Veriu i Kosovës strehë e njerëzve të shërbimeve sekrete ruso-serbe/ Ekspertët e sigurisë tregojnë si kamuflohen ata

Politika

Veriu i Kosovës strehë e njerëzve të shërbimeve sekrete ruso-serbe/ Ekspertët e sigurisë tregojnë si kamuflohen ata

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 tetor 2021 Në ora: 08:18
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani

Ditë më parë me kërkesë të Presidentes Vjosa Osmanit, Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur non grata dy zyrtarë të Rusisë.

"MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij", thuhej në reagimin e presidentes.

Madje, në deklaratën e saj thuhet se, Kosova nuk do të hezitojnë të veprojnë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend.

"I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend".

Këtë vendim të shtetit të Kosovës e kanë mbështetur dhe mirëpritur njohësit e çështjeve të sigurisë dhe drejtësisë.

Po ashtu ata e shohin si shqetësues mundësinë e veprimit të shërbimeve të ndryshme sekrete të huaja në Kosovë.

Kelmendi: Republika e Kosovës po kërcënohet nga Rusia

Jursiti Muhamet Kelmendi, në një prononcim për "Bota sot" ka thënë se armiqtë më të mëdhenj të Kosovës janë Serbia dhe Rusia.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai përmendi edhe armatimin që vazhdimisht Rusia po ndihmon Serbinë.

Armiqtë e Republikës janë të mëdhenj, baza e armiqësisë është në Beograd dhe në Moskë. Serbia dhe Rusia po punojnë për dëmtimin e Kosovës. Rusia po e armatosë me armë moderne Serbinë, po kështu po kryen edhe punë spiunazhi në favor të ideve sllaviste. Kjo tregon se shteti rus po përdor të gjitha mjetet në dispozicion për të ndikuar dhe shtrirë influencën sllavomadhe në këtë rajon”, deklaroi Kelmendi.

Sipas tij, Rusia publikisht po përkrah shtetin serb kudo, si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht.

"Publikisht po përkrah shteti rus kudo Serbinë. Përkrahje po i jep Serbisë edhe financiarisht dhe kuptohet edhe në formë ushtarake, të ndihmave të ndryshme ekonomike dhe me kuadro ushtarake", thotë ai.

Për rastin e dëbimit nga Kosova të dy zyrtarëve rusë, Kelmendi mirëpriti këtë vendim pas cenimit të sigurisë së vendit.

Ai shprehet se Rusia po tenton të rikthejë pushtetin serb dhe rus në Kosovë.

"Dëbimi dy zyrtarëve rusë nga Kosova është pikërisht kjo që tregon se zyrtarët rusë e kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës. Ata punonin si zyrtarë në zyrën ruse të ndërlidhjes në Prishtinë. Kosova si shtet është në qendër të aktivitetit rus. Me këtë Moska po punon për të rikthyer pushtetin serb dhe rus në Republikë. Tërë mundin dhe qëllimin e kanë te dëmtimi i Republikës së Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

Ai tha se organet e Kosovës kërkohet të jenë syhapur dhe të punojnë pandërprerë në ruajtjen e Republikës.

"Armiqtë janë të mëdhenj dhe të fortë, por kur ballafaqohen me forcën liridashëse, ata humbin. Republika e Kosovës është shndërruar halë në sy për armiqtë serbo-rusë e të tjerë. Kjo tregon domosdoshmërinë e mbrojtjes. Jam i bindur në organet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë. Falë tyre po ruhet Republika", përfundon juristi Muhamet Kelmendi.

Halimi: Vendi ynë në rrezik nga Serbia dhe Rusia me njerëz të kamufluar nën petkun diplomatik

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), thotë që, vendi ynë është i rrezikuar nga persona të tillë, andaj kjo masë mbrojtëse është e arsyeshme.

Image
Armend Halimi

"Çdo shtet kur has në persona të tillë, masën më të arsyeshme mbrojtëse e ka largimin apo shpalljen non grata të tyre. Ndryshe vendi ynë në vazhdimësi është e rrezikuar nga persona të tillë, kryesisht të ardhur nga Serbia dhe Rusia të kamufluar nën petkun diplomatik, të gazetarëve apo OJQ-ve të ndryshme, e që fatkeqësisht veriu i vendit shërben si strehë më e sigurt e tyre", ka thënë ai.

Ai bën thirrje që institucionet e sigurisë dhe inteligjencës të jenë vigjilent dhe të vëzhgojnë qytetarët që hyjnë nga këto vende, sepse rreziku mund të jetë i madh.

"Andaj, institucionet e sigurisë dhe inteligjencës duhet të jenë vigjilent në vëzhgimin e qytetarëve që hyjnë nga këto dy vende, e që rreziku nga ta mund të jetë përveç si nxitje e revoltave të qytetarëve të asaj ane, por edhe ndonjë sulmi ndaj vet minoritetit serb, për të ia veshur përgjegjësinë Kosovës. Raste të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën, me theks të veçantë rastin panda në Pejë, ku shërbimet sekrete serbe ekzekutojnë disa të rinj serb në një kafiteri, për të iu dhënë pretekst persekutimit të shqiptarëve të asaj ane, gjoja se sulmi është bërë nga shqiptarët".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat