Kosova e Maqedonia nënshkruajnë 11 marrëveshje, por çfarë do të ndodhë me rastin e Kumanovës?

Politika

Kosova e Maqedonia nënshkruajnë 11 marrëveshje, por çfarë do të ndodhë me rastin e Kumanovës?

Nga: A.Z Më: 16 shtator 2021 Në ora: 21:25
Albin Kurti dhe Zoran Zaev

Shefi i Stafit të Kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka njoftuar se qeveria e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e përbashkët sot, kanë nënshkruar 11 marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve është edhe studimi i fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.

“Sot Qeveria e Kosovës nënshkruan 11 marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Disa nga marrëveshjet: studim i fizibilitetit për rrugën ’Prizren–Tetovë’; bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot”, Muhamet Kelmendi, ka potencuar se kontaktet ndërqeveritare duhet të shpeshtohen, madje, sipas tij, fusha kryesore është zgjidhja përfundimtare e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sepse shqiptarët në Maqedoni nuk janë të barabartë.

“Rruga Tetovë-Prizren nuk i zgjidhë problemet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kontaktet dhe bisedimet ndërqeveritare janë të mirëpritura. Ato duhet të shpeshtohen dhe të thellohen në shumë fusha. Mirëpo, fusha kryesore, që mendohet që i rregullon raportet është zgjidhja përfundimtare e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët atje ende nuk janë të barabartë me maqedonët. Nuk ka barazi me përdorimin e gjuhës, në punësim, sidomos në polici dhe në ushtri e në shumë institucione tjera. Mungon barazia edhe në të drejtën juridike të punës së gjykatave. Të gjithë i dinë rastet që kanë ndodhur në këtë shtet me shqiptarët”, theksoi Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Më tej ka thënë se në Maqedoni ka qindra shqiptarë të burgosur pa të drejtë, ato dënime duhet të hiqen.

Ndërsa, si fushë tjetër diskriminuese, Kelmendi përmend edhe pozitat e shqiptarëve në ushtri, madje edhe papunësia e tyre.

“Atje kemi me qindra shqiptarë të burgosur pa të drejtë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Kërkohet që të zbardhet në tërësi rasti i Kumanovës. Dënimet janë drakoniane, dhe nuk dihen fare shkaqet si ka ndodhur rasti i Kumanovës apo kush i futi në konflikt? Ka teori të shumta konspirative. Ato dënime duhet të hiqen dhe të lirohen të dënuarit pa fajë. Një fushë tjetër diskriminuese është pozita e shqiptarëve në ushtri dhe investimet e bëra. Shqiptarët e papunësuar shkojnë deri në 40%. Investimet në viset shqiptare janë qesharake”, shtoi ai.

Tutje potencoi se marrëveshjet e nënshkruara nuk premtojnë raporte të mira, andaj edhe çështjet e theksuara nuk janë diskutuar.

“Merren me qindra milion tatime e taksa nga shqiptarët, e në komunat shqiptare pothuajese fare nuk investohet. Kanë mbetur shumë prapa. Në kontekst të kësaj, marrëveshjet e nënshkruara janë farse dhe nuk premtojnë raporte të mira midis dy kombeve tona. Natyrisht se rruga paraqet një afrim të Tetovës me Prizrenin dhe shkurtohen kështu për këto dy anë kilometrat e gjata. Kjo është pozitive. Mirëpo, mbesin çështjet e theksuara. Ato nuk janë diskutuar dhe do të mbesin mbi koka tona çdo herë. Shqiptarët kërkojnë drejtësi”, ka përfunduar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat