Kërkesa për lirimin e ish-krerët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja, a mund ta ofrojë garancinë Policia e Kosovës?

Politika

Kërkesa për lirimin e ish-krerët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja, a mund ta ofrojë garancinë Policia e Kosovës?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 tetor 2021 Në ora: 09:19
Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë kërkuar Policisë së Kosovës që të sigurojë informacion lidhur me autorizimet dhe kapacitet e kësaj të fundit, për të siguruar mbrojtjen e mundshme në liri për tre ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po mbahen në paraburgim.

Policia e Kosovës duhet të jap një përgjigje për këtë në afatin brenda dy javësh.

“Gjyqtari i procedurës paraprake urdhëron policinë që të sigurojë informacionin lidhur me  autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për të kufizuar lirinë e lëvizjes e individëve që janë subjekt i lirimit me kusht, të monitoroje dhe kufizojë komunikimin e këtyre individëve,  të bëjë administrimin e arrestit shtëpiak dhe zbatimin e kushteve lidhur me lirimin e përkohshëm, dhe rastet e mëhershme të zbatueshmërisë se kushteve lidhur me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit.

Në mbledhjen e Komisionit për Siguri, deputetja dhe anëtarja e këtij komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka pyetur drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti, rreth kësaj çështjeje.

Mirëpo, drejtori Mehmeti nuk ka dashur të përgjigjet në këtë pyetje, duke ia drejtuar përgjegjësinë Gjykatës Speciale.

“Besoj opinioni publik e di se na është bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës, ndërsa këtë pyetje drejtojeni te Dhomat e Specializuara”, tha Mehmeti.

Gazeta ka kërkuar edhe një deklarim nga Policia e Kosovës lidhur me këtë kërkesë, mirëpo të njëjtit nuk kanë komentuar këtë ҫështje.

Burjani: Kjo gjykatë duket se është në proces të lirmit të këtyre personave

Profesori dhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se kjo gjykatë duket se është në proces të lirimit të këtyre personave.

Mirëpo, po kërkon siguri që të njëjtit të mos ndikojnë te dëshmitarët dhe atëherë do t’i lirojë këta persona për t’u mbrojtur në liri.

Image
Blerim Burjani

“Gjykata duket se është në proces të lirimit, në liri të personave dhe kërkon garancion dhe siguri dhe gatishmëri për të siguruar që personat e tillë të mos ndikojnë në dëshmitarë dhe të mos ikin, pra mund të jenë këto arsye, nëse gjykata ka informacione se dëshmitarët janë të sigurt, atëherë mund t'i lirojë personat në mbrojtje në liri”, ka deklaruar Burjani.

Gruda: Policia e Kosovës mund të ofroj garancion për lirimin më kusht të të akuzuarve

Ndërkaq, juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Përparim Gruda, i pyetur se sa mund të ofrojë siguri Policia e Kosovës në këtë kërkesë të parashtruar nga Gjykata Speciale, thotë se mund ta ofrojë atë siguri dhe këtë e vërteton edhe vendimi i Panelit të Gjykatës së Apelit.

Image
Përparim Gruda

“Policia e Kosovës mund të ofrojë garancion për lirimin më kusht të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Se kjo është kështu e vërteton edhe vendimi i Panelit të Gjykatës së Apelit ditë më parë, kur vendosi lidhur me apelet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim. Në atë vendim, ky panel konstatoi se gjykatësi i procedurës paraprake kishte bërë shkelje kur nuk e kishte marrë në vlerësim garancionin e Policisë së Kosovës me rastin e marrjes së vendimit për vazhdim të paraburgimit për të akuzuarit”, vlerëson Gruda.

Ai thotë tutje se përgjegjësia që merr Policia e Kosovës në rast se të akuzuarit lirohen nga paraburgimi është edhe përgjegjësi e shtetit të Kosovës, pasi komanda civile e Policisë vjen nga Qeveria.

“Ky fakt e bën edhe më të sigurt garancionin që jepet në këtë rast. Prandaj, sipas mendimit tim, Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitete për të ofruar një garancion të tillë. Përveç kësaj, Dhomat e Specializuara, kanë shume mjete të tjera në dispozicion për të siguruar mbrojtjen në liri të të akuzuarve. Në këto kushte, mbajtja e mëtejme e tyre në paraburgim do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut për të gjithë të akuzuarit”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse policia mund të jetë e ‘kapur’ në këtë rast nga personat e akuzuar, ai thotë se kjo nuk qëndron.

“Kjo sepse ata ka një vit që janë paraburgim, Dhomat e Specializuara kanë pafund mjete në dispozicion përveç Policisë së Kosovës për të garantuar mbrojtjen në liri të të akuzuarve. Nëse nuk janë të afta ta bëjnë këtë, atëherë vihet në dyshim e gjithë puna e tyre. Në fund, dua të them se ajo që po ndodh në Hagë nuk është thjeshtë dhe vetëm një betejë ligjore e disa individëve. Ajo është thellësisht një betejë e Kosovës, e luftës së saj të drejtë dhe e asaj kush do të jetë Kosova në të ardhmen. Në këtë kuptim, shteti i Kosovës duhet të bëjë gjithçka që të ndihmojë të akuzuarit. Sepse, në fund të fundit, nëse ky shtet nuk e mbron luftën e UÇK-së, luftë që e ka krijuar vetë shtetin, atëherë me të drejtë do të shtrohej pyetja për çfarë qëndron ky shtet?! Dhe për çfarë qëndrojmë të gjithë ne?”, ka deklaruar Gruda për gazetën ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat