‘Thikë pas shpine’ Kosovës/ Ja çfarë po planifikojnë Rama, Vuçiq dhe Zaev – vlerësohet lart ky vendim i Kurtit

Politika

‘Thikë pas shpine’ Kosovës/ Ja çfarë po planifikojnë Rama, Vuçiq dhe Zaev – vlerësohet lart ky vendim i Kurtit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 korrik 2021 Në ora: 08:12
Aleksandar Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kreu i qeverisë maqedonase, Zoran Zaev do të takohen më 28 dhe 29 korrik në Shkup.

Ky takim do të zhvillohet në kuadër të iniciativës së “Minishengenit”, shkruan “Bota sot”.

Përgjatë qëndrimit në Shkup, Rama, Vuçiq dhe Zaev do të marrin pjesë edhe në një forum ekonomik për bashkëpunim rajonal të organizuar nga odat ekonomike të tri shteteve.

Kosova nuk është duke marrë pjesë në iniciativën e “Mini Shengenit, pasi kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar fuqishëm këtë projekt.

‘Minishengeni’ po konsiderohet si një projekt serb, pasi po synohet faktorizimi dhe dalja në det e Serbisë.

Analistët politik për gazetën “Bota sot”, e përkrahen kundërshtimin e kryeministrit Kurti për formimin e ‘Minishengenit’.

Ata e kritikuan kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për përkrahjen e kësaj ideje të Aleksandër Vuçiqit.

Kapiti: ‘Minishengeni Ballkanik’ thikë kundër Kosovës!

Opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, kundërshtoi fuqishëm formimin e ‘Minishengenit Ballkanik’.

Image
Skënder Kapiti

Madje, ai tha se me të drejtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk merr pjesë në takimet e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit për tentative e formimit të neoprojektit serb (Minishengenit).

“Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kreu i qeverisë maqedonase, Zoran Zaev do të takohen më 28 dhe 29 korrik në Shkup. Ky takim i radhës në të cilin me të drejtë nuk merr pjesë Albin Kurti, mbahet në kuadër të të ashtuquajturit “Minishengen” ballkanik. Tashmë kjo tentativë e këtij minishengeni njihet si një neoprojekt serb, për ngritjen të një neo – Jugosllavie”, deklaroi Kapiti.

Në kuadër të këtij projekti antishqiptar, analisti u befasua me përfshirjen e Shqipërisë, ku ai e krahasoi me përpjekjet e Titos me Enver Hoxhës.

““E reja” e kësaj ngrehine është fakti i çuditshëm që në të do të përfshihet edhe Shqipëria, gjë që të kujton përpjekjet e Titos dhe dakordësinë e Enver Hoxhës për gllabërimin e Shqipërisë në ish-Jugosllavinë e Titos si Republikë e shtatë, por që vetëm prishja e marrëdhënieve Tito-Stalin dhe për arsye pushteti dhe ideologjike të Enver Hoxhës bëri të mundur mosrealizimin e atij projekti antishqiptar”, theksoi ai.

Në vazhdim, Kapiti u shpreh se rreshtimi i kryeministrit Edi Rama përkrah idesë së presidentit serb Vuçiq është një thikë jo mbas shpine por haptazi kundër Kosovës.

“Minishengeni i Ballkanit Perëndimor me Serbinë lider, ku sipas kësaj duhet që të përfshihet edhe Kosova, të cilën Serbia nuk e njeh por e quan pjesë të saj, përkrah saj është rreshtuar e ndoshta si bashkë ideator i saj duke u përfshirë zellshëm edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Dhe kjo është si një thikë jo mbas shpine por haptazi kundër Kosovës”, nënvizoi analisti.

Tutje, ai potencoi se kryeministri Rama për interesa të pushtetit personal po i hyn kësaj aventure anti-Shqipëri dhe anti-Kosovë, pra një aventure anti-Kombëtare.

“Pas dështimeve të Qeverisë Rama në hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në BE, kryeministri Edi Rama për interesa pushteti të tij personal i ka hyrë një aventure të tillë anti Shqipëri dhe anti Kosovë, pra një aventure anti Kombëtare, ndaj të cilës fatkeqësisht nuk ka kundërshtime serioze as nga politika, as nga mediat dhe as nga publiku në Shqipëri”, deklaroi Kapiti.

Në fund, analisti tha se në vend që kryeministri Rama të angazhohet për ngritjen e padisë së Serbisë për gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës apo për lobimin e njohjeve të reja të Kosovës, ai po bën presion mbi Prishtinën për anëtarësimin në një organizatë anti-shqiptare.

“Në vend që Shqipëria të angazhohet në denoncimin dhe në ngritjen e një padie kundër Serbisë për krimet dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës; dhe në vend që Tirana të angazhohet e të lobojë për njohjet e reja të Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në organizma dhe në organizatat ndërkombëtare, Tirana zyrtare bën të kundërtën, e fton e madje edhe i bën presion Prishtinës që të anëtarësohet në një organizatë antishqiptare, ku Serbia të luajë rolin lider dhe që e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës.Shikoni se në çfarë aventure ka hyrë Edi Rama”, përmbylli Skënder Kapiti.

Krasniqi: Pasi mungon Kosova - takimi Rama, Vuçiq dhe Zaev nuk do të prodhojë asgjë

Kurse njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se ndoshta do të ishte mirë të merrte pjesë edhe kryeministri Kurti në takimet për ‘Minishengenin Ballkanik’.

Image
Islam Krasniqi

Mirëpo, sipas tij, mospjesëmarrja e Kurtit nuk përbën ndonjë problem, pasi nuk do të marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit.

“Do të ishte mirë që edhe kryeministri Kurti ndoshta të jetë pjesë e Minishengenit pasi që pjesë e saj është edhe shteti amë Shqipëria, mirëpo e dimë mirë së nuk janë pjesë e këtij Minishengeni të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor edhe ne nëse nuk marrim pjesë nuk është ndonjë problem”, deklaroi ai.

Krasniqi përmendi faktin se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur projektin e Minishengenit, por që kanë theksuar se një projekt i tillë nuk mund të realizohet pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit.

“SHBA-të e kanë përkrahur këto nismë, mirëpo na kanë treguar se s'mund të ketë Minishengen, pa inkuadrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor e që pa Republikën e Kosovës s'mund të ketë Minishengeni”, theksoi analisti.

Krejt në fund, ai konsideroi se takimi Rama, Vuçiq dhe Zaev nuk do të prodhojë asgjë, pasi pjesë e këtij takimi nuk do të jenë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.

“Takimi në mes të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit maqedonase, Zoran Zaev i paraparë të mbahet më 28 dhe 29 korrik në Shkup nuk do të prodhojë asgjë, pasi mungon Republika e Kosovës, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, çdo marrëveshje është e parealizueshme!”, përfundoi Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat