Çfarë përplasje do të kenë me Open Ballkan, në përballjen Rama-Kurti

Politika

Çfarë përplasje do të kenë me Open Ballkan, në përballjen Rama-Kurti

Nga: A.Z Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 22:55
Kurti dhe Rama

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se nesër në Elbasan do të mblidhen në takimin e radhës dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Nesër mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Elbasan”, ka shkruar ai.

Në mbledhjen e përbashkët do të nënshkruhet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve të 2 vendeve.

Sipas marrëveshjes së miratuar nga qeveria, shtetasit nga Kosova do të marrin leje qëndrimi me afat 5-vjeçar me një aplikim dhe pa dokumente.

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka quajtur ide të mirë, por sipas tij, mund të fshehet ndonjë prapavijë politike e “Open Ballkanit”.

Image
Skënder Mulliqi

Më tej ai këtë e lidhë edhe me deklaratën e Eskobarit, se “Open Ballkan”, nuk mund të realizohet
pa Kosovën.

“Porosia për nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me lejeqëndrimet e të dy shteteve është e mirë, por që mund të fshehet prapavija politike e “Open Ballkanit”. Rama me këtë marrëveshje që pritet nesër të nënshkruhet në Elbasan, po dëshiron ta shtyjë kryeministrin Kurti që edhe Kosova ta përmbajë projektin e Ballkanit të Hapur. Kjo më duket mua rrjedhë edhe nga fakti se amerikani Eskobar, deklaroi se ideja e “Open Ballkanit” nuk mund të realizohet pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën. Këtë gjë e ka parasysh edhe Rama, i cili pikërisht tani zgjodhi kohën për ta thirrur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare”, tha ai.

Tutje ka theksuar se pas rënies së idesë shoviniste për shkëmbime territoriale, u mendua ideja për integrimet rajonale gjë e cila sipas Mulliqit, e fuqizon politiksht dhe ekonomikisht Serbinë, madje do e shfrytëzonte këtë ide për qëllime ekspansioniste ndaj tokave shqiptare.

“Dy takimet e mbajtura të hershme të dy qeverive, nuk sollën rezultate të pritura. Pasi që ka rënë nga kombinimi ideja shoviniste për shkëmbime territorale që ishin pro Rama, Vuçiqi, Thaçi dhe gati komplet administrata e ish presidentit të Amerikës, Donald Tramp. U mendua ideja e re për integrimet rajonale ku sipas meje, e fuqizon politikisht dhe ekonomikisht Serbinë në Ballkan. Ajo do ta shfrytëzojë këtë ide për qëllime ekspansioniste, ndaj tokave shqiptare. Sikur mos të kishim pasur luftë, sikur Serbia pas luftës të na kishte pranuar shtetësinë e Kosovës, dhe do të kishte kërkuar falje për gjenocid, do të ishte krejt një muhabet tjetër. Por, edhe kjo Serbi pas
millosheviqiane vetëm sa ka ndryshuar në formë, se në përmbajtje ka mbetur e njëjta”,
ka shtuar tutje Mulliqi.

Më tej ka deklaruar se Rama nuk duhet t’i harroj viktimat e Kosovës, madje edhe faktin se Serbia nuk po shprehë gatishmëri për ta pranuar Kosovën.

Ai shtoi se po t’i dëshironte Serbia integrimet rajonale, do ta kishte hequr nga preambula, Kosovën si pjesë të saj.

“Po na kërcënon me luftë vazhdimisht në veri të vendit, nuk duhet të harrojë Edi Rama gjithë ato viktima të luftës që ndodhën në Kosovë. Nuk duhet të harrojë Rama se Serbia nuk po shprehë gatishmëri që ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Dhe për mua shumë e rëndësishme është fakti se Serbia po t’i dëshironte integrimet rajonale do ta kishte hequr moti nga preambula kushtetuese, Kosovën si pjesë përbërëse të saj. “Open Ballkan” nuk ka mundësi të realizohet pa palën e Kosovës, pa Malin e Zi dhe Bosnjën. Mirë, do të ishte që të dy shtetet tona të mendojnë që të kemi integrime të ndërsjella, duke lënë anash idenë, e cila i realizon interesat e huaja serbosllave në rajon”, ka theksuar ai.

Mulliqi thotë tutje se Ballkani i Hapur nuk do të mund ta zëvendësojë nismën e Berlinit, andaj Kurti duhet të ketë kujdes, pasi që edhe rusët po bëhen gjithnjë e më agresivë.

“Qarkullimi i lirshëm i mallrave dhe njerëzve nuk ka mundësi të realizohet në rajon pa i hequr Serbia pretendimet territoriale përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Ballkani i Hapur nuk ka mundësi ta zëvendësojë nismen e Berlinit të Angela Merkelit. Prandaj, Kosova dhe kryeministri Kurti duhet pasur shumë kujdes, derisa po vazhdojnë bisedimet me palën serbe, e cila me rusët po bëhet gjithnjë e më agresive duke kërcënuar tre shtetet e rajonit me një luftë të re. Dita e nesërme në Elbasan duhet të jetë një ditë e mirë për shqiptarët me kusht që Rama mos të ngulë këmb ta bind Kurtin për idenë, e cila e faktorizon shumë Serbinë në rajon”, thotë
Mulliqi.

Më tej potencoi se Kurti gjithashtu edhe sot në takimin me Metën, deklaroi se nuk mund të ketë “Open Ballkan”, përderisa Serbia nuk e pranon Kosovën.

“Serbia nuk i ka lënë sherret ndaj shqiptarëve historikisht. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para takimit të nesërm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takua me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ku shprehu qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur”, kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, çertifikatat e vulat doganore, dhe se ajo duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, gjatë procesit, e jo kjo të mbetet për fund”, ka përfunduar Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat