“Antiamerikane ishin qeveritë e kaluara”/ Votuesit s`i dëgjonin SHBA-të, gjithmonë thoshin mos i votoni të korruptuarit

Politika

“Antiamerikane ishin qeveritë e kaluara”/ Votuesit s`i dëgjonin SHBA-të, gjithmonë thoshin mos i votoni të korruptuarit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 24 nëntor 2021 Në ora: 12:13
Hashim Thaç dhe Ramush Haradinaj

Përplasjet në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë tij për proamerikanizëm e antiamerikanizëm po vazhdojnë. Si duket ende në nënvetëdijen e disa partive ka mbetur momenti, kur Kurti u fshikullua për t’u rrëzuar si një politikan antiamerikan. Si duket ende janë në atë jermi, dhe nuk po mund të binden, se ai doli më i preferuari për amerikanët bashkë me Vjosa Osmanin.

Më agresivi në retorikën e tij vazhdon të jetë, politikani muskuloz Ramush Haradinaj. Ai edhe në seancën e fundit, hodhi akuza se Qeveria Kurti, po vuan nga antiamerikanizmi, duke e goditur për shkak se kjo qeveri e ka shtyrë vendimin për të pranuar lidhjen e Kosovës në rrjetin transkontinental të gazit, me mundësi qasje në Maqedoni.

Qeveria nuk ka hequr dorë nga kjo mundësi kyçje, ku çerekun e shpenzimeve i heq Qeveria amerikane, por ka vendosur që ta shtyjë vendimmarrjen për një vit, deri në studimin e projektit.

Ky qëndrim i ka mjaftuar Haradinajt, që ai çdo ditë pune tash ta fillojë me akuzën për antiamerikanizëm të Albin Kurtit.

U refuzu se Kryeministri jonë ka qëndrim anti-amerikan të pastër, dhe nuk besoj që ju e keni krejt këtë mendim”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur me deklaratat e njëpasnjëshme të Haradinajt ndaj Kurtit, përfshirë edhe këtë të fundit, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës të çështjeve politike.

“Deklarata të tepruara”

Analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se opozita është e trajnuar vetëm për akuza, sepse mendojnë se vetëm kështu mund të bëhen opozitë aktive.

Image
Islam Krasniqi

Ai potencon se antiamerikane ishin qeveritë e kaluara, dhe se Kosova ishte njëra nga shtetet e cila ishte listuar lart për nga korrupsioni, ndërsa tani e akuzojnë qeverinë e cila për nga korrupsioni është zero.

“Po opozita është e trajnuar vetëm për akuza, në shumë raste edhe duke u thirrur edhe në të paqena, por vetëm duke akuzuar dhe duke menduar se akuza e bënë opozitën aktive. Është tepruar me këto deklarata, Kurti është anti-Amerikan. Antiamerikane ishin qeveritë e kaluara, sepse SHBA-të gjithmonë na thoshin mos i votoni të korruptuarit, ndëshkoni të korruptuarit, e që Republika e Kosovës ishte ndër shtetet e para të listuara për nga korrupsioni dhe krimi i organizuar duke u renditur në vendet më të korruptuara në botë, ndërsa tash po ata njerëz e akuzojnë një qeveri që deri më tani është zero për nga korrupsioni. Ka përfunduar dielli për disa individë apo edhe parti politike, pavarësisht se ata ëndërrojnë për pushtet dhe mundohen të marrin diçka me çdo kusht nga tavolina e pazareve, dhe mendojnë se duke akuzuar dhe fyer mund të përfitojnë diçka”, ka theksuar Krasniqi.

“Antiamerikanë janë ata që e vjedhin vendin”

Analisti politik, FatonMehmeti, ka deklaruar se Haradinaj pas debaklit nga 14 shkurti, po mundohet të ngjallet. Sipas tij, deklaratat e Haradinajt janë antiamerikane. Janë vetë amerikanët që pikërisht mendimin ndryshe e vlerësojnë.

Image
Faton Mehmeti

Tutje theksoi se akuzat e tij janë për popullizëm, gjë që është e kotë sepse qytetarët nuk bien pre e këtyre mashtrimeve.

“Ramushi po mundohet që të ngjallet, të ngjallet politikisht, pas debaklit që e pësoi me 14 shkurt. Akuzat ndaj Albin Kurtit janë krejtësisht të pavërteta, jo reale. Antiamerikan nuk mund të nënkuptohet njeriu që ka dinjitet dhe flet me argument me miqtë tanë. Pikërisht janë amerikanët ata që vlerësojnë mendimin ndryshe, debatin konstruktiv, gjithnjë në favor të gjetjes së zgjidhjes më të mirë. Nuk shohë asgjë antiamerikane, më tepër antiamerikanë janë ata që vjedhin vendin, kjo gjë nuk ka të bëj me Albinin. Akuzat e z.Haradinaj nuk kanë asgjë të përbashkët me kundërshtimin në bindje, në koncepte, janë krejtësisht për popullizëm, për vota, për elektorat. Megjithatë, këtë përpjekje të Ramushit e shoh të kot, qytetarët nuk bien pre e këtyre mashtrimeve”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat