Dëshmia/ OVL e UÇK-së degë e PDK-së, hesht ndaj skandalit të Blerta Deliut

Politika

Dëshmia/ OVL e UÇK-së degë e PDK-së, hesht ndaj skandalit të Blerta Deliut

Nga: P.R Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 21:03
Blerta Deliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ditë më parë në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, grupin e “Kumanovës” i ka quajtur terroristë. Krejt kjo erdhi si pasojë e përplasjes me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

“Imagjinoni ministrja e Drejtësisë që sot vjen dhe më flet për sistem të drejtësisë në Kosovë e kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni sot mua më mban leksione për sistem të drejtësisë, si takoheni me homolog zonja ministre, si e takon ti një ministre të Drejtësisë të Gjermanisë, kur në CV-në tënde shkruan që kuanti ne kemi të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni. Unë nuk kam çka i shtoj kësaj shpifje, sa për dhëndrin, as nuk është arrestuar, dhe është shpifje që ju e keni thënë dhe do të mbani përgjegjësinë tuaj zonja Haxhiu”, deklaroi deputetja e PDK-së, Blerta Deliut drejtuar Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

Edhe pse deklarata e Deliut nxiti reagime të shumta në Kosovë, nga Organizata e Veteranëve të OVL-së së UÇK-së nuk kishte asnjë reagim, pra OVL e UÇK-së nuk u doli në mbrojtje grupit të “Kumanovës”.

E kjo heshtje nga OVL e UÇK-së, nga analisti politik, Faton Mehmeti tregon që kjo organizatë është degë e PDK-së.

Image
Faton Mehmeti

“Po shihet haptazi që OVL është degë e PDK-së duke ia mbajtur asaj ison më çdo gjë. Fatkeqësisht organizata e veteranëve është shndërruar në satelit të PDK, kështu duke ia humbur kredibilitetin asaj”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ndryshe do të vepronte OVL e UÇK-së në rast se në vend të Deliut do të ishte ndonjë deputet nga LDK apo Vetëvendosje.

“Nëse një deklaratë të tillë do e bënte dikush nga LDK ose VV OVL e UÇK do bënte edhe protestë për të kërkuar largimin e saj. Blerta gaboi rëndë, me PDK që nuk dënoi deklaratën e saj, por e mbështeti në heshtje. OVL s’ka pasur guxim pa marrë lejen e PDK për të reaguar, duke shpërfaqur anësinë partiake të tyre mes vete”, shprehet Mehmeti.

Për fund, Mehmeti i bën thirrje për reflektim Organizatës së Veteranëve të UÇK-së.

“OVL duhet të reflektojë, të reagojë për rastin, fenomenin jo për individët. Në këtë kuptim, heshtja ndaj skandalit të Blertës vërteton edhe për ata që dyshonin se kjo organizatë është satelit i PDK. Me këto veprime, zhvishet organizata e veteranëve ndaj paanësisë”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat