Kërkesa për dorëheqje ndaj Kurtit, ja çfarë fshihet pas “luftës” së Haradinajt ndaj VV-së

Politika

Kërkesa për dorëheqje ndaj Kurtit, ja çfarë fshihet pas “luftës” së Haradinajt ndaj VV-së

Nga: M.H Më: 24 gusht 2021 Në ora: 16:59
Albin Kurti, Ramush Haradinaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të jap dorëheqje.

Në konferencën për media, Haradinaj ka thënë se Kurti duhet të jap dorëheqje ose të lirojë nga detyra ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi sipas tij, kanë dështuar në procesin e vaksinimit.

“Besoj se dorëheqja e zotëri Kurtit do të ishte ekuivalencë e gjendjes. Ministri sot e merr rrogën për shëndetin tonë, ai është duke mbledh vota. Nuk mund të shkojnë të dyja në këtë kohë. Le ta liron menjëherë ministrin, ose le të jep dorëheqje vet”, ka thënë Haradinaj.

Image
Enver Bytyçi

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, i cili u shpreh se Haradinaj ka shumë ngutje në politikën e tij, duke përmendur rastin kur është kthyer nga Haga dhe që i ka kërkuar Thaçit ta bëjë kryeministër.

Sipas profesorit, dorëheqja është normale mirëpo ajo duhet të ndodhë kur vendi gjendet në situatë të vështirë e në të cilën Kosova nuk është.

“Haradinaj njihet për ngutjen politike të tij. Ai edhe kur u kthye nga Haga i pati kërkuar asokohe kryeministrit Thaçi që t'ia lirojë vendin e ai të bëhej kryeministër. Atëherë pata shkruar dhe thënë se kryeministër nuk bëhesh pse do ti, por se të zgjedh sovrani. Megjithatë është e drejta e zotit Haradinaj dhe e kujtdo tjetër të kërkojë dorëheqje ministrash, madje edhe të kryeministrit. Problemi nuk qëndron te kërkesa për dorëheqje të zotit Kurti. Çështja është në përmbajtjen e gjësë. Në politikë ndodhin dorëheqje e ndryshime, atëherë kur krijohen kriza, konflikte që nuk zgjidhen ndryshe. Në demokraci këto ndryshime ndodhin natyrshëm, sepse është atribut i demokracisë që konfliktet e krizat t'i zgjidhë brenda sistemit. A ka sot ndonjë konflikt të përmasave të tilla në Kosovë? A është Kosova në krizë ekonomike, financiare apo politike? Unë mendoj se jo. Kosova ka probleme me pandeminë, por kjo është përgjegjësi e qeverisë dhe e qytetarëve. Ndërkaq qytetarët bëhen të përgjegjshëm edhe me kontributin e opozitës”, ka thënë ai.

Më tej, profesori shton se qeveria ka arritur të sjellë ndryshime në vend duke e rritur buxhetin e shtetit, pastaj uljen e korrupsionit e që do të thotë se qeveria Kurti nuk ka asnjë arsye për të dhënë dorëheqje.

“Pra, në këtë krizë panbotërore kanë rol edhe mazhoranca, edhe opozita. Ndërsa në aspektet e tjera unë shoh një normalitet të admirueshëm. Madje më të qëndrueshëm se në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Buxheti i shtetit u rrit me 25 për qind. Të ardhurat në dogana e nga tatimet janë rritur si asnjëherë më parë. Dhe këta tregues dëshmojnë se qeveria ka mundësuar uljen e korrupsionit, sepse prodhimi nuk është shtuar 25 për qind, as importi dhe eksporti nuk është shtuar në këto shifra. Kjo do të thotë se qeveria Kurti deri tani nuk ka krijuar asnjë shkak për dorëheqje. Përkundrazi, ajo duhet falënderuar për shumë arritje”, ka theksuar profesori.

Pa përmendur nuk mbeti as dialogu me Serbinë e që sipas tij është një ndër hapat më të mirë që ka bërë Kurti për vendin, duke qëndruar përballë presioneve të shumta për të bërë kompromis e që asnjëherë nuk e bëri për ta dëmtuar vendin.

“Një ndër këto arritje është gjithashtu rifillimi i dialogut me Serbinë nga e para dhe korrigjimi i shumë prej prapësive që kanë bërë qeveritë e mëparshme. Më pak prapësi në dialog ka bërë qeveria e zotit Haradinaj, sepse ai e bllokoi dialogun me taksën për mallrat serbe që hynin në Kosovë. Por gjithsesi ishin partnerët e tij të koalicionit që e patën futur dialogun në qorrsokak dhe bërë procesin të rrezikshëm për Kosovën. Deri tani zoti Kurti ka qëndruar përballë presioneve të shumta për të bërë kompromise, të cilat i kanë bërë paraardhësit e tij me Serbinë. Kjo është një arritje më vete. Nuk e di si do të shkojnë zhvillimet e ardhshme. Por duket se po përgatiten ligje për Vetting në drejtësi e në politikë. Nëse kjo qeveri arrin të vendosë në verifikim absolut të pronave dhe pasurive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, atëherë ajo ia ka arrit qëllimit final të luftës kundër korrupsionit”, është shprehur ai.

Ndërsa, përveç Haradinajt, profesori përmend edhe deklaratën e Abdixhikut e që sipas tij asnjëri nuk ka arritur ta argumentojë kërkesën për të dhënë dorëheqje, pasi që arsyetimi dhe racionaliteti janë ato që bëjnë diferencën në qëndrimet politike.

“Me sa duket kjo është arsyeja kryesore pse zoti Haradinaj dhe aktorë të tjerë politikë të opozitës janë kaq "armiqësorë" me qeverinë Kurti dhe me vetë kryeministrin. Deklarata jo të përshtatshme ka bërë ditët e fundit edhe zoti Abdixhiku, ndërkohë që PDK ka marrë një lloj kthese në qëndrimet e veta opozitare, duke u rikthyer te konstruktiviteti. Duhet arsyetuar në arritjen e përfundimeve, sidomos kur kërkohet dorëheqje e kryeministrit, presidentit apo dikujt tjetër në krye të institucioneve qendrore. Arsyetimi dhe racionaliteti janë ato që bëjnë diferencën në qëndrimet politike. Zoti Haradinaj ka jo pak raste që udhëhiqet nga një lloj populizmi, por që unë nuk mendoj se kjo e ndihmon atë të rrit elektoratin e tij në Kosovë. Nga ana tjetër Kosova është në prag fushate. Aktorët politikë kanë përcaktuar në këtë fushatë kundërshtarët, të cilët do të duhet t'i mundin”, tha profesori.

Në fund, ai vlerësoi se e sheh të gabuar këtë metodë të AAK-së për të arritur fitore tek elektorati, pasi që është gabim të arrihet kjo fitore përmes agresivitetit dhe arrogancës politike.

Kulturën moderne demokratike të konkurrencës politike e futi në Kosovë Ibrahim Rugova dhe kjo kulturë ka dhënë fryte të jashtëzakonshme, ka shtuar në fund profesori.

“Ndoshta AAK ka përcaktuar si kalë beteje luftën elektorale kundër Vetëvendosjes. Shenjat janë se po. Dhe e gjitha kjo ndikon për të krijuar një atmosferë kundërshtie ekstreme. Por është gabim të mendohet në Kosovë se arrihet fitorja e një force politike përmes agresivitetit dhe arrogancës politike. Këtë e ka provuar koha. Kulturën moderne demokratike të konkurrencës politike e futi në Kosovë Ibrahim Rugova dhe kjo kulturë ka dhënë fryte të jashtëzakonshme, sa sot Kosova është model në rajon për zgjedhje të lira dhe vendimmarrje elektorale. Nuk besoj se Haradinaj ose dikush tjetër mund të kapitalizojnë ndonjë arritje me forma ekstreme të të bërit fushatë”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat