Intriga e fshehtë e Ramës dhe Vuçiqit - ja çfarë po përgatisin kundër Kosovës

Politika

Intriga e fshehtë e Ramës dhe Vuçiqit - ja çfarë po përgatisin kundër Kosovës

Nga: A.Morina Më: 17 shtator 2021 Në ora: 23:39
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për dialogun Kosovë-Serbi para datës 6 tetor.

“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit, kur edhe e kemi Samitin në Slloveni mes Bashkimit Evropian dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. S’ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës, ndërkohë zëvendëskryeministri im Bislimi që është përgjegjës ka pas takime në Bruksel. Ai i diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, u shpreh ai.

Tutje, Kurti sot në një konferencë për media, ka folur edhe për takimin me të dërguarit e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili ka qëndruar tri ditë në Kosovë.

“S’kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave, kemi diskutuar për sugjerimet tona që i kemi dhënë për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk kemi diskutuar për reciprocitetin, por i kam treguar se liderët evropianë kanë pranuar një letër nga unë ku janë të renditura shkeljet që po i bën Serbia”, u shpreh Kurti.

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se takimet ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel kanë filluar të bëhen monotone.

Kjo për arsye se Vuçiqit gjithçka që po i ofron Kurti, nuk po e merrë në konsideratë dhe po e refuzon.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Takimet e zotit Kurti dhe presidentit të Serbisë kanë filluar të jenë monotone, d.m.th të sillen rreth të njëjtit diskutim. Kjo sepse pala e Kosovës, përkatësisht kryeministri Kurti ka mundur deri tani të mos pajtohet me imponimet serbe ndaj delegacionit shqiptar. Në këto kushte Aleksandër Vuçiq për disa kohë do të sillet rreth një qasje dialogu në formën e monologut. Sepse gjithçka që i ofron Albin Kurtit, ky i fundit nuk e merr në konsideratë dhe madje e refuzon”, deklaroi ai.

Mirëpo Bytyçit, nuk po e kupton pse analistët dhe politikanët shqiptarë po e fjaësojnë kryeministrin Kurti për ngërçin e bisedimeve.

Pasi, sipas tij Kurti në Bruksel po tenton ta kthejë situatën në favor të Kosovës.

“A është kjo një qasje produktive. Sigurisht që jo. Dhe unë i mirëkuptoj ata që bëjnë kritikën me faktin se dialogu është në ngërç. Por nuk pajtohem me ata shqiptarë analistë e politikanë që fajësojnë zotin Kurti për këtë. Kryeministri po përpiqet që ta kthejë situatën në favor të Kosovës, për të mos qenë vasal dhe skllav në përpjekjet e Beogradit për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe. Kërkesa e tij për status të barabartë midis dy palëve është ndoshta qasja më produktive, sepse këtë status nuk mund ta kundërshtojnë as në Bruksel”, theksoi profesor.

Në vazhdim, ai potencoi se takimet formale në mes Kurtit dhe Vuçiqit vetëm se po thellojnë ndarjen. Bytyçi vlerësoi se pala serbe ka nevojë për reflektim, me qëllim që të afrohet në qëndrimet e veta me opsionet që ka dhënë pala e Kosovës.

“Ndërkaq, më duhet të them se zotit Kurti nuk i konvenon që të takohet me presidentin Vuçiq, nëse ai nuk lëviz t'i afrohet zgjidhjeve racionale. Takimet formale vetëm se thellojnë ndarjen. Palët, sidomos pala serbe ka nevojë për reflektim, me qëllim që të afrohet në qëndrimet e veta me opsionet që ka dhënë pala e Kosovës. Ky reflektim është vështirë të ndodhë me udhëheqës të tillë si Aleksandër Vuçiq i gatuar në shkollën e Milosheviçit dhe i pasionuar pas projektit të këtij të fundit. Nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje të lehtë. Kjo është e kuptueshme”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, profesori përmendi edhe kërkim faljet e Serbisë për krimet e saj në Kosovë. Derisa, tregoi edhe përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në këtë çështje, duke zbuluar edhe planin serb në lidhje me kërkim faljet e saj.

“Por kryeministri i Kosovës po bën të pamundurën që ta detyrojë Serbinë të njohë krimet e saj në Kosovë, të kërkojë ndjesë për këto krime dhe më pas të pajtohet me pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Për herë të parë e përmendi edhe Edi Rama çështjen e ndjesës serbe për krimet në Kosovë. Ndoshta është marrë vesh me Aleksandër Vuçiq, që ta lansojë këtë temë. Ndoshta Vuçiq po përgatitet ta bëjë një gjë të tillë. Por jam i bindur se pas kësaj kërkese të Ramës qëndron një intrigë e madhe. Intriga do të konsistojë në formulën që do të përdorë kryeministri i Shqipërisë: "Hë! Çfarë doni më shumë? Thatë që Serbia të kërkojë ndjesë, ja ndjesa erdhi! Atëherë pranoni zgjidhjen sipas projektit serb, hajdeni gjithashtu në Open Ballkan dhe e mbyllim konfliktin shqiptaro-serb me Beogradin"! Kjo formulë e parapërgatitur për t'u përdorur si presion dhe argument kundër Kosovës do ta shoqërojë ndjesën serbe, nëse ajo kërkon ndjesë, për krimet e saj në Kosovë”, tha ndër të tjera Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Kurse, sa i përket letrës së Kurtit për liderët evropian në lidhje me shkeljet e Serbisë, profesori nuk duket shumë optimist se vendet evropiane të jenë në një mendje sa i përket qëndrimeve që do të mbajnë ndaj shtetit serb.

“Por nuk është vetëm kjo. Kurti u ka shkruar letër të gjithë kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të vendeve anëtare e Bashkimit Europian, me të cilën i njofton ata për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë me Kosovën. Sigurisht që është një akt transparence dhe debati. Është një veprim, me të cilin Kurti bën me dije të drejtën e Kosovës në raportet me Serbinë. Por nuk pres që vendet evropiane të jenë në një mendje sa i përket qëndrimeve që do të mbajnë ndaj Serbisë. Nuk besoj se Franca p.sh do të vihet në krah të Kosovës dhe do ta qortojë qëndrimin serb. Kurse Gjermania nuk do të prishë ekuilibrin e marrëdhënieve të saj me Francën për të marrë iniciativa të njëanshme në dobi të së drejtës që i përket Kosovës”, potencoi ai.

Në fund, Bytyçi e përkrahi letrën e Kurtit për liderët evropian, pasi është gjë e mirë që t’i mbajë të informuar ata, ku në këtë mënyrë do ta mbrojë integritetin territorial dhe funksionalizimin shtetëror të Kosovës.

“Është herët për të thënë se vendet e BE-së do të kenë qëndrim pro-Kosovës, përfshirë dhe vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj. Është herët, sepse akoma Serbia nuk është afruar aq shumë në marrjen e datës për anëtarësim në BE. Sa më i largët të jetë ai moment, aq më shumë do të shtyhen përpjekjet e Evropës për t'iu imponuar Serbisë në politikat e veta ndaj Kosovës. Prandaj nuk besoj në ndonjë mrekulli. Megjithatë kryeministri i Kosovës, zoti Kurti, bën shumë mirë që informon. Informacioni është nxitje për të ndryshuar dhe forcuar qëndrimet evropiane ndaj të drejtës që Kosova ka për të ruajtur integritetin territorial dhe funksionalizimin shtetëror”, përmbylli Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat