Të rrezikshme për Kosovën/Çfarë fshihet pas thirrjeve të Vuçiqit për serbët?

Politika

Të rrezikshme për Kosovën/Çfarë fshihet pas thirrjeve të Vuçiqit për serbët?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 tetor 2021 Në ora: 08:42
Foto ilustrim

Më 17 tetor do të mbahen zgjedhje lokale në Kosovë.

Edhe pse zgjedhjet mbahen në Kosovë, presidenti serb nga Serbia u është drejtuar me një mesazh serbëve të cilët jetojnë në Kosovë për zgjedhjet lokale.

“Të luftojnë për veten e tyre, për të drejtat e tyre dhe për shtetin e tyre. Të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh dhe të përfaqësohen në institucione kudo që është e nevojshme, të mund të reagojnë brenda institucioneve në forma të ndryshme, por gjithmonë në mënyrë efektive dhe në të mirë të njerëzve të tyre”, ka thënë Vuçiq.

Juristët mendojnë se kjo thirrje e tij vije nga një person i humbur dhe i mbushur me urrejtje të thellë nacionale, duke shtuar më tej që kjo që po bëhet nga ana e tij, është edhe në bojkotim të institucioneve të Kosovës.

Kelmendi: Thirrja e Vuçiqit, veprim i personit të humbur dhe të mbushur me urrejtje të thellë nacionale

Profesori dhe juristi, Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se thirrjet e Vuçiqit janë një veprim i personit të humbur dhe të mbushur me urrejtje të thellë nacionale.

Image
Muhamet Kelmendi

Madje, sipas tij, serbët i kanë të drejtat më të mëdha në botë.

Askush nuk mund të ndalë askënd në thirrje dhe deklarata. Kosova nuk ka kapacitet dhe as të drejtë të kërkojë një gjë të tillë. Por, edhe sikur të kishte, është e ndaluar çfarëdo forme e ndalimit të thirrjeve që kanë bazë demokratike. Vetëm kundër thirrjeve luftënxitëse, shoviniste dhe të karakterit luftarak reagohet. Në fakt as që futet kush në ndalesa të tilla. Ndalimi është formë sistemeve moniste. Në atë sistem nuk lejohet asnjë mendim i kundërt. Thirrja e Vuçiqit është një veprim i personit të humbur dhe të mbushur me urrejtje të thellë nacionale. Serbët i kanë të drejtat plus më të mëdha në botë. Shumë vende i kanë të rezervuara, pavarësisht se a dalin a jo në zgjedhje. Në fakt vendet e rezervuara mundësojnë një përfaqësim më të lartë se sa vetë numri i votueseve. Katër komunat e veriut, janë të rezervuara për minoritetin serb. Shih, planin e Ahtisarit”, është shprehur juristi.

Sipas tij, rasti i serbëve të Kosovës është një rast i veçantë në botë.

Në nivel vendor, ka minoriteti serb të drejtën e vetos në shumë fusha. Asnjë vendim nuk shkon në Kuvend ku janë interesat serbe pa votat e 2/3 te tyre. Ky është një rast i veçantë në botë”, ka thënë ai.

Në fund, juristi ka vlerësuar se Vuçiq me atë thirrje po tregon se Serbia e ka pushtetin mbi minoritetin serb në Kosovë dhe se çështja e tyre varet nga Beogradi.

Këtej del thirrja injorative e Vuçiqit me karakter tepër të rrezikshëm për vendin dhe raportet Kosovë-Serbi. Kështu po shkatërron çdo nismë. Ai po tregon me atë mënyrë se Serbia e ka pushtetin mbi minoritetin serb në Kosovë dhe se çështja e tyre varet nga Beogradi. Ndoshta këtej i ndihmoi marrëveshja e fundit për bllokadat serbe në Jarinjë dhe Bërnjak. Atje u larguan ato kur deshi Beogradi dhe në këtë mënyrë u barazuan kriminelët e bllokadës me organet legjitime të shtetit të Kosovës. Kjo e ka trimëruar shumë Beogradin. Prandaj, janë thirrjet e tilla të kriminelit Vuçiq për serbët në Kosovë”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Thirrja e Vuçiqit për të dalë në zgjedhje, është për të bojkotuar pushtetin lokal

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, thotë që atje duhet të bisedohet qartë ose të themelojnë institucionet lokale, kuptohet sipas ligjeve kosovare ose duhet të vendoset një administratë e përkohshme.

Image
Blerim Burjani

Kosova ka financuar zgjedhjet në veri dhe ka humbur herën e kaluar rreth gjysmë milion euro kot, asnjëherë serbët nuk i kanë themeluar kuvendet komunale, mendoj se atje duhet të bisedohet qartë ose të themelojnë institucionet lokale kuptohet sipas ligjeve kosovare ose duhet të vendoset një administratë e përkohshme”, ka theksuar juristi.

Sipas tij, thirrja e Vuçiqit për të dalë në zgjedhje është për të bojkotuar themelimin, që deri tash serbët lokal kanë mohuar pushtetin lokal.

Serbët lokalë asnjëherë nuk i themeluar që në mënyrë normale dhe funksionale të punojnë institucionet atje. Vuçiq po përzihet dhe është pjesë aktive në politikën e veriut të Kosovës i cili udhëheq dhe dirigjon serbët, kjo nuk është asgjë e re. Thirrja e Vuçiqit për të dalë në zgjedhje është për të bojkotuar themelimin, deri tash serbët lokal kanë mohuar pushtetin lokal, janë mbajtur zgjedhje kot nuk janë themeluar asnjëherë”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat