Kosova po kërcënohet me luftë nga Serbia/ Vuçiq po armatoset edhe me MiG-29

Politika

Kosova po kërcënohet me luftë nga Serbia/ Vuçiq po armatoset edhe me MiG-29

Nga: A.Z Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 23:08
Aleksander Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph” ka thënë se Serbia është duke kërcënuar që ta ndez luftën e tretë Ballkanike.

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se më 2019 Vuçiq deklaronte se do të reformohej ushtria serbe, dhe që nuk planifikon blerjen e armëve, ndërsa, gjatë viteve të fundit po pajisen me armë modern nga Rusia, madje edhe po kërcënon Kosovën.

“Përkundër faktit se vetëm në dhjetor të vitit 2019, presidenti serb krimineli Aleksandër Vuçiq, deklaronte se ushtria serbe do të reformohej dhe nuk planifikonte blerjen e armëve, gjatë viteve të fundit, Serbia po paiset parreshtur me armët më moderne dhe jo vetëm se po demonstron por edhe po kërcënon me gjithë forcën e saj ushtarake që e ka në dispozicion, me agresion kundër Republikës së Kosovës dhe të paktën dy ish shteteve tjera të dala nga ish federatës jugosllave. Madje armatimet bashkëkohore të Serbisë fillojnë nga aeroplanët ushtarak rusë MiG-29, helikopterët Airbus H-145M, tanket e tipit T-72 dhe automjeteve të blinduara BRDM-2 të gjitha këto të blera nga Rusia, dronët luftarakë CH92-A, nga Kina si dhe pajisjet tjera luftarake të prodhuara në Serbi”, tha ai.

Tutje shtoi se përveç demostrimit të armëve, Vuçiq vijon të paralajmëroj investime të larta për pajisjen e forcave të armatosura, kështu duke deklaruar se do e bëj ushtrinë shumë më të fortë se tani, gjë nga e cila do të ndjehen vendet fqinje gjithnjë e më të rrezikuara.

“Kështu që, Vuçiq përveç demonstrimit të armëve moderne luftarake, megjithëse nuk tregoi vendet prej nga do të blehen armatimet më të reja, vijon të paralajmëroi investime të larta për pajisjen e forcave të armatosura me armë dhe mjete të reja moderne ushtarake, duke deklaruar se deri në janar dhe shkurt, të vitit të ardhshëm, do ta bëjë ushtrinë e Serbisë dy herë më të fortë sesa që është aktualisht, gjë që e bënë situatën edhe më të nderë dhe vendet fqinje, do të ndjehen gjithnjë e më të rrezikuara nga agresioni ushtarak i Serbisë”, potencoi Qarri.

Më tej ka deklaruar se duke e pasur parasyqh vendosjen e forcave ushtarake në vijën kufitare të vendit tonë, dhe shpenzimet ushtarake, Kurti me të drejtë ka deklaruar se Serbia po e kërcënon Kosovën.

“Ndaj duke pasur parasysh kërcënimin e hapur me agresion dhe vendosjen e forcave ushtarake në gjithë vijën kufitare të veriut të vendit tonë, vetëm pak kohë më parë, si me rastin e tensioneve për tabelat me Serbinë, si dhe shifrat marramendëse për shpenzimet ushtarake të shpenzuara nga Serbia, të cilat vitet e fundit janë rritur absolutisht, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, me të drejtë ka deklaruar se Serbia është duke kërcënuar, jo vetëm Kosovën por po rrezikon që ta ndez luftën e tretë Ballkanike, në gjithë rajonin”, shtoi ai.

Qarri shtoi tutje se Serbia po ngrit tensione edhe në Malin e Zi, madje edhe në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që edhe Dodik po kërcënon për ndarjen e “Republikë srpska”, dhe bashkimin me Serbinë.

“Për aq më tepër Serbia po ngritë tensionet ndëretnike përveç Kosovës edhe në Mal të Zi ku në pushtet ndodhet edhe një qeveri proserbe, si dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ku dora e zgjatur e Serbisë, Millorad Dodik kërcënon publikisht me ndarjen e të ashtuquajturës "Republika srpska" dhe bashkimin e saj me Serbinë, gjë që do ta destabilizonte jo vetëm gjendjen, por kërcënon edhe paqen dhe do ta ndizte sërish luftën, si në vitet e 90-ta, në gjithë rajonin”, ka përfunduar Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat