Reforma zgjedhore e domosdoshme, juristi tregon se si mund të bëhet ajo

Politika

Reforma zgjedhore e domosdoshme, juristi tregon se si mund të bëhet ajo

Nga: A.SH Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Kosova kaloi edhe një palë zgjedhje pa reformë zgjedhore.

Në deklarata publike partitë politike kanë qenë gjithmonë pro një iniciative për reformë zgjedhore, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur dicka konkrete në këtë drejtim.

Reforma zgjedhore është e domosdoshme që të ketë zgjedhje të lira në Kosovë.

Kështu ka deklaruar juristi dhe profesori, Muhamet Kelmendi, i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se duhet të bëhen ndryshime dhe të diskutohet për reformën zgjedhore.

Sipas tij, Presidentja dhe Qeveria e kanë të domosdoshme të merren masa dhe të krijohet bazamenti për të bërë reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore është e domosdoshme në Kosovë.

“Ka kohë që diskutohet mbi reformën zgjedhore në Kosovë. Shumë ka mendime dhe ide se si duhet të ndërtohet reforma. Mendimet janë të ndryshme. Ato shkojnë nga forma e tashme aktuale e votimit deri te një reformë që përcakton një votë një kandidat. Pavarësisht diskutimeve të kundërta është e domosdoshme që nga Presidentja dhe Qeveria të merren masa dhe të krijohet bazamenti për të bërë reforma zgjedhore. Është e domosdoshme pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike parlamentare, jashtë parlamentare, të shoqërisë civile dhe të kuadrit që ndihmon në ndërtimin e një reforme zgjedhore sipas standardeve moderne”, thotë ai.

Tutje ai sqaron, se Kosovës i duhet një ligj i mbështetur në standardet evropiane, ligj ky që duhet të mundësoj votim të lirë për të gjithë ata që dëshirojnë të votojnë.

Image
Muhamet Kelmendi

 

“Natyrisht se Kosovës i duhet një Ligj zgjedhor i mbështetur në standardet evropiane. Ky ligj duhet të sigurojë pjesëmarrje të gjerë të votuesve dhe natyrisht edhe të mërgatës që është mjaft e madhe dhe shumë domethënëse për Kosovën. Ligji zgjedhor duhet të mundësoj votim të lirë dhe të të gjithë atyre që dëshirojnë të votojnë" deklaron ai.

Kelmendi kërkon që ndryshimi të drejtohet në disa drejtime.

“Në kuadër të mendimeve mbi reformën mendohet se ajo duhet të drejtohet në disa drejtime: 1. Të reduktohet votimi nga pesë vota plus partia gjashtë në dy vota. Një votë e votuesit për parti dhe një votë për kandidatin që është në listë. 2. Të ri-organizohet ndarja e zonave elektorale. Nuk ka mundësi që të kemi vetëm një zonë. Kudo kemi në UE zona të ndara votuese. Edhe në Kosovë mund dhe duhet të krijohen disa zona votuese. Këtu mendohet në 7 zona. a. Zona e Mitrovicës, b. Zona e Pejës, c. Zona e Gjakovës d. Zona e Prizrenit, e. Zona e Ferizajt, f. Zona e Gjilanit dhe g. Zona e Prishtinës. 3. Të bëhen ndryshime kushtetuese dhe me ligj të ndalohen të gjitha vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Të bëhet vota e votueseve bazë e përfaqësimit në Kuvend. Kështu fiton demokracia dhe votuesi angazhohet. Ndërsa, me vendet e rezervuara, vetëm probleme ka funksionimi i organeve. Edhe votimi në organe duhet të ndryshohet me votim demokratik, e jo me votat në komunitet që të ketë ndikim edhe mbi shumicën. Kjo është absurde. 4. Të analizohet mirë dhe drejtë fakti se nga cila moshë mund dhe duhet të votohet. Përkatësisht, a duhet lejuar zgjedhjet nga moshës 16 vjeçare. 5. Të gjenden modalitetet e votimit të mërgatës pa shpenzime dhe kudo nëpër vendet që gjendet votuesi për të dhënë votën e vet dhe për të kryer obligimin qytetar. Natyra e ndryshimeve është e gjerë. Ajo kërkon një analizë të gjerë dhe të gjithanshme të votës. Mbi këtë bëhen ndryshimet e Ligjit mbi votim”, përfundon ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat