Shqiptarët në Maqedoni ndodhen para një tradhtie të re kombëtare!

Politika

Shqiptarët në Maqedoni ndodhen para një tradhtie të re kombëtare!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 8 nëntor 2021 Në ora: 17:21
Menduh Thaçi e Ali Ahmeti

Dorëheqja e deklaruar nga Zoran Zaev, i nxori në shesh edhe njëherë të palarat e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Sërish bota e civilizuar është në dilemë, se kush janë vallë këta!? Nga vijnë dhe për kë punojnë. Nuk besoj që ka ndonjë zyre diplomatike në Shkup, që nuk është habitur me lëvizjen e shpejtë të shqiptarëve, sapo u deklarua dorëheqja nga kryeministri aktual Zoran Zaev.

Në njërën anë, partitë në koalicion shpejtuan si era, që të deklarohen se nuk kishte vend për dorëheqje, se Zaevi nuk duhet të ngutet, dhe me elozhe se ditët e mira për Qeverinë, pastaj do vijnë, ndërsa në anën tjetër, partitë jashtë pushtetit vrapuan të zënë vend në ‘qeverinë e ardhshme’, që vështirë se mund të vije si e hamendësuan ata.

Grupimi më i madh, ndihet krenar nga poshtërimi dhe mashtrimi që Zaevi ua bëri, si BDI-së, PDSH-së etj., kështu që edhe pse e shohin se pas zgjedhjeve lokale, fati i Zaevit është në duar të fatit, mundohen ta mbajnë në këmbë me zor.

Grupimi më i vogël, që përdorë edhe emra-konceptesh që shprehnin kategori të besimit në jetën e qytetarëve shqiptarë, si “Besa”, nuk duket se ka shpresë fare për një besëlidhje shqiptare.

Kështu që, sikurse në Kosovë, e vetmja shpresë për ringjalljen e shqiptarëve atje është goditja ndaj politikanëve të komprometuar si Ali Ahmeti dhe të tjerë, ata që u komprometuan gjatë luftës në Kosovë, pastaj në Maqedoni, dhe pas luftës.

Shqiptarët duhet të ndërtojnë një strategji të mirëfilltë, e cila e nxjerrë popullin shqiptarë në Maqedoni, nga bataku ku e kanë futur lider të komprometuar si Ahmeti, Menduh Thaçi dhe të tjerë.

Sikur Shqipëria ta kishte kryer reformën në drejtësi, dhe të mos kishte në pushtet klane mafioze me predisponim antishqiptar, sikurse po sillet Edi Rama ndaj Kosovës, do të mund të ndryshohej rrjedha e ngjarjeve në Maqedoni.

Edhe emri Maqedonia e veriut nuk duhej të zyrtarizohej pa miratimin e shqiptarëve. Nuk do të duhej të ishte Greqia përcaktuese e emrit, por shqiptarët, si pasardhësit e natyrshëm të ilirëve dhe maqedonasve të lashtë.

Shqiptarët do të duhej të ishin të barabartë në Kushtetutën e Maqedonisë, si shtetformues, dhe që të mos kishin sot probleme me regjistrim.

Çështjen e shqiptarëve ortodoks do të duhej ta kthenin në çështje të përditshme politike, madje duke e kushtëzuar krijimin e çdo shumice qeveritare.

Çështja e arsimit, infrastrukturës shkollore, ekonomike, të investimeve etj., do të duhej po ashtu të ishin debate të përhershme me të gjitha forcat politike maqedonase dhe me institucionet.

Kosova deri më tash ka pasur vetëm rol negativ, pasi Ali Ahmeti kishte mbështetjen e klaneve politike mafioze në Kosovë. Madje, ai në njëfarë mënyre edhe ishte bashkudhëheqës me këto klane të Kosovës.

Pra, statusi i Ali Ahmetit, tashmë ka ndryshuar andaj, as nuk është shumë i gatshëm ta shpëtojë Zaevin, as nuk është i gatshëm për t’iu rikthyer varësisë ndaj VMRO-së, përkatësisht OBRM-PDUKM, një koalicioni të rikrijuar atje, nga mbetjet e politikës së Gruevskit, një kundërshtari të madh të shqiptarizmës, që përveç tjerash bart në ndërgjegje vrasjen e 10 shqiptarëve në Kumanovë, dhe të po aq policëve, në një konflikt që mund të evitohej paqësisht.

Është e çuditshme se si mund të shkojnë shqiptarët pas një politikani si Ali Ahmeti, të diskredituar prej kohësh. Mjafton ta kujtojnë lexuesit vetëm letrën për Ali Ahmeti nga Murat Jashari, tashmë i ndjerë, ku përveç tjerash shpreh dyshim, nëse ai ishte i përfshirë në rastin e ekzekutimit të heroit Jusuf Gërvalla: “A e ke ditur se atë ditë më 17 Janar 1982 vriten? (Jusuf e Bardhosh Gërvalla, e Kadri Zeka”, pyeste Murat Jashari.

Edhe gazetari kontrovers Zoran Bozhinovski, ka publikuar vite më parë në Maqedoni disa dosje, të cilat mund ta implikojnë liderin e BDI-së, Ali Ahmeti në atentatin me 17 janar 1982 në Gjermani, të tre atdhetarëve. Sipas këtyre dokumenteve të publikuara, Ali Ahmeti akuzohet se ishte bashkëpunëtor i UDB-së, dhe po ashtu thuhet se e kishte nofkën “Ibar”.

Koha e politikanëve të komprometuar si Ali Ahmeti, si Menduh Thaçi e të tjerë duhet të marrë fund, por as politikanët aktualë nuk kanë dhënë shenja të mirëfillta shprese.

As Kasami, as Sela, e asnjë tjetër. Madje nuk ka siguri nëse ata nuk kanë lidhje apo varësi me shërbimin inteligjent sllavomaqedonas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat