Lufta Speciale e Serbisë me helikopterë luftarak/ Analisti thotë se nuk duhet të neglizhohen kërcënimet

Politika

Lufta Speciale e Serbisë me helikopterë luftarak/ Analisti thotë se nuk duhet të neglizhohen kërcënimet

Nga: A.SH Më: 27 shtator 2021 Në ora: 19:57
Nësia Speciale e Kosovës

Situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e tensionuar.

Madje, presidenti serb ka kërcënuar, duke thënë se nëse nuk ka reagim brenda 24 orëve nga NATO, atëherë ata do të ndërhyjnë në Kosovë.

Pikërisht sot në veri përveç Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, janë parë edhe ushtarë të KFOR-it.

Analisti politik Ruzhdi Peçani për “Bota sot” ka komentuar situatën duke thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me targa të automjeteve ndaj Serbisë, duke thënë se ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm.

Sipas tij, deklaratat e Vuçiq-it dhe të zyrtarëve të tjerë të Beogradit për urdhëresën për lëvizje dhe të pozicionimit të forcave ushtarake përgjatë vijës kufitare me Kosovën, nuk janë asgjë tjetër përveç demonstrim dhe kërcënim luftarak ndaj Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me targa të automjeteve ndaj Serbisë dhe dërgimi i Njësisë Speciale për t`i ndihmuar doganierët, ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm. Serbët lokal bllokuan rrugët me kamiona të rëndë edhe të mbushur me zhavor. Policët e Njësisë Speciale po i nënshtrohen presionit psikologjik prej provokimeve nga më të rëndat, nga qytetarët serbë, si kjo”duam luftë”. Përkundër kësaj policët tanë me dinjitet po tregojnë përgatitje dhe profesionalizëm të lartë”, u shpreh Peqani. Ai potencoi se gjendja është mjaft e rëndë dhe po shkon drejt përshkallëzimit. “Kjo u pa me fluturimin e helikpterëve dhe pastaj, ditën tjetër edhe avion luftarak të ushtrisë serbe. Dhe me këtë Kryeministri Albin Kurti ditën e shtunë mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës pas situatës së krijuar në veri të vendit. Serbia ka ngritur dhe intensifukuar shkallën e luftës speciale ndaj Kosovës, që kaherë ka filluar. Në anën tjetër, është mëse evidente se deklaratat e presidentit Vuçiq dhe të zyrtarëve të tjerë të Beogradit për urdhëresën për lëvizje dhe të pozicionimit të forcave ushtarake përgjatë vijës kufitare me Kosovën, nuk janë asgjë tjetër përveç demonstrim dhe kërcënim luftarak ndaj Kosovës. Kjo edhe mund të kuptohet edhe si luftë speciale po edhe agression”, ka thënë ai. Tutje sipas Peqanit, ngritja e avionëve dhe helikopterëve, nuk duhet neglizhuar dhe duhet kuptuar se ato janë vënë në gjendje të gatishmërisë luftarake. “Ngritja e fluturakeve ushtrake me demonstrimin e forcave dhe mjeteve luftarake tokësore serbe në veri të Kosovës, nuk duhet neglizhuar duhet kuptuar se ato janë vënë në gjendje të gatishmërisë luftarake. Kur thuhet agresion dhe shpallje lufte janë kuptime të ndryshme: si kuptim, duhet kuptuar sipas një definicioni se agresori nuk mund quhet vetëm kur shpallë luftën, por në bazë të faktit se cili ka filluar armiqësinë. Që në këtë rast është Serbia. Sipas Rezolutës së OKB nr. 3314 të vitit 1974 “Shteti që i pari fillon përdorimin e forcës ushtarake, në kundërshti me këtë Rezolutë të OKB, paraqet prima facie “në shikim të parë” argumentin e aktit të agresionit.” Ai tha se Serbia nuk do guxonte të bëjë agresion në territorin e Kosovës me një luftë konvencionale. “Për rrethanat krejtësisht tjera, ngase foracat e KFOR-it, të NATO-s po dhe prezencës amerikane në Kosovë. Por, mund të përcaktohen në një luftë speciale dhe hibride –jokonvencioanale. Serbia ka mësuar, se lufta është leksion me kosto të lartë – nga e cila shumë mëson, por paguan së tepërmi!” , shprehet Peçani.

Image
Ruzhdi Peçani

 

Nga ana tjetër ai tha se Serbia nuk e ka karakteristikë luftën e armatosur, por luftën psikologjike, me qëllim të uljes së moralit të popullatës, futjen e mosdurimit mes njerëzve, destabilizimit social dhe politik dhe futjen e mosbesimit ndaj udhëheqësve të shtetit etj.

“Për të kuptuar se çfarë është lufta speciale jokonvencioanle, do thotë një tërësi aktivitetesh, të organizuara dhe koordinuara, politike, ekonomike, psikologjike propagandistike si dhe aksioneve subversive ushtarake, për të imponuar hegjemonië, ndërhyrjen në mardhëniet politike, ekonomike për të arritur qëllimet e caktuara. Pra lufta speciale paraqet doktrinën politike të luftës. Pra Serbia do të përdorë këtë atribut të luftës speciale që karakteristikë nuk ka luftën e armatosur, por mjeteve tjera. Po cilat? Luftën psikologjike, me qëllim të uljes së moralit të popullatës, futjen e mosdurimit mes njerëzve, destabilizimit social dhe politik dhe futjen e mosbesimit ndaj udhëheqësve të shtetit etj. Për zbatimin e këtyre operacioneve shfrytëzohen të arriturat në psikologji dhe sociologji për të arritur qëllimet agrseive. Duke patur parsysh shoqërinë kosovare si një shoqëri mjaft e fragmentuar, po edhe të klasës politike me një prezencë mosdurimi që kanë – do jenë caku i parë. Do përdorin luftën jokonvencionale. Për këtë do mund të përdorin njësi speciale të përgatitura mirë”, shtoi Peqani.

Sipas tij, serbët në veri do vazhdojnë me një sabotim përmes rezistencës passive. Peçani më tej përmend edhe ndërkombëtarët për të cilët thotë se është absurd për ata të cilët po kërkojnë ulje tensionesh sikur nuk kanë parasysh se çfarë bënë serbët në veri, dhe Serbia për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

“Gjendjen paksa konfuze po e bëjnë edhe ndërkombëtarët. Pra, jo se ti tërheqin vërjejtjen Serbisë, por të dy palëve. E pakuptuar është kur i ngarkuari amerikan për Ballkanin, Eskobar, thotë se "nuk kishte pse të dërgoheshin forcat speciale të Kosovës në veri"! Një absurd ky sikur nuk kanë parasysh se çfarë bënë serbët, në veri, dhe Serbia për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Në Bruksel thonë vetëm që palët të përmbahen. Të gjithë kërkojnë të vazhdojë dialogu dhe Vuçiq kundërshton dialogun”, theksoi ai. Ai kritikon edhe opozitën për të cilën thotë që nuk po e mbështesin Kurtin. Sipas tij, edhe shtyrja e zgjedhjeve do të ishte zgjidhje në këtë situate të tensionuar. “Ishte nonsens se partitë opozitare, jo se të mbështesnin Kryeministrin dhe qeverinë – po e luftonin në parlament, medie dhe portale, sikur nuk e kishin brengë vendin që po rrezikohet por me mendje tek zgjedhjet, tek pushteti. Kjo ishte për turp, pse jo në këso rrethana edhe tradhëti mund të trajtohej. Këta duhet kuptuar se tani nuk ka kthim prapa të vendimit të qeverisë. Duhet patur paraysh se agresori do llogarisë në faktorin e befasisë, e njohur kjo për policinë dhe ushtarakët, andaj 17 tetori mund të jetë faktor i befasisë, ngase do arrinte efektin me të madh psikologjik. Po ky përshkallëzim vazhdon të rritet – pse jo edhe të shtyhen zgjedhjet në kohë të pacaktuar. Qytetari i Kosovës sot ka brengë vendin –jo se kush do jetë kryetari i komunës”, thotë Peçani.

Për fund analisti deklaron se, Parlamenti i Kosovës duhet të thërret një mbledhje të jashtëzakonshme me të vetmen pikë, për ngjarjen në veri të vendit dhe kërcënimit nga agresioni duke njoftuar edhe BE dhe gjitha shtetet anëtare veç e veç dhe Kongresin Amerikan. “Shpresojmë të e kenë kuptuar së fundi se reciprociteti qëndron i lidhur ngushtë me sovranitetin dhe integritetin e vendit. Mendoj se edhe Parlamenti i Kosovës duhet të thërret një mbledhje të jashtëzakonshme me të vetmen pikë, për ngjarjen në veri të vendit dhe kërcënimit nga agresioni duke njoftuar edhe BE dhe gjitha shtetet anëtare veç e veç dhe Kongresin Amerikan. Qeveria e Kosovës, duhet të bisedoj urgjentisht me sekretarin gjeneral të NATO-s, për të kërkuar vigjilencën dhe përkrahjen më të madhe të njësiteve të KFOR-it”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat