‘Shpërthimi’ i Edi Ramës kundër Kosovës – analistët e ‘gozhdojnë’ kryeministrin shqiptar

Politika

‘Shpërthimi’ i Edi Ramës kundër Kosovës – analistët e ‘gozhdojnë’ kryeministrin shqiptar

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 gusht 2021 Në ora: 19:36
Edi Rama, Albin Kurti

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një shkrimi i cili tha se projekti “Ballkani i Hapur”, nuk është vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.

Por ai, në këtë debat tërthorazi ka futur edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj për të cilin ka thënë se ai e humbi rastin historik t'ia hiqte vizat Kosovës.

“Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke "i treguar babait arat", kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Evropian?”.

“E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë "tregimin e arave", deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, "mu nuk më han luli për këta!" dhe mu aty e humbi rastin historik t'ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”.

E për këtë ka reaguar Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se, Rama atë kohë ishte i rreshtuar gabim dhe se ishte për ndarjen e Kosovës dhe hapjen e kufijve të saj.

“Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës për hapjen e kufijve të Kosovës, sigurisht që mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im Edi Rama”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka mbështetur iniciativën për një Ballkan të hapur, por vetëm pasi Serbia të njohë Kosovën.

Shahu: Rama s’ka pasur kurrë njëherë fuqi, ai vetëm bën thashetheme me kufij

Image
Rexhep Shahu

Analisti Rexhep Shahu në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se as Rama, as Thaçi dhe as Haradinaj nuk kanë patur e as nuk do të kenë fuqi për të copëtuar Kosovën, sepse kufijtë e saj janë vendosur nga fuqitë e mëdha dhe asnjëherë nga shqiptarët.

“Aq sa kam unë fuqi për ta ndarë apo copëtuar Kosovën, aq fuqi ka patur, ka e do të këtë Edi Rama, Hashim Thaçi, Ramushi apo cilido aktor shqiptar. Kufijtë e Shqipërisë e të Kosovës nuk i kanë vu as caktuar asnjëherë shqiptarët. Kufijtë e gurët e kufirit vihen me luftë, ne nuk i kemi vu dot se nuk kemi patur fuqi luftarake. Kufijtë tonë i kanë caktuar Fuqitë e mëdha të cilat janë po ato fuqi që kanë qenë kur janë caktuar kufijtë e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, fuqia e vetme e Edi Ramës është të bëjë thashetheme me kufij.

Ai shton se, Kosovën e kanë në vëmendja më shumë fuqitë e mëdha se sa mendojnë politikanët shqiptarë.

“Shqiptarët si Edi Rama kanë vetëm një fuqi, me bë thashetheme me kufij. Politikanët shqiptarë që natyrisht e duan Kosovën, harrojnë një gjë të vogël - Kosovën e kanë çliruar dhe e kanë pavarësuar dhe po e mbrojnë edhe ushtarakisht ato fuqi të mëdha që i përflet Rama që akuzon Ramushin. Politika e sotme e Fuqive të mëdha ku hyjnë dhe Franca e Gjermania e kanë më shumë në vëmendje Kosovën se sa mendojnë politikanët shqiptarë që Kosovën e shohin veç si zyra për ta qeverisë. Nuk shtrembërojnë buzët Merkel e Makron për Kosovën dhe krejt e sigurt është se edhe po të kenë pakënaqësi ndaj Kosovës, nuk ankohen për Kosovën tek Edi Rama”, shprehet Shahu.

Ai në fund, thotë se Ramës Kosova i duket e vogël, por e harron se Kosova është aq e rëndësishme për Amerikën e Fuqitë e mëdha sa për Kosovën ata bënë lufte dhe e dëbuan Serbinë prej Kosovën.

“Kosova është aq e rëndësishme për Amerikën e Fuqitë e mëdha”

Sa i përket bashkëpunimit me Serbinë në “Ballkani i hapur, Shahu thotë se Rama, nuk duhej të bënte asnjë aksion bashkëpunimi me Serbinë, as minishengen, as Ballkan të hapur, as tallava me Bregoviq.

“Gjithë kjo stuhi vere me thashetheme dhe akuza vjen nga cektësia, nga sjellja fëmijërore dhe inatçore e kryeministrit Rama. Nga inferioriteti atij i është krijuar bindja se është faktor politik në rajon. I duket e vogël Kosova, dhe harron se Kosova është aq e rëndësishme për Amerikën e Fuqitë e mëdha sa për Kosovën ata bënë lufte dhe e dëbuan Serbinë prej Kosovën. Askush nuk ia lë në dorë e në kujdesje Kosovën Edi Ramës. Por as Serbisë. Edhe nëse zbehet për një moment kujdesi ndërkombëtar ndaj Kosovës, Serbisë nuk ia lë më askush Kosovën. Edi Rama një gjë duhej ta bënte sipas mendimit tim, ai për hir e hatër të Kosovës nuk duhej të bënte asnjë aksion bashkëpunimi me Serbinë, as minishengen, as Ballkan të hapur, as tallava me Bregoviq. Dhe natyrisht, nuk rivalizohet Ramush Haradinaj në dashuri për Kosovën, ai i ka dhënë gjak shumë gjak asaj”, përfundon analisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Bytyçi: Rama, politikan kontraverz

Image
Adem Bytyçi

Edhe analisti Adem Bytyçi në një përgjigje për “Bota sot” është shprehur se, Rama në vend që të forcojë bashkëpunimin me Kosovën, ai vendos raporte miqësore me shtetin i cila ka bërë gjenocid në Kosovë.

“Para se gjithash politikan më kontraverz dhe antikombëtar se Edi Ramën nuk e mban mend historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në vend që të forcojë bashkëpunimin me Kosovën, ka vendosur raporte miqësore dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat me një shtet i cili ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve hiq më pakë se tri herë, në vend që të kërkonte Serbisë që të kërkoj falje për krimet makabre të luftës kundër shqiptarëve të Kosovës në luftën e fundit 1998-99, përkundarazi vendos raporte miqësore me të”, shprehet Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat