Ky ishte qëllimi, ja pse u vranë Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj/ Kështu zbulohen vrasësit e Tahir Zemajt

Politika

Ky ishte qëllimi, ja pse u vranë Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj/ Kështu zbulohen vrasësit e Tahir Zemajt

Nga: P.R Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 20:01
Kolonel Tahir Zemaj ishte vrarë se bashku me djalin e tij Enisin dhe kushëririn e tij Hasanin, më 4 janar të vitit 2003.

Më 24 nëntor i vitit 2003, ishte dita kur u vranë dy policët hetues të Kosovës, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj.

Edhe pse kanë kaluar 18 vite që nga ajo ditë, kjo vrasje ka mbetur ende një enigmë, ani pse për vrasjen e Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt është i dënuar Bedri Krasniqi, ish truprojë e Ramush Haradinajt.

Vrasja e dy policëve hetues, sipas disa dëshmime erdhi pasi ata ishin drejt zbardhjes së vrasjes së kolonel, Tahir Zemajt, me djalin Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

“Tezaku Isuf më kishte informuar, diku rreth dhjetë ditë para atentatit, se kishte identifikuar tre individë vrasës potencial të Tahir Zemës, dhe se njëri nga të tre ishte padyshim vrasësi. Kjo, fatkeqësisht, ishte biseda ime e fundit me te. Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj ishin profesionistë, prandaj edhe një herë apeloi, kërkoi dhe insistoi publikisht që prokuroria të hetoi seriozisht të gjeturat e Isufit e Sebahatit, të cilat besoi fuqishëm se janë edhe të dokumentuara dhe të arkivuara diku në sirtarët e policisë apo prokurorisë … shfletoni shkresat ju lutem dhe gjeni e dënoni vrasësit katilë; mos prisni që këtë ta bëjnë ndërkombëtarët!”, ka shkruar zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, i cili kishte edhe lidhje familjare me Isuf Haklajn.

E në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj, ka dhënë disa detaje interesante të takimeve që kishte zhvilluar me Isuf Haklajn.

Image
Saim Tahiraj

“Dje ishte përvjetori i vrasjes së Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj, të dy policë hetues në policinë e Kosovës! Sa herë që vijnë përvjetorët e vrasjeve të shokëve tanë, dhembja dhe pikëllimi shtohen. Rikthehen kujtimet dhe na fusin në mendime dhe analiza se pse ndodhi, cilat ishin motivet e vrasjes së tyre, kush ishin vrasësit e vërtetë dhe urdhërdhënësit e tyre”, thotë Tahiraj.

Ashtu si Gecaj, edhe Tahiraj mendon se vrasja e Haklajt dhe Tolajt lidhet me vrasjen e Tahir Zemajt.

Haklaj nuk besonte në kolegët e tij policë

“Më kujtohen dy takime shumë të rëndësishme me Isuf Haklaj, në të cilat biseduam për shumë gjëra të rëndësishme. Në takimin e parë, biseduam edhe për vrasjen e Tahir, Hasan dhe Enis Zemaj, djalin e Tahirit. Biseduam edhe për disa ngjarje në frontin e Koshares. Në takimin e dytë, vazhduam bisedën aty ku e patëm lënë me Isufin. Për të gjitha këto që i kemi biseduar, i kam nisë hetimet tha dhe jam në rrugën e duhur”, tregon Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se Isuf Haklaj nuk kishte besim as në kolegët e tij policë gjatë asaj kohe.

“Isufi me kishte thënë, më duhet ndihma e juaj, pasi që hetimet i bëj i pavarur nga askush. Më duhet të ruhem shumë edhe nga rrethi ku punoj në polici, nuk kamë fare besim te shumica prej tyre. Janë të lidhur me politikë dhe më vëzhgojnë vazhdimisht. I premtova se do ta ketë ndihmën time dhe të disa shokëve tonë të pakursyer. Sot kur e kujtoj dhe analizoj mirë bisedat që patëm me Isufin, jam i bindur se pikërisht fillimi i hetimeve të vrasjes së Tahir, Hasan dhe Enis Zemaj dhe disa ngjarjeve nga fronti i betejës së Koshares ishin shkaqet kryesore që shkaktuan atentatin kriminal e ku u vra heroi Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj”, shprehet Tahiraj.

Ai thotë se me vrasjen e tyre, qëllimi kryesor ishte që të zhduken dëshmitë e vrasjes së Tahir Zemajt.

“Qëllimi kryesor ishte që me vrasjen e Isufit të zhduken dëshmitë dhe të vrahet e vërteta. Dënimi i Bedri Krasniqit, mendoj, nuk është mbyllje e procesit hetimor, ka elemente shtesë, sepse rrjeti kriminal shkon më tutje, deri te strukturat e larta politike. Urdhërdhënësit janë nga një grup i caktuar i politikës si pasardhës të shtabit të LPK-së, mendoj unë. Bedri Krasniqi duhet të hetohet më tutje dhe të zbulohen në detaje lidhjet e tij me këtë bandë kriminale që ishte dhe vazhdon të jetë lartë në politik!”, thekson Tahiraj.

Shpresa te Gjykata Speciale

Si shpresë për zbulimin e vrasjes së dy policëve hetues, Tahiraj e sheh Gjykatën Speciale.

“Mendoj dhe shpresoj se Gjykata Speciale do merret me këtë rast dhe si rezultat i hetimeve serioze do të dalë e vërteta në pah”.

Për fund, Tahiraj thotë se më zbardhjen e vrasjes së Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt, zbulohen edhe autorët e vrasjes së Tahir Zemajt.

“Nëse vërtetë zbulohet në detaje vrasja e isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj, do të zbulohen edhe vrasësit e Tahir Zemaj, Hasanit dhe Enisit, por edhe shumë ngjarje dhe vrasje të tjera të cilat janë të lidhura në zingjirë. Rrjeti kriminal dhe shtabi i tyre vrasës, janë pothuajse të njëjtë. Nëse një rast zbulohet në detaje, do zbulohet i tërë rrjeti dhe shtabi i tyre urdhërdhënës! Shpresojmë se Gjykata Speciale do e bëjë këtë!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat