Edi Rama merr guximin, ia kujto Vuçiqit veprimet kriminale e diskriminuese ndaj shqiptarëve!

Politika

Edi Rama merr guximin, ia kujto Vuçiqit veprimet kriminale e diskriminuese ndaj shqiptarëve!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 nëntor 2021 Në ora: 16:12
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq

‘Se Zoti vetë e tha me gojë; Që kombe shuhen përmi dhe; Po Shqipëria do të rrojë; Për të, për të luftojmë ne”. Këto vargje u dëgjuan sot nga Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë seancës plenare.

Kamberi mbajti një fjalim të ndjerë ku vuri në pah diskriminimin që Serbia po ua bën shqiptarëve të tri komunave të Kosovës Lindore, Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës.

“Unë këtu mund vetëm të përmend vandalizmin ndaj flamurit shtetëror shqiptar, por detyra ime qenësore në këtë Kuvend është të pyes pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre”, ka shkruar ndër të tjera Kamberi.

Shqiptarët e Luginës vazhdojnë të përballen me mungesë të të drejtave elementare për jetesë. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të shpërngulen nga tokat stërgjyshore. Disa në mërgim e të tjerë në Kosovë.

Edhe 4 ditë na ndajnë nga festa kombëtare e 28 nëntorit. Këto janë ditët kur më së shumti i përkujtojmë shqiptarët kudo që janë. Padrejtësia historike që iu bë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk duhet të përforcohet nga Kosova dhe Shqipëria.

Ish deputeti i LDK-së dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, në një deklaratë pas vizitës në Luginë, e quajti të papranueshëm dhe të papërballueshëm diskriminimin që po përjetojnë vëllezrit dhe motrat tona atje.

“Diskriminimi nacional e njerëzor i Beogradit, që përjetojnë çdo ditë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i papërballueshëm tutje. Secila ditë e humbur nga Tirana e Prishtina zyrtare për të vënë në ballinë të një strategjie gjithëkombëtare çështjen e Luginës është fitore për planin dinak e të heshtur të Serbisë për spastrim etnik të asaj treve”, tha Bislimi.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndërsa po i jep jehonë të madhe projektit “Open Balkan”, nuk e zuri kurrë në gojë çështjen e diskriminimit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës.

Nuk i tha asnjëherë mikut të tij të ngushtë, Aleksandër Vuçiq-it, se asaj popullate po ia shkelë të drejtat vetëm pse janë shqiptarë.

Nuk bëhet miqësi aq e ngushtë me shtetin që ka tendencë t`i shfaros bashkëkombësit.

Edi Rama asnjëherë nuk e ngriti shqetësimin se vetëm në katër vitet e fundit autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civilë në komunën e Medvegjes.

Është raportuar se kjo fshirje po bëhet me plan të qarqeve më të larta politike në Serbi dhe e njëjta po implementohet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-i). Por, Edi Rama nuk shqetësohet për këtë, gjersa në mendje ka projektin “Open Balkan”.

Një Ballkan i hapur do të duhej të niste me respektim të të drejtave elementare të të gjithë qytetarëve të Ballkanit. Kjo me shqiptarët nuk po ndodhë. Serbia vazhdon të jetë kundër shtetit të Kosovës e në anën tjetër t`i diskriminojë shqiptarët që jetojnë (padrejtësisht) brenda saj.

Kjo indiferencë e Shqipërisë duhet të ndalet. Nëse këtë nuk e merr mundin ta bëj Edi Rama, atëherë me patjetër duhet të ngriten në këmbë opozita dhe të gjithë mekanizmat që thirren në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe t`i thonë mjaft Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat