Këta janë emrat e politikanëve të cilët qëndrojnë prapa rastit të Kumanovës/ Përmenden detaje

Politika

Këta janë emrat e politikanëve të cilët qëndrojnë prapa rastit të Kumanovës/ Përmenden detaje

Nga: M.H Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 20:14
Rasti Kumanova; Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës pothuajse në çdo seancë arrinë të sjellë “përplasje” mes deputetëve.

Ajo e fundit që mori vëmendjen e publikut ishte debati i ashpër mes deputetes nga radhët e PDK-së, Blerta Deliut dhe ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu.

E gjitha filloi kur në Kuvendin e Kosovës mori fjalën deputetja Deliu, e cila ka akuzuar kunatin e minsitres Haxhiu për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

Deliu e pyeti Haxhiun se si takohet me homologët e saj, kur, siç tha, në CV i shkruan që “e ka të arrestuar kunatin për terrorizëm në Maqedoni”.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Haxhiu. Ajo ka sqaruar se rasti për të cilin po flet Kodra-Deliu është rasti i Kumanovës, duke shtuar se kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në sallë.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, i cili u shpreh se deklarata e deputetes Deliu karshi ministers së drejtësisë, Haxhiu, buron nga një armiqësi jashtë normales.

Image
Enver Bytyçi

Sipas profesorit, Haxhiu nuk mund të merr përgjegjësi për gabimet që ka bërë kunati i saj edhe nëse ka qenë apo jo terrorist.

“Lufta politike në Kosovë ka qenë gjithmonë në kufijtë e ekuilibrit dhe normales. Me përjashtime të rralla. Akuza e Blerta Deliut kundrejt ministres se Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duket se buron nga një lloj armiqësie përtej normales në politikën e Kosovës. Pse e them këtë? Edhe sikur kunati i zonjës Haxhiu të ishte përfshirë në akte terroriste, madje me përmasa edhe më të mëdha, kjo deklaratë do të ishte e dënueshme. Pra kemi të bëjmë me dy çështje: Së pari, se askush nuk mban përgjegjësi në një demokraci për veprimet e kunatit ose të kunatës. Kjo psikologji të kujton kohën e diktaturës komuniste, kur për të linçuar dikë, i gërmohej biografia e njerëzve. Madje as atëherë nuk mbërrinte steak deri të kunati. Çfarë lidhje dhe çfarë përgjegjësie mund të ketë dikush për veprimet e përgjegjshme ose të papërgjegjshme të kunatit?! Ku është parë që të merret përgjegjësi për veprimet e dikujt tjetër, qoftë ky ose jo terrorist?! Kjo ndodh vetëm në shtete e vende jo demokratike”, shprehet profesori.

Gjithashtu kjo deklaratë e Deliut dëshmon sipas profesorit që PDK vazhdon të aplikoj ideologjinë e biografive totalitare.

“Kjo dëshmon se në grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka ende deputetë e liderë me mentalitet të kohës së regjimeve totalitare. Kjo sindromë duhet luftuar, sepse nuk është sindromë dhe as e mundshme që dikush të edukojë kunatin! Kjo do të thotë se PDK e çdo kush tjetër që sillet kësisoj vazhdojnë të aplikojnë ideologjinë e biografive totalitare. Këta politikanë nuk duhet të kenë vend në një rend demokratik. Jo me ligj, por së paku opinioni do të duhet t’i dënojë rëndë! Nëse ndodh kjo, atëherë emancipohen edhe më shumë dhe demokratizohen më mirë”, thotë Bytyçi.

Duke vazhduar tutje, Bytyçi e sheh të pavërtetë deklaratën e Deliut pasi kunati i Haxhiut nuk ka marr pjesë në rastin e Kumanovës sepse sipas tij se rasti i Kumanovës ishte një kurth i Gruevskit për t’i paraqitur shqiptarët si “terroristë”.

Gjithashtu, profesori cek që në dijeni për këtë sulm ishte Ali Ahmeti mirëpo edhe Hashim Thaçi përmes AKI-së, së Kosovës.

“Së dyti, deklarata e Blerta Deliut ka dimensionin e të pavërtetës. Nuk është e vërtetë se kunati i zonjës Haxhiu dhe të tjerët në rastin e Kumanovës janë terroristë. E kam thënë atë ditë që ka ndodhur ngjarja në TV Report të Tiranës, se rasti i Kumanovës ishte një kurth i Gruevskit për t’i paraqitur shqiptarët si „terroristë“! Por ndërkaq me Gruevskin dhe fijet e shërbimeve serbe e maqedonase kanë bashkëpunuar edhe politikanë të Kosovës e të Maqedonisë.

Është e pamundur që të mos ishte në dijeni Ali Ahmeti, përshembull. Por unë mendoj se ka qenë në dijeni edhe Hashim Thaçi përmes AKI-së së Kosovës. Ali Ahmeti vazhdoi dhe vazhdon të jetë politikani më i votuar ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut edhe pse ai e dinte e nuk deshi ta parandalojë atë katastrofë njerëzore të shqiptarëve në rastin e Kumanovës. Nëse nuk do ta dinte, ai do të dilte nga koalicioni i qeverisjes me VMRO-në e Gruevskit dhe në këtë rast të denonconte komplotin anti-shqiptar t ëish-kryeministrit të kohës.

Nëse do ta bënte këtë, qeveria do të binte, sepse partitë shqiptare të tjera nuk do të guxonin të hynin në koalicion me Gruevskin në rastin e denoncimit të këtij komploti nga Ahmeti. Vendi do të shkonte në zgjedhje të reja dhe shqiptarët në ato zgjedhje do të kompaktësoheshin më shumë. Por nuk ndodhi kjo”, potencon profesori.

Sipas Bytyçit Ali Ahmeti ishtë bashkëpunëtor i rastit të Kumanovës dhe se kunati i Haxhiut dhe të tjerët janë viktima të një komploti anti-shqiptar.

“Ali Ahmeti ishte në sinkron me planet komplotuese të kreut të qeverisë së Maqedonisë. Kjo e bën Ali Ahmetin jo vetëm përgjegjës, por edhe bashkëpunëtor në krimin shtetëror kundër shqiptarëve në rastin e Kumanovës. Për këto arsye Blerta Deliu ka gabuar rëndë. Ka gabuar, sepse ata njerëz, përfshirë kunatin e Albulena Haxhiut, janë viktimë e një komploti anti-shqiptar. Për këtë arsye ata duhen nderuar dhe respektuar. Ata duhen mbështetur në vuajtjet e tyre. Dhe zonja Deliu, në vend që të dëshmojë solidaritet me këtë vuajtje të tyre, sillet në të njejtat mënyrë edhe komplotuesit anti-shqiptarë”, thotë ai.

Në fund profesori thotë se rruga më e duhur që PDK mund të bëjë, është të kërkoj falje për këto fjalë të Deliut pasi mund të largoj elektoratin e saj.

“Kjo është e pafalshme, e dënueshme, madje e turpshme! Është në nderin e Partisë Demokratike dhe të zotit Memli Krasniqi që të distancohen me këtë deklaratë të papërgjegjshm, sepse uroj të mos ishte e qëllimshme. Në demokraci ndjesa e partisë për gabimet e fajet e liderëve dhe deputetëvë të saj është një risi pozitive. Përmes ndjesës riparohet dëmi që shkakton papërgjegjësia e njërit ose tjetrit deputet. Ju siguroj se nëse do të kishte një ndjesë nga ana e PDK-së, kjo parti nuk do të humbiste pikë në opinionin publik të Kosovës”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat