“Kjo është kallje e shpresës”/ Bashkëpunëtori i Ibrahim Rugovës, flet për vrasjen e Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt

Politika

“Kjo është kallje e shpresës”/ Bashkëpunëtori i Ibrahim Rugovës, flet për vrasjen e Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt

Nga: N. Sh. Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 18:30
Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj

Sot janë bërë 18 vjet që nga vrasja në pabesi e dy policëve të Kosovës dhe ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj.

Isuf Haklaj e Sebahate Tolaj kishin arritur që rrethin e ngushtë të vrasjes së kolonel Tahir Zemajt të binin vetëm në dy persona.

Kjo dyshohet të jetë arsyeja e vrasjes së tyre, kështu duke mos arritur të qonin deri në fund zbulimin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt.

Lidhur me këtë, analisti politik dhe ish-përfaqësuesi i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, dhe bashkëpunëtori i Ibrahim Rugovës, Skënder Zogaj thotë se, humbja e tyre është një brengë e madhe.

“Kur është fjala te vrasjet politike të figurave të zgjedhura nga radhët LDK që ishin dalluar në luftimin e krimit, siç është vrasja e Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, krijon një brengë të madhe jo vetëm për humbjen e tyre, por kjo është kallje e shpresës, sepse shohim se nuk po funksionon shteti i Kosovës, e kjo do të thotë se jemi ende shumë të rrezikur si popull dhe si vend!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Zogaj thekson se po të kishte vullnet në zbardhjen e vrasjeve politike, nuk do të formohej Gjykata Speciale.

Image
Skënder Zogaj

“Mendoj që ky është rasti eklatant i arsyes për zhgënjim, sepse, vrasja e dy policëve në detyrë dhe moszbardhja e vrasjes së tyre e ka vetëm një shpjegim: nuk funksionon drejtësia, ose nuk guxon të funksionojë drejtësia! Nuk dua të manipuloj me thashethemat nëpër media dhe përfoljet nëpër kuluare, por e di saktë se, po të kishte pasur vullnet, të gjitha vrasjet do të ishin zbardhur, vrasësit do të kishin marrë dënimet e merituara dhe nuk do të kishte pasur fare nevojë të formohet Gjykata Speciale! Kosova moti do të ishte në BE dhe vend i realizimit të plotë të vlerës së lirisë! Kështu si po shkojmë, druhem se po na vjenë puna që ne të gjallë t’iu  dhimbseni të vdekurve!”, pohon ai.

Zogaj shton se, tash po shihet degradimi gjithënjë e më i hidhur që po i ngjet shtetit të Kosovës dhe popullit shqiptar, që ka mbetur i strukur dhe i izoluar si mos më keq!

“Dhe, kjo është e merituar sepse, ne jemi vet fajtorët që e kemi heshtur krimin, prandaj derisa të mos zbardhen krimet dhe të njihen kriminelët, fryma e shpirtit të bijve nuk do të qetësohet, jo pse ata janë sakrifikuar, por sepse, ne të gjallët kemi mbetur peng midis jetës e vdekjes!”, përfundon Skënder Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat