Shqetësuese marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri - Rama prioritet Serbinë, kështu të veprojë Qeveria

Politika

Shqetësuese marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri - Rama prioritet Serbinë, kështu të veprojë Qeveria

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 gusht 2021 Në ora: 18:12
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Tashmë dihet se marrëdhëniet e kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm.

Mirëpo, kohëve të fundit po vërehet një nivel shumë i ulët i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Shkak duket të jetë afërsia e madhe e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kjo gjë, natyrisht që nuk e shqetëson vetëm kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por edhe të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë.

Është e pakuptueshme se si një kryeministër shqiptar, në këtë rast Edi Rama, të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që t’iu bashkohet projektit të Vuçiqit “Ballkani i Hapur”, kur dihet se Serbia ende nuk e njeh Kosovën dhe e konsideron pjesë të saj.

Pas përkrahjes së politikave serbe, ndaj Edi Ramës vërshuan kritika të mëdha, ku disa madje edhe e akuzuan për tradhti kombëtare, pasi bashkëpunimit me Vuçiqin.

Deklaratat në Samitin e Shkupit të mbajtur lidhur me “Ballkanin e Hapur”, e vënë në pah nivelin e ulët të bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare Shqipëri-Kosovë.

Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, e fajësuan kryeministrin Rama për mosbashkëpunimin efikas me Kosovën.

Madje, ata u shprehën se Rama po vepron kundër interesave të Kosovës, duke ndihmuar Serbinë dhe përkrahur idetë e saj.

Shahu: Rama luan siç do Serbia!

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi nivelin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri.

Ai u shpreh se Qeveria e Shqipërisë asnjëherë nuk ka qenë më shpërfillëse ndaj Kosovës, se sa tani. Sipas tij, kjo shpërfillje e kryeministrit Rama është shumë e frikshme dhe shqetësuese.

“Asnjëherë më shpërfillëse nuk ka qenë Qeveria e Tiranës ndaj Kosovës. Edi Rama sikur është verbuar në arritjen e synimeve të tij dhe e shpërfill vrazhdë Kosovën. Mesazhi që jepet është i rëndë, Serbia duartroket këtë marrëdhënie shqiptarësh. Rama luan siç do Serbia. Kuraja e Edi Rames që të shpërfille Kosovën është e frikshme. Në gjithë tallavanë minishengen apo Ballkani, ajo që është shqetësuese është fakti që Rama nuk ndalet asnjë çast nuk stepet edhe pse Kosova nuk është dakord”, deklaroi Shahu.

Po ashtu, analisti tha se Rama duhet ta pyes veten se çfarë po bën kur gjysma e kombit, Kosova nuk po e pranon ‘Ballkanin e Hapur’. Madje, kërkoi nga kryeministri i Shqipërisë të deklarojë nëse Amerika e ka ngarkuar atë si të dërguar special për Kosovën.

“Mendoj se një politikan shqiptar, duhet të ndalet te mendoje e të pyesë veten çfarë po bëj kur nuk pranon Kosova, gjysma e kombit. Minimumi duhet të flasë hapur edhe për publikun që njerëzit ta dinë. Kosova është investim amerikan, dhe Rama ta thotë, nëse Amerika ka ngarkuar Ramën të dërguar special për Kosovën. Kuraja e Edi Ramës që të veprojë të bashkëpunoje me Serbinë kundër dëshirës së Kosovës, me shqetëson. Nuk kam shqetësim tjetër”, theksoi ai.

Në vazhdim, Shahu potencoi se Rama i ka prioritet marrëdhëniet me Serbinë dhe jo me Kosovën, madje ai do të hyjë në histori si mik i Serbisë, si zëdhënës i Vuçiqit.

“Edi Rama nuk e ka prioritet Kosovën, e ka Serbinë. Nuk i interesojnë marrëdhëniet me Kosovën as marrëdhëniet mes shqiptarëve, as mes fqinjëve të tjerë, atij i interesojnë marrëdhëniet me Serbinë. Edi Rama është i dërguari i Zotit që të ndreqë Serbinë, është gati të sakrifikojë vëllaun për kojshinë, është misionari që do ta bëjë qengj Serbinë, do të hyjë në histori si mik i Serbisë, si zëdhënës i Vuçiqit”, nënvizoi analisti.

Tutje, ai ngriti disa pikëpyetje se pse Rama nuk po i vë kushte Serbisë që ta njoh Kosovën, nëse me të vërtetë e do praninë e Shqipërisë në këtë festival të shpifur ballkanik.

“Kur ai është aq i domosdoshëm për Vuçiqin, për synimet e Vuçiqit që të krijohet një kopje e shëmtuar e një mini BE që të shfryhen pritshmëritë e ballkanasve të refuzuar nga BE, që ti pajtojë Serbia të dëshpëruarit si nënë e madhe, si vëllai i madh, pse Edi Rama nuk i vë kushte Serbisë që ta njoh Kosovën, nëse do praninë e Shqipërisë në këtë festival të shpifur ballkanik. Pse Rama nuk i imponohet bigbrotherit të tij Vuçiq që ta njoh Kosovën e pastaj Shqipëria bashkë me Kosovën marrin pjesë në minishengenin, por kur Serbia ta njoh Kosovën...”, deklaroi Shahu.

Në fund, analisti bëri me dije se Rama nuk ka as mik as vëlla, ai i shikon vetëm interesat e tij. Ku krahas kësaj, Shahu tha se për interesa të tij Rama e shpërfill pa dhimbje Kosovën siç e ka shpërfille e ndëshkuar qoftë dhe me taksën shtesë në Kalimash të Kukësit.

“Edi Rama kur nuk arrin BE, shpik Ballkan të Hapur. Aq Don Kishot është saqë mendon të krijojë BE e tij me Vuçiqin... Sa herë ka probleme të brendshme në Shqipëri, Edi Rama shpik agjenda të jashtme që thithin vëmendje. Ai i shërben verbërisht postit të tij dhe thërret argat djallin për interesat e tij. Edi Rama nuk ka mik e vëlla, ka interesa. Për interesat e tij ai e shpërfill pa dhimbje Kosovën siç e ka shpërfille e ndëshkuar qoftë dhe me taksën shtesë në Kalimash të Kukësit. Ai synon të flasë në emër të Kosovës dhe nuk llogarit askënd atje. Edi Rama ngaqë është trupmadh mendon se është lojtar i madh i gjeopolitikës për Amerikë, Kinë e Rusi”, përmbylli Rexhep Shahu.

Mehmeti: Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri të ftohta!

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër, Faton Mehmeti mendon se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të ftohta.

Ai gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, deklaroi se shkaku i ftohjes së marrëdhënieve mes dy shteteve shqiptare janë pazaret e kryeministrit Edi Rama kundër Kosovës.

“Edi Rama me qëndrimet e tij anti-Kosovë dhe pro Serbisë ka sjellë klimën më të ftohtë në mes qeverive shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Krejt kjo pasi është pjesë e pazareve që dëmtojnë rëndë Kosovën dhe të ardhmen e saj”, deklaroi Mehmeti.

Tutje, analisti beson se Kosova është provokuar nga kryeministri Rama, ku sipas tij ai me Thaçin e Vuçiqin janë treshja e tmerrshme e shqiptarëve.

“Kosova është e provokuar nga Rama, që së bashku me Thaçin dhe Vuçiqin janë treshja e tmerrshme e shqiptarëve. Kosova duhet të shmang kontaktet me Ramën, ato t’i zhvillojnë me përfaqësues të tjerë të Shqipërisë”, theksoi ai.

Në fund, Mehmeti kërkoi që t’i ndërpritet kontakti Edi Ramës me Kosovën, derisa të tërhiqet nga ideja pro-serbe për “Ballkan të Hapur”

“Përderisa Rama punon kundër Kosovës duhet t'i ndërpritet kontakti me Kosovën. Sa më parë që të tërhiqet Rama nga ideja e "Open Ballkan", nga ky projekt serbo-rus, aq më i pakët do të jetë dëmi, dhe aq më pak do të dëmtohet Kosova. Sa nuk është vonë, Rama të tërhiqet nga kjo ide, si e vetmja mundësi për të ruajtur raportet vëllazërore mes qeverive shqiptare në të dyja anët e kufirit”, përfundoi Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat