Qeveria nuk varet nga Lista Serbe/Analistët tregojnë skenarin e Vuçiqit për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës

Politika

Qeveria nuk varet nga Lista Serbe/Analistët tregojnë skenarin e Vuçiqit për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 28 tetor 2021 Në ora: 22:10
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka paralajmëruar se Lista Serbe mund të tërhiqet nga institucionet e Kosovës.

Drecun ka thënë se populli serb i është përgjigjur qartë të gjitha masave të njëanshme të Prishtinës me rezultatin e mirë të Listës Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Andaj, sipas tij, me këtë rezultat serbët kanë treguar se nuk kanë frikë nga veprimet e dhunshme të Prishtinës.

Drecun thotë se tani janë gati të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

“Besimi i lartë që i është dhënë Listës Serbe, pra edhe Beogradit zyrtar, ka treguar se serbët nuk kanë frikë nga asnjë veprim i dhunshëm i Prishtinës, se në të ardhmen do të përgjigjen vetëm ndaj veprimeve të tilla të reja të mundshme dhe kjo është një gjë e mirë. për Listën Serbe, ajo me këtë e konfirmoi fuqinë e saj politike dhe se mund t’i dalë me kërkesë Prishtinës që nëse Asociacioni i Komunave Serbe nuk formohet, së shpejti do të heqin dorë nga pjesëmarrja në institucionet e Kosovës”, tha Drecun.

Ndërsa, Profesori universitar Fadil Maloku, ka reaguar duke thënë se tani do të kërcënojnë për krijimin e Asociacionit.

“Serbia pa e njohur Kosovën po mundohet të arrijë marrëveshje”

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi janë bërë shumë gabime, duke filluar nga Grupi i Unitetit, pastaj pranimi i formimit të Asociacionit të komunave me shumë serbe, gjë që na lanë Thaçi dhe Mustafa.

Image
Skënder Mulliqi

“Tema e Asociacionit është bërë tashmë po thuajse temë e ditës. U bënë shumë gabime gjatë bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve siç po thuhet. Gabimet nisën qysh në start të bisedimeve nga Grupi i Unitetit, që duhet ta përmendim sepse u pranua decentralizimi i pushtetit lokal, dhe nga kjo pastaj na erdhi edhe deri të pranimi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, jashtë Asociacionit të komunave me shumicë të Kosovës, që është absurde për një shtet sovran. Është thënë tashmë shumë herë për opinionin e gjerë publik, se Asociacionin me disa kompetenca ekzekutive na lanë te dera, Thaçi dhe Mustafa, të cilët vunë nënshkrimet e tyre në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015. Edhe të dhënën se çdo marrëveshje e nënshkruar merr formën ndërkombëtare nuk kemi se si mos ta përmendim, kur dihet se ato vështirë pastaj edhe anulohen”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se nënshkrimet e kësaj forme janë ndarje etnike në të ardhmen, madje edhe presioni nga jashtë po rritet çdo ditë që të jetë temë Asociacioni në bisedimet me Serbinë.

Mulliqi theksoi se Serbia po përdor çdo metodë për ta bërë faktike Asociacionin.

Ai shtoi se edhe prania e ambasadorit të Rusisë në Serbi, na lë të kuptojmë se Rusia qëndroj pas gjithë këtyre planeve.

“Këto nënshkrime të kësaj forme në një të ardhme janë ndarje etnike, që është e papranueshme për Kosovën. Dihet se Asociacioni është kundërshtuar në 21 nene edhe nga Kushtetuta jonë, ku edhe duhet të mbahemi fortë në bisedimet e zorshme që na presin lidhur me këtë temë. Por, mos të harrojmë se presioni nga jashtë çdo ditë po rritet që tema e Asociacionit të vihet në tavolinë të bisedimeve me Serbinë. Sidomos të zëshëm po janë Lajçak dhe Borrell, të cilët po kërkojnë pikërisht implementimin e marrëveshjes së Brukselit. Kur jemi te Serbia, dihet se pala serbe është duke përdorur çdo metodë dhe formë, madje deri te kërcënimet me luftë, për ta bërë faktike Asociacionin me kompetenca ekzekutive. Vetë prania e ambasadorit të Rusisë në Serbi, në kufij me Kosovën, kur Vuçiqi kërcënojë me luftë, flet se Rusia qëndron pas këtyre planeve që edhe me luftë të bëhet faktike ndarja e veriu të Mitrovicës nga Jugu”, tha ai.

Më tej, Mulliqi potencoi se deklarata e Drecunit nuk është asgjë e re. Ai thotë se Kurti duhet të ketë një platformë të qartë politike si përfaqësuesi i këtyre bisedimeve.

Tutje tha se Kurti duhet të bashkëpunoj me Amerikën, dhe ta detyrojnë Serbinë që ta pranojnë Kosovën.

“Një lloj ndarje e patëm gati krejt pas luftës, sepse organet tona të shtetit kurrë nuk arritën që në plotëni të shtrijnë sovranitetin në çdo cep të Kosovës. Edhe deklarata e Millovan Drecunit një tjetri eksponenti të kohës së Millosheviqit, lidhur më Asociacionin nuk është asgjë e re, kur thotë se Serbia po pret që të bisedohet për formimin e “Zajednicës”. Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti si përfaqësues në këto bisedime duhet të këtë një platformë të qartë politike. Ai duhet të bashkëpunojë ngushtë me Amerikën, që ta detyrojnë palën serbe të pranon pavarësinë e Kosovës. Se mund të tërhiqet Lista Serbe nga institucionet e Kosovës ka thënë edhe Rakiqi, e këtë po e përsëritë edhe Drecun”, është shprehur ai.

Mulliqi theksoi tutje se kjo nuk duhet të pranohet nga Kosova, deklarata e tilla të Drecunit dhe Rakiqit po bëhen në koordinimin me Vuçiqin.

Sipas tij, tani me ardhjen e diplomatëve amerikanë dhe të Hillit, do të kemi një qasje më të re, dhe më të fuqishme.

“Ky lloj ultimatumi nuk duhet të pranohet në asnjë mënyre nga Kosova. Jemi mësuar tashmë me lojërat e Serbisë por edhe të Listës Serbe të dirigjuar nga Beogradi zyrtar. Zjarrit në veri me barrikada serbe dhe me luftë po i fryn edhe Rakiqi, i cili nuk e ka vendin në institucionet tona të shtetit. Deklarata e Drecunit dhe e Rakiqit po bëhen në koordinim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, duke kërcënuar për krijimin e “Zajednicës”. Është shumë e rëndësishme të përmendet se ende nuk është arritur një qëndrim i përbashkët i BE-së dhe Amerikës lidhur me Asociacionin. Me ardhjen e pesëshes diplomatike amerikane në rajon dhe të Kristofer Hillit për ambasador në Beograd do të kemi një qasje më të re, dhe shumë më të fuqishme ndaj Beogradit, që ta pranon pavarësinë e Kosovës”, shtoi ai.

Tutje deklaroi se Serbia pa e njohur Kosovën, po mendon që të arrijë marrëveshje përfundimtare, dhe pa asnjë kusht, madje Serbia përmes Drecun-it, po kërcënon se nuk do të ketë bisedimet pa temën e Asociacionit.

“Nuk do të lejohet ndikimi i Rusisë në rajon, e cila kohën e fundit së bashku me Serbinë krijuan krizë lufte, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi me ngjarjet në Cetinje, dhe në Bosnje, përmes Millorad Dodikut, i cili po kërkon që Republika Serpska të shkëputet nga BH-ja. Serbia e cila kurrë nuk ka kërkuar falje për gjenocid, nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, po mendon që të arrijë një marrëveshje përfundimtare siç po kërkon ajo, pa asnjë kusht të vetëm. Serbia përmes kryetarit të Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, po kërcënon se, nuk do të ketë fare bisedime pa temën e Asociacionit”, ka përfunduar Mulliqi për “Bota sot”.

“Qeveria e pavarur nga Lista Srpska”

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, ka potencuar se e gjithë kjo varet nga planet e Vuçiqit, por pasi që qeveria nuk e dëshiron formimin e asociacionit, atëherë Vuçiq do ta tërheq Listen Srpska nga Qeveria.

“Lista Srpska është mashë në duart e Vuciqit, varet krejtësisht nga plani që ka Vuçiqi në këtë drejtim. Duket se qeveria Kurti nuk dëshiron të formojë asociacionin, në anën tjetër Vuçiqi do ta përdorë kartën e tij për të tërhequr Listën Srspska nga qeveria, më tepër akt simbolik se sa do të ketë ndikim, meqenëse qeveria Kurti nuk varet nga votat e Listës Srpska. Është fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë qeveria e Kosovës nuk varet nga Lista Srpska, do të ishte shumë e dëmshme po të ndodhte një gjë e tillë”, tha Mehmeti.

Ai theksoi se pasi që Kurti nuk varet nga Lista Srpska edhe nëse kthehen pasi të tërhiqen, nuk do jetë pengesë për Qeverinë.

Mehmeti shtoi se përderisa çdo qeveri varet nga Lista Srpska, asnjëra nuk do të jetë me duart e lira.

“Në këtë kuptim, pavarësisht se Lista Srpska mund të tërhiqet për një afat të shkurtër e pastaj edhe të kthehet, kjo gjë nuk do t’i pengojë fare Kurtit dhe Kosovës. Mundësitë janë që para vitit të ri ky skenar të përdoret nga Vuçiqi, për të shfaqur para serbëve "forcën e tij mbi Kosovën” siç do e quante presidenti serb. Kam thënë dhe e përsëris prapë, asnjë qeveri nuk do të jetë me duart e lira, derisa varet nga Lista Srpska, duke mos u varur Albin Kurti ka mundësi që të pengojë asociacionin, së paku për një kohë ta shtyjë dhe të vjen me një model tjetër, jo me këtë që është tani që karakterizon Kosovën e klaneve”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat