Gara e ashpër për Podujevën/Ky është parashikimi i analistëve për fituesin me 14 nëntor

Politika

Gara e ashpër për Podujevën/Ky është parashikimi i analistëve për fituesin me 14 nëntor

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 tetor 2021 Në ora: 08:31
Ekrem Hyseni dhe Shpejtim Bulliqi

Zgjedhjet lokale u mbajtën të dielën e 17 tetorit.

Në bazë të rezultateve të KQZ-së, shumë komuna shkuan në balotazh.

Në raundin e dytë që do të mbahet me 14 nëntor, do të votohet në 21 komuna.

Mes këtyre komunave është edhe Podujeva, me kandidatët Shpejtim Bulliqin nga VV dhe Ekrem Hysenin nga LDK, e që ky i fundit edhe prin me disa vota më shumë se VV në atë komunë.

Por kush do të jetë kryetar i Podujevës?

Për gazetën “Bota sot” analistët kanë dhënë mendimet e tyre.

Peçani: Gjasat që me pazaret – balotazhin më 14 nëntor ta fitojë Ekrem Hyseni i LDK-së

Në lidhje me këtë, analisti Ruzhdi Peçani, në një përgjigje për "Bota sot", ka thënë se në zgjedhjet lokale Kosova dëshmoi se është një demokraci e vërtetë.

Madje sipas tij, kjo u tha edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila deklaroi se Kosova është shembull për rajonin në organizimin e zgjedhjeve.

Image
Ruzhdi Peçani

"Zgjedhjet lokale dëshmuan se Kosova është një demokraci e vërtetë, me një debat të vërtetë mes kandidatëve. Ky është vlerësimi i vëzhguesve të BE për zgjedhjet e së dielës në Kosovë. Por pati edhe pak gra kandidate për kryetare komunash. Vëzhguesit e BE: Kosova shembull për rajonin në organizimin e zgjedhjeve. Për zgjedhjet lokale, të 17 tetorit, erdhën edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, që kryesonte eurodeputetët vëzhgues. Kështu ajo përgëzoi gjithë qytetarët e Kosovës nga të gjitha etnitë për ushtrimin e qetë dhe paqësor të së drejtës së tyre për të zgjedhur përfaqësuesit lokalë. Misioni i BE – Lukas Mandl, përmend edhe problemet e konstatuara gjatë votimeve. Edhe prezenca më e dobët e grave si kandidate kritikohet nga BE”, është shprehur ai.

Sa i përket garës për Podujevën, ai shton se Podujeva ishte bastion i LDK-së deri kur gara u bë në mes të Albin Kurtit dhe Agim Veliut, për të cilin Kurti vitin e kaluar kishte deklaruar se këto nuk janë vetëm zgjedhje por referendum zgjedhje, e nga kjo fitues kishte dalë Shpejtim Bulliqi.

"Që nga rezultatet e para të KQZ-së, në komunën e Podujevës kishim një rezultat të ngushtë mes kandidatit të LVV-së dhe atij të LDK-së. Edhe rezultatet e Exit Poll-eve të ndryshme kishin dërguar në balotazh Ekrem Hysenin e LDK-së dhe Shpejtim Bulliqin e LVV. Nga rezultatet e 11 vendvotimeve të numëruara, kandidati i LVV-së Shpejtim Bulliqi printe me 44,17%, i ndjekur ngushtë nga Ekrem Hyesni i LDK-së, i cili ka 43,92%. Kur  ishin numëruar mbi 99 për qind e votave në Podujevë, Shpejtim Bulliqi ka grumbulluar 44 për qind të votave, apo 16. 338 vota, ndërsa pak më shumë vota se ai ka kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni i cili deri më tani ka fituar 44.30 për qind apo 16.451 vota. Po të vështrojmë zgjedhjet për të parin e komunës në Podujevë në 2020, LVV ishte e angazhuar me gjithë potencialin ta fitonte Podujevën, për dallim nga këto më 17 tetor 2021. Pra Shpejtim Bulliqit iu kishte bërë një mbështetje e fuqishme – me çdo kusht kërkohej që të thyhej bastioni i LDK. Këtë kishte deklaruar Albin Kurti. “Kjo nuk është zgjedhje, nuk është vetëm zgjedhje, por është referendum. Edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë referendum, sepse do të ketë më shumë zgjedhje”, tha Kurti në natën e fitores në Podujevë, gjatë një paraqitjeje me fituesin, deputetin Shpejtim Bulliqi. Ky kishte qenë një mesazh serioz nga ana e votuesve dhe LDK-ja duhet ta kuptojë këtë me seriozitetin më të madh, nëse dëshiron që në zgjedhjet e ardhshme, ta përmirësojë performancën", ka shpjeguar ai.

Andaj sipas tij, humbja e Podujevës kishte qenë një debakël politik që e kishte udhëhequr me vite Agim Veliu, si kryetar dege po dhe nënkryetar i LDK.

"Humbja e Podujevës kishte qenë një debakël politik, me humbjen e Podujevës si bastion, që e kishte udhëhequr me vite Agim Veliu, si kryetar dege po dhe nënkryetar i LDK, kjo e kishte bërë humbjen edhe më të rëndë. Këto ishin rezultatet në 2020: Me 51.64% të votave, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje kishte a fituar në zgjedhjet  komunale. Kandidati i LDK-së Nexhmi Rudari  35.97 ℅, ndërsa Naim Fetahu i PDK-së 12.40 ℅. Sipas rezultateve në Podujevë kishte fituar kandidati i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi me 18 mijë e 286 vota. LDK duket se kishte kuptuar drejtë mesazhin dhe në këto zgjedhje iu fut garës me një mobilizim me përzgjedhjen e kandidatit për kryetar, e mobilizuar me përkushtim ta rikthejë bastionin e saj", ka vlerësuar analisti.

Në fund, Peçani ka thënë se balotazhi në Podujevë do të bëhet mes partive tjera LDK, PDK, AAK, e ku fatkeqësisht VV nuk e shohin si oponent politik.

Po ashtu, një fitore e LDK-së do ta justifikonte largimin e Agim Veliut nga kreu dhe dega e LDK-së.

"Për LDK-në, fitorja në Podujevë është me peshë sa edhe Prishtina. Dhe si do të mund ta fitojë Podujevën? Patjetër se duke bërë pazare me PDK  dhe AAK po dhe të tjerët. Do të bëhen bashkë këto parti ngase tradicionalisht nuk qëndrojnë larg, po dhe tjetra se si LDK, PDK dhe AAK e kanë armik të përbashkët Lëvizjen Vetëvendosje. Fatkeqësisht jo oponent politik! Shpejtim Bulliqi në këto zgjedhje pësoi rënie të numrit të votuesve për 1.948 vota më pak dhe kur LDK shënoi rritje për 3.824 vota. Me një fitore në Podujevë do të rikthehej fuqishëm bastioni, po dhe kreu i LDK-së edhe do ta justifikonte largimin e Agim Veliut nga kreu dhe dega e LDK-së dhe një fitore e mundshme këtë politikan do ta vë në adakta", përfundon analisti Ruzhdi Peçani për "Bota sot".

Duhanaj: Nuk besoj që VV dhe z. Bulliqi të fitojë në Podujevë

Kurse, analisti Leon Duhanaj, ka thënë se vitin e kaluar zgjedhjet erdhën nga rrjedha normale politike e që fitoi Shpejtim Bulliqi.

Ai thotë që fitorja e tij erdhi si pasojë e zhgënjimit të akumuluar me vite, si pasojnë e premtimeve të mëdha dhe arritjeve të vogla.

Image
Leon Duhanaj

"Për mendimin tim, ndryshimet politike të fillimvitit në  Podujevë por dhe mbarë Kosovën, nuk kanë qenë shumë të bazuara në rrjedha normale politike, sa kanë qenë ndryshime inerte të bazuara në eufori të paarsyeshme. Edhe zgjedhjet në Podujevë ndodhën pikërisht në kohën kur një masë e madhe e qytetarëve gjendej në një lloj transi, mes zhgënjimit dhe shpresës për ndryshime rrënjësore. Në njërën anë ishte zhgënjimi i akumuluar me vite, si pasojnë e premtimeve të mëdha dhe arritjeve të vogla. Në anën tjetër ishte manipulimi masiv i cili kishte ndodhur, duke u premtuar zgjidhje mbinatyrore pa bazë e pa logjikë. Politika, do të duhej ta kishte parasysh se arritja e pushtetit përmes angazhimit ekskluziv manipulativ, mund ta sjellë pushtetin, por do ta kesh të vështirë, për të mos thënë të pamundur ta mbash", shpjegon analisti.

Sipas tij, në Podujevë nuk do të jetë fitues Shpejtim Bulliqi, kjo pas zhgënjimit të madh edhe si Qeveri Kurti.

"VV i fitoi votat në baza manipulative dhe pastaj nuk qenë në gjendje ta realizojnë asnjë premtim. Nuk besoj që VV -dhe z. Bulliqi do të shpërblehen për tërë këtë, përkundrazi", përfundon analisti Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat