Tahiri: Fajtorët e vrasjes së Xhemajl Mustafës duhet të gjenden dhe të ndëshkohen

Politika

Tahiri: Fajtorët e vrasjes së Xhemajl Mustafës duhet të gjenden dhe të ndëshkohen

Nga: M.H. Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 13:30
Edita Tahiri

Xhemajl Mustafa u vra 21 vjet më parë. Ai ishte një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht kolumnisti i Gazetës “Bota sot”.

Përgjatë këtyre viteve në lidhje me vrasjen e tij ende nuk janë të zbuluar autorët.

Veprimtari Xhemajl Mustafa është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë, teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ai ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Hetimet për vrasjen e tij kishin filluar menjëherë nga Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i.

Ndërsa institucionet e Kosovës edhe pas 21 vite nuk e kanë zbardhur vrasjen e Xhemajl Mustafës,

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, e cila ka pasur njohje mjaft të gjatë me Mustafën, sa ishte ajo pjesë e udhëheqjes së LDK-së, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur për personalitetin e Mustafës. Ajo njihet që ka bashkëpunuar për vite me radhë me veprimtarin. Ajo vlerëson se Mustafa ishte një veprimtar i shquar i Kosovës dhe LDK-së, duke e pohuar faktin se ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Rugova. Tahiri thotë që Mustafa shquhej për zgjuarsinë e tij dhe vlerat që posedonte duke shtuar që bashkëpunimi i tyre ishte i ngushtë në kohë shumë të rënda.

“Xhemajl Mustafa ishte një veprimtar i shquar i Lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për shumë vite ishte bashkëpunëtor dhe këshilltar për media i Presidentit Rugova, duke dhënë kontribut strategjik dhe të vlefshëm në fushën e informimit mbi të vërtetën e tragjike të Kosovës gjatë periudhës okupimit serb dhe luftës sonë të pa kompromis për liri dhe pavarësi. Xhemajli mbi të gjitha ishte një gazetar dhe intelektual i rrallë dhe një bashkëpunëtor dhe mik i devotshëm. Ishte i qetë dhe i civilizuar dhe shquhej për mendime të fuqishme për arritjen e idealeve kombëtare, vlera të spikatura që i kam të njohur nga bashkëpunimi jonë në kohë të rënda, duke qenë se isha njëra nga udhëheqëset e Lëvizjes për pavarësi”, thotë Tahiri.

Nga ana tjetër ish-kryenegociatorja thotë që është e pabesueshme që për 21 vite nuk arritën të gjejnë vrasësit e tij, mirëpo që kjo drejtësi herët apo vonë do të vie.

Vrasja e tij, ende e pazbuluar e gjeti me “Një lutje për Prishtinën” libër ky që e shkroi gjatë periudhës kur lufta kishte arritur kulmin e gjenocidit serb kundër shqiptarëve, por edhe shpresa e lirisë po agonte me intervenimin ushtarak të SHBA-ve dhe NATO-s. Është e pabesueshme që 21 vite kaluan dhe drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e vet për vrasjen e Xhemajlit. Drejtësia vonohet por duhet të vjen dhe fajtorët e këtij krimi duhet të marrin ndëshkimin e merituar, në mënyrë që familja dhe populli të gjej paqe ndonëse dhimbja asnjëherë nuk do të shuhet”, thekson Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat