në mungesë të përkrahjes, pasi që deklaron se edhe me tej qytetarët i kanë të freskëta të bëmat e PLAN-it.

“Personalisht, si qenie politike që jam, mendoj se ajo protestë do të jetë shumë e zbehtë, nëse pra LDK-ja dhe AAK-ja dakordohen që së bashku ta bëjnë sepse veç e veç do të pësonin debakël - cirkuzi dynjasë do të bëheshin. Për faktin se hiqi strukturat e ngushta partiake, dhe aty këtu ndonjë qytetar i rastit, askush tjetër nuk do t’i bashkohet ngase qytetarët e Kosovës jo që i kanë ende të freskëta të bëmat e PLAN-it, por edhe nuk kanë kauzë të arsyeshme të protestojnë kundër “Qeverisë Kurti 2”“, është shprehur ai.

Këshilltari i kryeparlamentarit Konjufca ka theksuar se për këto pak muaj ka performuar shumë larg më mirë se qeveritë e kaluara.

Kurse, ka nënvizuar se opozitën duhet inkurajuar për protesta pasi që si ekzekutiv nuk do t’i angazhojnë snajperistët nëpër kulmet e ndërtesave të Sheshit të Prishtinës siç kishin vepruar në të kaluarën qeveritë e mëparshme.

“Unë e kam parasysh se qytetarët presin shumë nga kjo qeveri, mbase edhe mund t’i jepet ndonjë kritikë për ndonjë lëshim menaxherial të rastit (nuk thuhet kot “kush punon edhe gabon”) ama kjo qeveri për këto pak muaj ka performuar shumë larg më mirë se ato të PLAN-it. Për mos ta zgjatur, pra unë opozitën kisha për ta inkurajuar që të protestojnë (pa gajle se nuk do t’i angazhojmë snajperistët nëpër kulmet e ndërtesave të sheshit si qeveria e mëparshme) sa here që ajo të mendojë se ka kauzë. Pra, ato protesta do t’i ndihmonin edhe qeverisë”, ka deklaruar për “Bota sot”, Driton Tali, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kelmendi: Kjo është një rrugë e rëndë për vendin dhe bartë rreziqe për të ardhmen e Republikës

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve e juridike profesor Muhamet Kelmendi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se protestat janë demokratike, gjersa ka bërë me dije së në këtë formë edhe opozita përpiqet dhe punon për të ardhur në pushtet.

“Demonstrata janë shumë demokratike. Nuk mund të mendohet sistemi demokratiko-borgjez pa demonstrata. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Natyrisht se në sistemin e tillë opozita përpiqet dhe punon për të ardhur në pushtet. Këtej janë edhe thirrjet e LDK-së dhe të AAK-së për demonstrata kundër qeverisë aktuale të VV-së. A kanë tema për demonstrim? Natyrisht se po. Për opozitën është papërgjegjësi gjendja e mos vaksinimit të qytetarëve”, tha Kelmendi, për “Bota sot”.

Ai ka përmendur disa nga temat për të cilat mund të thirren protesta, mirëpo të gjitha këto ai i ka quajtur si të rrezikshme dhe që mund të bartin pasoja për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Po kështu temë është edhe gjendja ekonomike e sociale, dialogu me shtetin serb dhe shkarkimet pa kritere që po bëhen nga pozita nëpër borde e ndryshme në Republikë. Këto janë tema që opozita po i kritikon. PDK-ja ka kërkuar edhe shkarkimin ministres Gërvalla me akuza të rënda dhe ofenduese për Kosovën. Kuptohet se Qeveria bie edhe me demonstrata. Por, kjo është një rrugë e rëndë për vendin dhe bartë rreziqe për të ardhmen e Republikës. Demonstrata bëhen të domosdoshme atëherë kur nuk ka mjete tjera që ndalet pozita. Sa do të arrihet këtej sukses mbetet të shihet”, ka thënë profesori Muhamet Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: LDK dhe AAK s’kanë gjasa as teorike as praktike të rrëzojnë Qeverinë Kurti

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, mendon se qëllimi i dy partive opozitare është të masin kapacitetin e tyre tek qytetarët.

Mehmeti për gazetën “Bota sot”, shprehet se edhe LDK-ja edhe AAK-ja e dinë se nuk ka asnjë mundësi që të rrëzohet “Qeveria Kurti II”.

“Me këto thirrje LDK dhe AAK po tentojnë të matin mbështetjen që kanë tek qytetarët, është matje impulsi për të parë mos ka rënie apo rritje opozita në vend. Të dy partitë opozitare e dinë se s’kanë gjasa as teorike as praktike të rrëzojnë Qeverinë Kurti, që ka mbështetjen më të madhe që ka pasur një qeveri që nga paslufta në Kosovë”, ka thënë analisti Mehmeti.

Krejt në fund, ai ka theksuar se e vetmja mënyrë për ta rrëzuar ekzekutivin aktual janë zgjedhjet.

“Kështu që, sa për LDK-në dhe AAK-në, Albin Kurti qëndron 20 vjet në pushtet, e vetmja mënyrë për të larguar Kurtin janë votimet, protestat në rrugë asnjëherë. Më protesta vetëm sa rritet edhe më shumë VV-në, derisa LDK-ja dhe AAK-ja do të pësojnë debakël me AAK-në që është drejt shuarjes totale”, tha në fund njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat