Brilante/Përkrahje ndaj presidentes Osmani pas fjalimit në KS të OKB-së, ja çfarë i bëri të ditur Serbisë

Politika

Brilante/Përkrahje ndaj presidentes Osmani pas fjalimit në KS të OKB-së, ja çfarë i bëri të ditur Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 tetor 2021 Në ora: 08:19
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë ishte pjesëmarrëse në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Ajo ka folur për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë dhe ka akuzuar udhëheqjen në Serbi se po vazhdon me qëllimet e njëjta me ato që kishte pasur krimineli Sllobodan Millosheviq.

“Kancerin e kemi në zemër të Evropës që të krijojë botën serbe që ndihmohet nga aleati i tyre Rusia. Pavarësia e Kosovës është permanente dhe e pakthyeshme dhe sa më shpejt që të gjithë vijnë te termet e këtij realiteti më e mirë do të jetë për paqe dhe stabilitet për të gjithë rajonin. Republika e Kosovës ka të drejtë të ekzistojë dhe nuk mund të mohohet, ndalohet dhe më e rëndësishmja nuk mund të injorohet. Shumica e botës e ka njohur Republikën tonë të re dhe koha ka ardhur që edhe ju, të tjerët ta bëjnë”, kishte thënë ajo.

Ajo madje ka kërkuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, që të gjunjëzohet para monumenteve të viktimave të luftës në Kosovë dhe të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia.

Për këtë fjalim dhe paraqitje, presidentja Osmani mori lëvdata të shumta, për një përfaqësim dinjitoz të Kosovës në KS të OKB-së.

Mulliqi: Kryeministria dhe presidenca, mirë i kanë filluar punët sidomos në planin e jashtëm

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, ka thënë se fajtorë janë krerët që ishin para Vjosa Osmanit, e të cilët nuk arritën ta padisin Serbinë e cila bërë krime kundër njerëzimit në Kosovë edhe pse kishte materiale me bollëk për padi.

Image
Skender Mulliqi

“Kur është formuar TPI-ja për krime të luftës në ish-Jugosllavi, Bosnja dhe Kroacia kishin deponuar material pranë kësaj gjykate, duke e paditur Serbinë për gjenocid. Madje edhe Serbia kishte bërë kundër padi ndaj Kroacisë. Vetëm Kosova nuk bëri padi ndaj Serbisë për gjenocid edhe pse ka material me bollëk nga KMLDNJ dhe nga burime të tjera që të ngriste padi. Këtë gjë pushtetet e pasluftës nuk e bënë sikur të kishin “harruar” gjithë ato masakra që i kryen Millosheviqi me paramilitarë në çdo cep të Kosovës. Dhe, ky ishte dështimi më i madh i politikave dhe veçmas të diplomacisë tonë të jashtme. Mos të ngritet padi ndaj një shteti që vrau në masë të gjerë dhe bëri spastrim etnik si elementet qenësore të gjenocidit është lëshim që nuk falet. Dihet se paditë që i kishin bërë Bosnja dhe Kroacia ishin refuzuar nga GJNDJ-ja në Hagë, por ato e kanë rëndësinë e madhe historike. Kosova bëri lëshime të mëdha karshi Serbisë në këtë plan madhor, dhe në bisedimet maratonike që i patëm me këtë shtet lidhur me normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella siç po thuhet. Bisedimet morën kah jo pozitiv për Kosovën kur dihet se Serbia përfitoi duke iu ofruar BE-së, kurse Kosova mbeti po thuaj duarthatë. Mbeti pa u inkuadruar në shumë organizma të strukturës së BE-së, mbeti pa lëvizje të lirë në shtetet Shengen. Nuk u lobua për njohje të reja, madje patëm çnjohje të pavarësisë nga disa shtete, me lobimin e Serbisë. E gjitha këto na ndodhën më shumë për fajin e drejtuesve të papërgjegjshëm të shtetit që i patëm. I përmenda të gjitha këto për të dalë të fjalimi i presidentes Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtyre ditëve”, ka thënë ai.

Sa i përket fjalimit të presidentes Osmani, ai ka thënë që ka qenë një fjalim që nuk e kemi dëgjuar deri tash duke shtuar se nuk është vonë për ta paditur Serbinë për gjenocid.

“Ishte fjalim që nuk e kemi dëgjuar deri më tash nga ana e Kosovës, se paraardhësit e Vjosës, ishin të zënë me punë të tyre përfituese personale të shprehem kështu në këtë rast. Nuk ngrehën padi për gjenocid siç e kërkojë tërthorazi këtë gjë edhe zonja Vjosa Osmani, në fjalimin e saj të mirë në selinë e OKB-së. Edhe pse kanë kaluar tashmë shumë vite nga lufta dhe nuk u ngre padi në kohën e duhur, megjithatë mendoj se nuk është bërë vonë që organet më të larta të shtetit të Kosovës, të bëjnë edhe tash një padi të tillë”, deklaron ai.

Në fund shton që Serbia duhet të kërkojë falje për gjitha krimet që i ka bërë ndaj Kosovës, duke kritikuar këtu edhe Bashkësinë ndërkombëtare e cila i ka bërë presion shumë më shumë Kosovës sesa Serbisë agresore.

“Serbia duhet të detyrohet që të kërkon falje për gjithë ato viktima të pafajshme të luftës, ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe të angazhohet për 1600 të pagjeturit shqiptar, siç e tha edhe presidentja, Osmani. Ajo kërkojë nga ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq që të gjunjëzohet para viktimave të luftës në Kosovë. Kosova meqenëse është duke i vazhduar bisedimet me palën serbe në kohë të prodhimit të krizave dhe kërcënimeve për luftë, nga ana e Vuqiqit, ajo duhet të kërkojë, të hiqet nga preambula kushtetuese serbe, Kosova si pjesë e Serbisë. Unë vërtetë kur jemi këtu nuk po e kuptoj as presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, pa e bërë Serbia këtë punë. Presioni për gjithçka ishte dashur t’i bëhet Serbisë si agresor, e jo t’i bëhet presion viktimës siç është Kosova. Organet e reja të shtetit si kryeministria dhe presidenca, mirë i kanë filluar punët sidomos në planin e jashtëm, ku nuk po i lëshohet pe politikës agresive serbe ndaj Kosovës dhe planeve të saj për ndarje, përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Andaj, kur jemi te përfaqësimi i Vjosës dhe Kurtit, në planin e jashtëm, ato po janë të mira dhe po bëhen në koordinim më Amerikën dhe BE-në, e kjo e fundit ishte dashur që t’i ketë përfaqësuesit më të denjë si ndërmjetësues në bisedimet me Kosovën, se sa Lajçak e Borrell, të cilët nuk besoj se po flasin krejt në emër të BE-së”, ka deklaruar Mulliqi për “Bota sot”.

Mehazi: Presidentja Osmani u bëri me dije se Kosova nuk do nëpërkëmbet si do Serbia dhe një pjesë e shteteve të OKB-së

Kurse, profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për "Bota sot", ka thënë që fjalimi i presidentes Vjosa Osmani ishte tronditës duke ia numëruar një nga një krimet Serbisë, për vetë faktin që menjëherë presidenti serb reagoi.

Image
Sulejman Mehazi

"Se sa tronditëse për Serbinë ka qenë diskutimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në Këshillin e Sigurimit të OKB kundrejt ministrit të jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviqit, ku Osmani në mes diplomacisë botërore ministrit serb, Selakoviq, guximshëm ia numëroi një nga një argumentet e vrasjeve e gjenocidet e bëra serbe ndaj qytetarëve të Kosovës, se sa prekëse e poshtëruese ka qenë tregon vetë reagimi i menjëhershëm i Vuçiqit ndaj Vjosa Osmanit që tha, se, nuk mund të kemi dialog me Kosovën e cila kërkon falje për gjenocidet serbe dhe njohjen e saj", ka thënë ai.

Sipas tij, presidentja Vjosa Osmani bëri që Kosova të prezantohej fuqishëm para KS të OKB-së. Tutje shton që diskutimi i saj ishte brilant, ishte dykahëshe sa ishte politike, aq më shumë akuzuese ndaj Serbisë.

"Kurrë Kosova nuk është prezantuar kaq fuqishëm para KS të OKB-së sikurse me presidenten Vjosa Osmanin që na bëri të krenohemi para ekranit politik botëror të OKB duke e vënë ministrin Selakoviqin e Serbisë para bankës së të akuzuarve në OKB. Diskutimi brilant i presidentes Vjosa Osmanit ishte dy kahëshe, sa ishte politike, aq më shumë akuzuese ndaj Serbisë, aq sa Këshilli i Sigurimit të OKB-së dukej si Gjykatë Ndërkombëtare e Hagës, ku rolin e gjykatësit e luante presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kurse rolin e të akuzuarit e luante ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq. Jo vetëm ne, po gjithë qytetarët shqiptarë anë e kënd botës janë të rehatshëm me diskutimet e treshes: Vjosa Osmanin, Albin Kurtin e Donika Gërvallën sa që e dimë që më parë se nuk do na turpërojnë para botës, përkundrazi do na nxjerrin faqe bardhë me fjalimet inteligjente politike nëpër botë", deklaron profesori.

Sipas tij, Osmani ua bëri me dije serbëve dhe OKB-së, të kenë kujdes me Kosovën.

"Presidentja Osmani ua bëri me dije jo vetëm serbëve, por e OKB-se që të kenë kujdes ndaj Kosovës, se Republika e Kosovës nuk do nëpërkëmbet si do Serbia dhe një pjesë e shteteve të OKB-së", përfundon profesori Sulejman Mehazi për "Bota sot".

Gruda: Osmani bëri mirë që në mbledhjen e KS të OKB përmendi krimet serbe në Kosovë

Në anën tjetër, analisti Përparim Gruda në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Osmani në atë mbledhje bëri mirë që i përmendi krimet e Serbisë që i ka bërë në Kosovë.

“Presidentja Vjosa Osmani bëri mirë që në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit përmendi krimet serbe në Kosovë. Por, duhet thënë, se kjo nuk është hera e parë që një lider ose përfaqësues i Kosovës i numëron Serbisë krimet e saj në Kosovë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë ai.

Image
Përparim Gruda

 

Mirëpo për fjalimin e saj ai ka gjetur edhe disa vërejtje.

“Sipas vlerësimit tim, në paraqitjen e saj, Presidentja Osmani bërë disa gabime. Ngatërrimi që i bëri vrasjes se ish-kryeministrit Gjingjiq me presidentin Tadiç ishte një gabim që nuk lejohet të behët në një forum aq të lartë të diskutimit diplomatik siç është Këshilli i Sigurimit. Ajo nuk ju përgjigj në mënyrë të duhur akuzave të përfaqësuesit serb që i cilësoi kriminel lufte ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Veseli. E kishte për borxh si presidente e Kosovës t’i mbronte ata dhe të thoshte të vërtetën e thjeshtë, se ata janë duke u gjykuar në një gjykatë që vet e kanë themeluar pasi kanë besuar në luftën e tyre të pastër dhe të drejtë dhe se Serbia është bombarduar nga forcat ushtarake të shumicës së vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, duke mbështetur kështu luftën e UÇK-së të drejtuar nga Thaçi dhe Veseli. Gjëja themelore këtu është se Presidentja nuk mund t’i trajtojë Thaçin dhe Veselin si kundërshtarë politik edhe në forumet ndërkombëtare, aq me pak në kushtet kur ata janë duke u përballur me një gjykim që të gjithë ne e dimë që është i padrejtë”, përfundon analisti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat