“LDK para një sprove të madhe”, ky është paralajmërimi për Lumir Abdixhikun

Politika

“LDK para një sprove të madhe”, ky është paralajmërimi për Lumir Abdixhikun

Nga: P.R Më: 20 tetor 2021 Në ora: 20:51
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Nga rezultatet që janë publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më tani, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar pa balotazh në dy komuna të Kosovës, në Pejë dhe në Lipjan, komuna të cilat ka qenë duke iudhëhequr edhe në mandatin e kaluar.

Në balotazh, LDK-ja do të jetë në Prishtinë. Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama do të përballet me kandidatin e LVV-së, ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Poashtu, LDK-ja dhe LVV-ja janë në balotazh në Podujevë, Gjilan, Viti, Fushë Kosovë, derisa në Istog me AAK-në dhe në Dragash me PDK-në.

E këto zgjedhje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku po i cilëson si rikthim i madh i LDK-së pas humbjes së rëndë që kjo parti pësoi në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.

“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë - dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë. Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

E lidhur me rezultatin e LDK-së më 17 tetor, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

“Deri sa LDK-ja pati rritje në zgjedhjet lokale, por nëse bazohemi në zgjedhjet e fundit qendrore ato nuk mund të jenë matës për zgjedhjet lokale, pasi që në zgjedhjet parlamentare populli deshi ndryshimin, si dhe u mashtua me premtime populiste dhe demagogjike, sidomos nga lideri i VV-së dhe Lista “Guxo“. Gjersa në këto zgjedhje u votua për kandidatin e komunës, e që këtu matet elektorati i LDK-së nëpër komuna, po ashtu rezultatet dolën krejtësisht ndryshe nga ato parlamentare. LDK-ja pati pak ndryshime në kandidatë që i kishte në zgjedhjet e kaluara, mirëpo shumica ishin shumë të mirë, të afërm me qytetarët dhe shumë modest, për dallim nga ajo klasa që ishte më parë që nuk i interesonte kërkesa e qytetarit. Tani edhe qytetari është vetëdisuar dhe nuk voton shabllon, sepse edhe ai sot po e kërkon rregullimin e mirëqenien e tij”, thotë Latifi për “Bota sot”.

Sipas tij, ndryshimet e brendshme në LDK, tregojnë se kjo parti po rikthehet me kujdes dhe fuqishëm në vendin meritor që duhet ta ketë si parti shtet-formuese me një traditë 32 vjeçare.

“Tani LDK është para një sprove të madhe të shkuarjës në balotazh dhe nëse LDK do t’i fitonte zgjedhjet në komunat që garon, pa kurfarë dyshimi z. Abdixhiku do ta stabilizonte veten për një kohë të gjatë si lider i LDK-së, dhe për më shumë, qysh në fund të këtij viti, kur LDK shënon 32 vjetorin e krijimit të vet, ai me të drejtë do të pohonte që LDK është në rrugë të mirë të mëkëmbjes si parti në skenën politike kosovare. Në të kundërtën, humbja në balotazh e këtyre komunave do të ishte një tjetër disfatë e hidhur e LDK-së, teksa vet pozita e tij si Kryetar i LDK-së e z. Abdixhikut, do të pësonte një devalvim evident politik”, deklaron Latifi.

Ai e cilëson Vetëvendosjen si humbësen më të madhe të këtyre zgjedhjeve.

“Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve komunale humbësi më i madh i tyre po del të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Bazuar nga faki se, vetëm tetë-nëntë muaj më parë në zgjedhjet nacionale pat dalur si forcë e parë politike me mbi pesëdhjetë përqind të votave. Andaj, kjo humbje kaq e madhe e Lëvizjen Vetëvendosje e ka rrëzuar për toke, nga ku mund të ndodhë që për shumë kohë të mos ngritet aty ku ishte muaj më parë”, shprehet Haki Latifi.

Për fund, ai thotë se fitoi Kosova nga zgjedhjet e 17 tetorit, zgjedhje këto që u zhvilluan pa asnjë incident.

“Mendoj se të dielen e kaluar, më 17 tetor, Kosova zhvilloi zgjedhjet lokale, në të cilën këto zgjedhje, duke marrë për bazë; fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtet i demokracisë së re të Republikës së Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj. Me këtë rast fitoi Kosova, fitoi qytetari i Kosovës, fituam të gjithë, sepse kjo ka qenë kryesorja që këto zgjedhje komunale, të 17 Tetorit të 2021, të cilësohen apo të vlerësohen si më të mirat deri më tani”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat