Aksioni kundër kontrabandës, kritika të ashpra ndaj PDK-së dhe AAK-së – ja pse e kundërshtojnë atë

Politika

Aksioni kundër kontrabandës, kritika të ashpra ndaj PDK-së dhe AAK-së – ja pse e kundërshtojnë atë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 tetor 2021 Në ora: 10:48
Pamje nga aksioni

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës kishte marrë një aksion kundër kontrabandës së mallrave në disa qytete të vendit duke përfshirë edhe Mitrovicën e veriut. 

Mirëpo, atje Policia e Kosovës u prit me kundërshtime madje edhe me sulme nga banorët serbë. 

Këtë aksion e kanë kundërshtuar edhe partitë opozitare, me të vetmin arsyetim se i gjithë aksioni është bërë për qëllime elektorale, duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë duan ta besojmë aksionin por ai ka kërkuar sqarime nga qeveria. 

“Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve. Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale”, kishte deklaruar ai. 

Kurse nga PDK, deputeti Ardian Kastrati ka thënë që Kurti me aksion ka bërë vetëm shou.

“Albin Kurti paska bërë shoë në Veri duke rreziku jetën e policëve tonë. Kjo me qëllim që përmes temave të ndjeshme si veriu t’i fitojë një grusht vota më 17 Tetor. Në fund, ky skenar në Veri do të prodhojë kompromis me implementu autonominë për serbët në veri”, ka shkruar ai në Facebook.

Por, si komentohen këto deklarata nga opozita, kundër aksionit kundër krimit dhe kontrabandës?

Qarri: Deklaratat e opozitës, të turpshme 

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e opozitës janë të turpshme, që po shihet shtet e atdhe kanë vetëm paranë e pistë. 

“Duke pasur parasysh faktin se aksioni i Policisë së shtetit, është zhvilluar pothuajse në gjithë vendin dhe të gjitha veprimet policore janë realizuar në koordinim të plotë me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, aksion i cili u mbështet edhe nga ambasada amerikane në vend, vërtet janë, jo vetëm për të ardhur keq, por edhe tepër të turpshme deklaratat e opozitës së degjeneruar totalisht, e cila po shihet hapur se shtet e atdhe, ka vetëm paranë e pistë që e fiton në kooketim me bandat kriminale serbe në veri të vendit tonë. Për aq më tepër, kjo opozitë e turpit e cila i bën opozitarizëm deri në kriminalitet, vetëm të vërtetës dhe realitetit, në vend se të solidarizohet me aksionin antikontrabandë dhe vihet në mbrojtje të policëve tanë që u sulmuan edhe me armë të gjata zjarri dhe granata e materiale tjera eksplozive, si në beteja të luftës, nga kriminelët e bandave të veriut dhe pjesëtarë të involvuar të BIA-së së Serbisë okupatore, në këtë pjesë të territorit tonë shtetëror, ata sulmojnë Qeverinë dhe vënë në dyshim aksionet e policëve që po rrezikojnë edhe jetën e tyre, për mbrojtjen e vendit nga kontrabanda dhe krimi i organizuar”, ka thënë ai. 

Sipas tij, opozita jo vetëm po bën deklarata të turpshme por edhe po i bon ison propagandës së kriminelit Aleksandër Vuçiq dhe Serbisë okupatore.  

Ai gjithashtu kritikon opozitën se po i mban udhëheqësit e bandave në veri si Zvonko Veselinovioq dhe Milan Radoiqiq. 

“Për aq më tepër, opozita e diskredituar totalisht, i ka humbur aq fort lidhjet me realitetin sa, jo vetëm që tregon sjellje adoleshente dhe bën deklarata të turpshme komprometuese por i mban ison drejtpërsëdrejti edhe propagandës së kriminelit Aleksandër Vuçiq dhe Serbisë okupatore, përderisa vet SHBA-të përmes përfaqësisë së saj në Kosovë, dalin publikisht në mbrojtjen e aksionit të policisë së shtetit tonë, për ndalimin e kontrabandës dhe rivendosjen e rendit e të ligjit edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës të dominuar nga bandat kriminale serbe. Madje përmes lidhjeve shumë të forta që politikanët e opozitës, shihet hapur se vazhdojnë ti mbajnë me udhëheqësit e bandave në veri si Zvonko Veselinovioq dhe Milan Radoiqiq, ata po dëshmojnë publikisht, se për përfitimet e veta financiare e biznesore, jo vetëm që vijojnë të kooketojnë me figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në veri, por për të mos i shkëputur lidhjet me ta, janë në gjendje ta mohojnë edhe shtetin e Kosovës në këtë pjesë të vendit tonë”, është shprehur analisti. 

Tutje, Qarri ka potencuar se gjithë këto kundër-reagime nga opozita kanë futur dyshime edhe te qytetarët se pjesa më e madhe e udhëheqësve kryesorë opozitarë, kanë hyrë në shërbim të plotë të Serbisë okupatore dhe Aleksandër Vuçiqit. 

“Ndaj, duke pasur parasysh se aksioni policor ishte i drejtuar kundër krimineleve të të gjitha etnive e kontrabandës, i koordinuar me prokuroritë dhe gjykatat përkatëse në të gjitha qytetet kryesore të vendit, aksion i cili siç deklaroi edhe vetë krimineli Vuçiq, u mbështet jo vetëm nga SHBA-të e Gjermania, por edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe të gjitha vendet e QUINT-it, sjelljet e pamatura dhe deklaratat e turpshme të opozitës së degjeneruar, pas aksionit te djeshëm të Policisë se Kosovës kundër kriminelëve dhe kontrabandës, kanë futur dyshime tepër të mëdha tek të gjithë qytetarët e Kosovës se pjesa më e madhe e udhëheqësve kryesor opozitar, kanë hy në shërbim të plotë të Serbisë okupatore dhe Aleksandër Vuçiqit, të cilët pas çdo aksioni të suksesshëm të policisë tonë shtetërore në veri të vendit, ndjehen shumë më keq dhe në siklet më të madh këta, se sa vetë Vuçiqi dhe Serbia. Kështu që, i vetmi dyshim që ekziston dhe vazhdon të mbetet e rritet çdo ditë e më tepër te qytetarët e Kosovës, janë lidhjet e forta të një numri jo të vogël të politikanëve opozitarë me bandat kriminale serbe në veri, të cilët jo vetëm që duket hapur se janë pajtuar me faljen e veriut, por pas shndërrimit të veriut, prej tyre, në oazë të kontrabandës dhe krimit të organizuar, nuk ngurrojnë ta shesin edhe mbarë Kosovën, për të ruajtur interesat e veta kriminale dhe përfitimet financiare, që kanë nga bashkëpunimi i hapur, me krerët e krimit të organizuar në veri, tash e mbi dy dekada me radhë, duke u hedhur pa fije turpi në mbrojtje të tyre dhe sulmuar Qeverinë, policinë dhe shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”. 

Mehazi: Deklaratat kundërshtuese të opozitës, si idetë e prapështa të serbëve të Vuçiqit 

Image
Sulejman Mehazi

Edhe profesori Sulejman Mehazi ka thënë se reagimet e opozitës janë të prapështa, duke i krahasuar ato me ide të serbëve dhe Vuçiqit. 

“Deklaratat e partive opozitare kundër aksioneve policore të Kosovës ndaj klaneve kontrabandiste mund të krahasohen me idetë e prapështa të serbëve të Vuçiqit. Atë që do Vuçiqi e serbët e Kosovës, atë e duan edhe partitë opozitare të Kosovës, serbët duan që Kosova të ushqehet sa më shumë me klane të rrezikshme kontrabandistësh, të njëjtën gjë Kosovës ia duan edhe partitë opozitare”, ka thënë profesori.  

Mehazi ka theksuar se për fat të keq janë ata të opozitës që gjatë luftës ishin me popullin e Kosovës e kundër policisë, paramilitarëve e ushtrisë serbe, kurse tani veprojnë të kundërtën. 

“Partitë opozitare na përkujtojnë aksionet policore kriminele serbe gjatë kohës së Millosheviqit në Kosovë kur gjithë qytetarët e Kosovës ishin kundër, përveç një numri të vogël të shqiptarëve kontrabandistësh që për interesat e tyre bashkëpunonin me Serbinë e Millosheviqit. Sot shqiptarët që janë kundër aksioneve policore të Kosovës e që përkrahin kontrabandistët e Serbisë e jo qytetarët shumicë të Qeverisë së Kosovës, për fat të keq janë ata të opozitës që gjatë luftës në Kosovë ishin me popullin e Kosovës e kundër policisë, paramilitarëve e ushtrisë serbe, kurse tani veprojnë të kundërtën, janë me Serbinë e kundër Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.  

Në fund, profesori thekson se kundërshtimi i partive opozitare e ka kuptimin e përkrahjes së bandave kriminale kontrabandiste. 

“Kundërshtimi i partive opozitare ndaj aksioneve policore të Kosovës e ka kuptimin e përkrahjes së bandave kriminale kontrabandiste dhe të Serbisë e janë kundër mëvetësisë e kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkrahin Serbinë për të dëmtuar Kosovën. Kundërshtimi i aksioneve të policisë së Kosovës qartëson se tutorët kryesor të klaneve kontrabandiste brenda Kosovës në vazhdimësi kanë qenë e janë partitë opozitare LDK, PDK e AAK”, përmbyll profesori Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”. 

Ndryshe, aksionin kundër krimit dhe kontrabandës e kanë përkrahur Ambasada amerikane dhe ajo britanike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat