‘Aventurë’ e rrezikshme – analistët paralajmërojnë ‘pensionim të parakohshëm’ për Lutfi Hazirin

Politika

‘Aventurë’ e rrezikshme – analistët paralajmërojnë ‘pensionim të parakohshëm’ për Lutfi Hazirin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 korrik 2021 Në ora: 08:24
Lutfi Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka zyrtarizuar sërish Lutfi Hazirin si kandidat për kryetar të Gjilanit.

Haziri ishte i propozuari i vetëm i degës së LDK-së në Gjilan.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thurur lavde për udhëheqjen e deritanishme të Hazirit, duke thënë se me të suksesi i LDK-së është në anën e tyre.

“Suksesi ka qenë në anën tonë sepse juve ju ka udhëhequr një njeri si Lutfi Haziri. Ai është ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa, kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një shkrimi në Facebook, ka falënderuar të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për besimin e dhënë.

“Faleminderit deri në gjunjëzim të gjitha strukturave të LDK-së për besimin që t’i prijë Gjilanit tonë edhe për një mandat qeverisës. Faleminderit kryetarit të LDK-së, mikut tim, Lumir Abdixhiku, për vizitën e sotme dhe mbështetjen e madhe”, ka shkruar fillimisht Haziri.

Rikandidimi i tij mund të vlerësohet si befasi, pasi Haziri në vazhdimësi kishte bërë me dije se nuk do të kandidojë për kryetar të komunës.

Mirëpo, analistët për gazetën “Bota sot” treguan se sa mund të ketë sukses në zgjedhjet lokale Lutfi Haziri, duke marrë parasysh se ai është një nga politikanët e pakët të ‘gardës së vjetër’.

Po ashtu, ai kishte përkrahur idenë e shkëmbimit të territorit, ide kjo e ish presidentit Hashim Thaçi.

Qarri: Nëse Haziri humbet zgjedhjet lokale, atëherë do të shkojë në pensionim të parakohshëm

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar kandidaturën e Lutfi Hazirit për kryetar të komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, Lumir Abdixhiku u detyrua ta rikandidonte sërish Lutfi Hazirin, pasi nuk kishte kandidatë më të favorizuar në këtë komunë. Ai përmendi edhe faktin se Haziri është pothuajse i vetmi emër, nga figurat e gardës së vjetër politike.

“Duke qenë se Lutfi Haziri është edhe nënkryetar i LDK-së, megjithëse pothuajse i vetmi emër, nga figurat e gardës së vjetër politike, i cili ende mbanë njërin nga postet më të larta në parti, kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdixhiku, pothuajse nuk kishte zgjidhje tjetër dhe kandidatë më të favorizuar se sa Lutfi Haziri, për komunën që ai tanimë për disa mandate e udhëheqë, ndaj në njëfarë forme dhe ishte i detyruar, që ta rikandidonte sërish Lutfi Hazirin, në mënyrë që ai ta sprovojë veten për të fituar edhe njëherë mandatin e të parit të Gjilanit, në zgjedhjet komunale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti”, deklaroi analisti.

Në vazhdim, Qarri potencoi se kandidatura për kryetar të Gjilanit, është vendimtare për të ardhmen politike të Hazirit, duke marrë parasysh se shumica e ish "shokëve" të vjetër, janë dërguar në pension nga partia.

Ai zgjedhjet lokale i cilësoi si një "aventurë" të rrezikshme për Hazirin.

“Mirëpo kandidatura e tij sa është e dëshiruar nga Luta, aq është e vështirë dhe vendimtare për të ardhmen politike të tij, pasi që, duke pasur parasysh fatin se shumica e ish "shokëve" të vjetër, të cilët edhe pa dëshirën e tyre personale, ka kohë që njëri pas tjetrit, janë dërguar në pension nga partia, duke filluar që nga Isa Mustafa e deri te Agim Veliu. Zgjedhjet e 17 tetorit janë edhe një "aventurë" e rrezikshme për Lutën, sepse po qese ai dështon në betejën për ta fituar Gjilanin, këtu mund të përfundoi edhe karriera e tij politike, ngase duke njohur veprimet e Abdixhikut, me ose pa dëshirën e Lutës edhe ai mund të dërgohet shpejtë në pension dhe bashkohet shokëve të vjetër”, theksoi ai.

Tutje, analisti tregoi qëllimin kryesor pse Abdixhiku e mbajti Hazirin nga ‘garda e vjetër’ dhe e rikandidoi për sërish kryetarë.

Mirëpo, nëse dështon në Gjilan, ai paralajmëroi pensionim të parakohshëm për Lutfi Hazirin.

“Madje duke pasur parasysh faktin se Abdixhiku ka kohë që ka larguar shumicën e kastës së vjetër nga partia dhe vetëm Haziri ende vijon të mbaj post të lart në LDK, duket se qëllimi kryesor i Abdixhikut, ishte pikërisht matja e mbështetjes nga votuesit e LDK-së, ndaj Lutfi Hazirit, si pjesë e gardës së vjetër, i cili nëse fiton mandatin, do të ishte fitore edhe për LDK-në, dhe një sukses i vogël, pas humbjeve të mëdha që LDK pësoi me 14 shkurt, e nëse humbë atë, do të bëhet shkak, që Haziri ti humbas edhe postet në parti dhe krijohet arsyetimi për pensionimin e “parakohshëm” të tij politik”, nënvizoi Qarri.

Në fund, ai komentoi edhe një pjesë të fjalimit të kryetarit të Gjilanit, ku ai tha se ajo frazë u shpreh më shumë si formë e mëshirës paraprake, në mënyrë që nëse nuk fiton mandatin komunal, të mos humbas edhe postet në parti.

“Ndaj kjo ishte edhe arsyeja që pas rikandidimit Luta u ndje aq i prekur e nostalgjik, sa që duke ditur mirë domethënien e sprovës vendimtare, para të cilës ai është vendosur, e cila ka kuptimin e betejës "për jetë a vdekje" politike, për të, ai deklaroi se, për dallim nga ata të cilët u bënë shkak për humbjen e madhe të LDK-së, duke punuar gjithmonë për interesat e veta të ngushta, ky ka vepruar për realizimin e idealeve të LDK-së dhe jo për interesa të vogla dhe motive personale, që të ndërtohet një brez i politikanëve të ri, i cili di ti fitojë vet zgjedhjet, frazë kjo, e shprehur më tepër si formë e kërkim mëshirës paraprake, në mënyrë që nëse nuk fiton mandatin komunal, të mos humbas edhe postet në parti dhe dërgohet “parakohshëm”, tu bashkohet shokëve, në pensionimin e detyruar politik”, përfundoi Gani Qarri.

Ahmeti: Do të ishte goditje e rëndë për LDK-në, nëse Lutfi Haziri e humb Gjilanin

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, tha se LDK duhet ta shfrytëzojë mundësinë e zgjedhjeve lokale, për ta ruajtur elektoratin.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai paralajmëroi se në rast të dështimit, atëherë kriza brenda kësaj partie politike do të thellohet.

“Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta shfrytëzojë çdo variant më të mirë të mundshëm për ta ruajtur votën në zgjedhjet lokale. Potencialisht, nëse LDK-ja humb komunat ku qeverisë, atëherë kriza brenda kësaj partie do të thellohet akoma më shumë dhe do të ketë një antagonizëm të brendshëm në mes grupeve”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, fat i mirë për partinë e Abdixhikut do të ishte zgjatja e pushtetit në komunat në të cilat qeverisë aktualisht.

“LDK-ja e ka shumë të vështirë t’i mbajë komunat ku është duke qeverisur, pasi zgjatja në pushtet është një mundësi për gabimet gjatë qeverisjes, të cilat gabime e zbehin imazhin e një qeverisje të mirë”, potencoi analisti.

Në fund, Ahmeti tha se kandidatura e Lutfi Hazirit në Gjilan, mund t’i kushtojë shumë politikisht, Lidhjes Demokratike, pasi Haziri më shumë është marrë me problemet e LDK-së se sa me problemet gjilanasve.

“Lutfi Haziri si kryetar komune më shumë është marrë me problemet e LDK-së se sa me problemet e qytetarëve të Gjilanit dhe një gjë e tillë mund t'i kushtojë politikisht. Nëse Lutfi Haziri nuk arrin ta mbajë Gjilanin është goditje e madhe jo vetëm për atë, por edhe LDK-në”, përmbylli Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat