Konspiracione/Ndryshoi qëndrimet, çfarë fshihet pas deklaratave të Ramës për Kurtin?

Politika

Konspiracione/Ndryshoi qëndrimet, çfarë fshihet pas deklaratave të Ramës për Kurtin?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 18 shtator 2021 Në ora: 18:59
Albin Kurti, Edi Rama

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në prag të largimit të saj nga politika këtë të martë ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë.

Pjesë e agjendës ishte edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, pra me praninë e kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Pas kësaj, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën për media pas takimit me Merkel dhe homologët e pesë vendeve të tjera të rajonit, u deklarua edhe në lidhje me “Open Ballkan”.

E në këtë rast, Kryeministri Edi Rama kritikoi edhe një herë Kosovën për faktin se nuk përfshihet në nismën Ballkani i Hapur.

“Nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusnim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh kryeministri.

Nuk është hera e parë që Rama kritikon Kosovën dhe drejtuesit e saj për mospranimin e përfshirjes në këtë nismë, ku deri tani janë angazhuar vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Lidhur me deklaratat e tilla të Ramës ndaj Kurtit, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“E turpshme deklarata e Ramës ndaj Kurtit”

Analisti politik, Sulejman Mehazi, ka thënë se tani armiku më i madh i shqiptarëve po del Rama, i cili duke e përkrahur shtetin Serb, po e dëmton Kosovën.

Madje sipas Mehazit, Rama ndaj Kosovës po e bën atë që Vuçiq nuk po mund ta bëjë.

“Momentalisht Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi janë në hall të madh, e para agonisë nacionale nën udhëheqjen e Edi Ramës, themi kështu për shkak se pas Pashiqave, Çubrilloviqave, Rankoviqave e Millosheviqave armiku më i madh i popullit shqiptar po del Edi Rama, i cili dëmton rëndë Republikën e Kosovës duke përkrahur hapur e në mënyrë fanatike presidentin nacionalist të Serbisë Vuçiqin. Atë që nuk mund ta bëjë Vuçiqi kundër Kosovës, është duke e bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të shpifet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për do farë teorish konspirative nga elita politike serbe është e arsyeshme, por të shpifet nga Edi Rama dhe para kancelares gjermane Merkel jo që është e palogjikshme, por edhe e turpshme për vetë kancelaren gjermane e jo më për Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi”, tha ai.

Image
Sulejman Mehazi

 

Mehazi shtoi më tej se t’i thuhet konspiracionit Kurtit, është tradhti kombëtare e Ramës. Ndërsa, ai gjithashtu thekson se a është konspiracion që Rama t’ia kthejë shpinën Kosovës e duke e përkrahur Serbinë, apo Kurti i cili e mbron Kosovën nga Serbia.

“T'i thuhet "konspiracionist" kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili në mënyrë të sinqertë e dashurore mbron mëvetësinë e Kosovës nga konspiracionet serbe të Kosovës brenda kushtetutës së Serbisë nuk është gjë tjetër përveç tradhtisë kombëtare të Edi Ramës. Tradhtia e Edi Ramës është e hapur, shihet, duket, preket dhe s'ka brinjë të fshehura. S'ka konspiracion më të madh sesa Kosova të jetë brenda kushtetutës serbe e me Ballkanin e Hapur, përveç Veriun e Mitrovicës Serbia ta marrë edhe Glloboçicën. I "nderuar" kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, cili është konspiracionist?,a ju që ia keni kthyer shpinën Kosovës duke përkrahur Serbinë e Madhe me Ballkanin e Hapur, apo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që bindshëm e fuqishëm mbron kushtetutën e Republikës së Kosovës nga kushtetuta serbe e Kosovës brenda Serbisë”, shtoi Mehazi.

“Në “Open Ballkan”, nuk bëhet fjalë për integrime”

Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi, ka potencuar se “Open Ballkan” nuk ka të bëjë me lëvizje të lire të mallrave dhe për integrime të tjera, përderisa në krye të shtetit serb është Vuçiq, sepse sipas tij, nuk mund të bëhen integrime rajonale, me shtetin serb, ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë.

Mulliqi shtoi se nuk mund të ketë “Open Ballkan”, pasi që nuk po përkrahet nga shumë vende të BE-së.

“Nisma e Edi Ramës për integrime ballkanike, siç po quhet ndryshe “Open Ballkan”, nuk përkon në kohë dhe as në hapësirë. Nuk mund të bëhet fjalë për lëvizje të lirë të mallrave dhe integrime tjera, kur në krye të shtetit serb, gjendet një ultranacionalist i Sheshelit dhe Millosheviqit në pushtet, siç është Aleksandër Vuçiqi. Nuk mund të bëhen kurrfarë integrimesh rajonale me një shtet siç është Serbia, e cila nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale. Nuk mund të ketë integrime rajonale me një shtet i cili nuk e ka hequr nga preambula kushtetuese, ku Kosova figuron pjesë përbërëse e Serbisë, siç e tha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media pas takimit që pati me kancelaren Merkel. Nuk mund të ketë “Open Ballkan”, të cilin nuk po e përkrahin shumë vende të BE-së, nuk po e përkrahin as Bosnja dhe Mali i Zi, dhe dyshime në lidhje me këtë shprehi edhe kancelarja gjermane gjatë vizitës të saj në Shqipëri”, ka thënë Mulliqi.

Më tej, ai ka potencuar se kritikat e Ramës para Merkel, ndaj Kosovës nuk ishin gjest i mirë. Sipas Mehazit, Serbia me “Ballkanin e Hapur” ka pretendime territorial, por edhe karshi Shqipërisë që herëdo kur të ketë dalje në Portin e Durrësit.

Image
Skënder Mulliqi

 

“Edi Rama edhe para Merkel e imponoi “Open Ballkan”, por që nuk gjeti përkrahje para Integrimeve Evropiane për çka është kancelarja Merkel. Gjesti jo i mirë i Ramës para kancelares dhe para medieve duke kritikuar Kosovën, për mos bashkëngjitje të nismës për Ballkanin e Hapur, më shumë e diskualifikon atë vet, se sa Kosovën dhe Kurtin në anën tjetër. Kur dy udhëheqës të dy shteteve shqiptare nuk kanë marrëdhënie të mira, nuk kemi atëherë se çka presim nga shtetet sllave jo dashamirëse, e aq më pak nga një Serbi e pareformuar e Vuçiqit. Nuk duhet bërë shumë i mençur për ta kuptuar se Serbia në gjithë këtë mesele për Ballkanin e Hapur ka pretendime territoriale, edhe karshi Shqipërisë që herëdo kur të ketë dalje në Portin e Durrësit”, ka shtuar ai.

Tutje ka theksuar se do të ishte në rregull nëse kjo nismë e tyre, do të ishte bërë në rrethana të tjera, dhe jo tani kur ende janë plagët e freskëta të luftës.

Mulliqi shtoi se nisma për integrime do të jetë e dështuar.

“Krejt do të ishte në rregull sikur kjo nismë e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit të ishte bërë në rrethana tjera politike, dhe pa këta protagonistët në fjalë. Të bëhet në këtë kohë kur ende janë plagët e freksëkta të luftës dhe mijera viktimave të gjenocidit serb, kur kemi ende shumë të pagjetur të luftës, kur kemi afër 20 mijë gra të dhunuara nuk justifikohet. Serbia dhe Vuçiqi nuk po e pranojnë pavarësinë e Kosovës, nuk po kërkojnë falje për gjenocid. Të gjitha këto dhe shumë çka tjetër, janë tregues i mjëftueshëm se kjo nismë për integrime do të jetë e dështuar”, theksoi ai.

Mulliqi më tej ka thënë se lufta për solidarizim që po bëhet nga Rama, nuk i duhet shqiptarëve të cilët ende nuk kanë kryer punë me serbët.

Sipas Mulliqit, nga këto deklarime të Ramës, marrëdhëniet ndërshtetërore mund të zvetënohen.

“Prandaj, Edi Rama duhet pasur kujdes që mos të bënë kritika pa hanxhinë, se Kosova i ka udhëheqësit e vet të shtetit. Lufta për liderizëm siç më duket mua se po bëhet nga ai, nuk ju duhet shqiptarëve të cilët ende nuk kanë kryer punë me Serbinë neofashiste, kur dihet se po na pretë vazhdimi i bisedimeve jo të lehta me palën serbe, kur dihet se drejtuesit e mëparshëm të shtetit na lanë pataten e nxehtë te dera me nënshkrimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Nga takimi në Tiranë dhe nga këto deklarime jo të matura në vazhdimësi të Ramës, marrëdhëniet ndërshtetërore mund të zvetënohen, për çka nuk janë të interesuar shqiptarët në të dyja anët e kufirit dhe në trojet tjera etnike”, ka përfunduar Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat