Deklarata e përbashkët SHBA-BE, publicisti zbërthen mesazhet: Nuk guxon të bëhet kjo gjë!

Politika

Deklarata e përbashkët SHBA-BE, publicisti zbërthen mesazhet: Nuk guxon të bëhet kjo gjë!

Nga: G.B Më: 21 tetor 2021 Në ora: 13:16
Flamuj të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dalë dje me një deklaratë të përbashkët për Kosovën.

Përmes kësaj deklarate, SHBA dhe BE kanë mbështetur veprimet e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe inkurajojnë palët që të angazhohen për zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi.

“Ne nënvizojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është mekanizmi kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një shtensionim të qëndrueshëm dhe të evitojnë veprimet, të cilat kërcënojnë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Përmes kësaj deklarata është dënuar dhuna nga civilëve, gazetarëve e policëve në aksionin në veri të Mitrovicës.

“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Kjo deklaratë nga SHBA dhe BE vjen disa ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka konsideruar të njëanshëm aksionin e Policisë së Kosovës për luftim të kontrabandës në disa qytete të Kosovës, përfshirë veriun.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti Fadil Lepaja.

Ai ka thënë se SHBA dhe BE kanë dërguar mesazh të qartë për ngjarjet në veri, mesazh që duhet të lexohet me kujdes nga politika serbe.

Image
Publicisti Fadil Lepaja.

“Me këtë, pas deklaratës konfuze të zotit Borell, SHBA dhe BE, kanë dërguar mesazh të qartë lidhur me ngjarjet në veri, se pavarësisht motiveve pas të cilave fshihet kushdo, krimi i organizuar dhe dhuna jolegjitime nuk do të përkrahet. Ky mesazh duhet të lexohet me kujdes sidomos nga politika serbe, e cila ka treguar një tendencë që të keqpërdorë mjete dhe struktura të jashtëligjshme për të bërë presion mbi institucionet e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, edhe më i rëndësishëm është fakti se SHBA dhe BE kanë bërë të qartë se Kosova dhe Serbia duhet të jenë konstruktive dhe të mos bëjnë koalicionin me krimin.

“Ajo që është edhe më e rëndësishme, është fakti se SHBA dhe BE e kanë bërë të qartë, se në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që palët të jenë konstruktive dhe se nuk guxohet të bëhet koalicion me krimin, për të arritur qëllime politike e as të pengohen institucionet e shtetit (në këtë rast ë Kosovës) në luftën e ligjshme kundër krimit”, ka vlerësuar publicisti.

Ai ka shtuar se dhuna siç dënohet mbi civilë, dënohet edhe mbi organet e rendit dhe ligjit.

“Ashtu si dënohet dhuna mbi civilë, ashtu dënohet edhe dhuna e organizuar mbi organet e rendit dhe ligjit, sado që ajo të kamuflohet si shqetësim qytetar apo angazhim për të drejta të komuniteteve”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat