“Një deklarim i Presidentit – në vendin dhe kohën e gabuar”

Politika

“Një deklarim i Presidentit – në vendin dhe kohën e gabuar”

Nga: A.M. Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 15:17
Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai gjatë kësaj vizite u taku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Po ashtu, ai takoi edhe homologen e tij, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Meta gjatë vizitës që e zhvilloi në Kosovë, bëri disa deklarata. Ai foli për rrezikun që paraqitet nga “Ballkani i Hapur”.

 “Një rrymë serbo-centriste po rreket të gjallojë në rajon, përmes provokimit të vorbullave artificiale, ku as Tirana apo Prishtina nuk mund t’i lejojnë vetes të tregohen indiferente apo symbyllta”, ka deklaruar Meta.                                                                                                                                                  

Njohësi i çështjeve politike, Ruzhdi Peçani, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar deklaratat e presidentit Meta.         

Image
Ruzhdi Peçani

  

“Po, Presidenti  i  Shqipërisë Ilir Meta përcolli,24 nëntor 2021, disa deklarata të forta nga Prishtina duke kundërshtuar procesin e “Open Balkan”, ndërsa paralajmëroi edhe për  vënien në rrezik të stabilitetit në rajon prej faktorit serb.

Këto deklarata Presidenti  IlIr Meta i kishte bërë në një takim që kishte pasur me pedagogët dhe studentët e Universitetit privat AAB , në aktivitetin e titulluar “Shqiptarët, faktor stabiliteti në Ballkan”. Në kohën kur Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Gabriel Escobar po zhvillonte takim me tre vendet nismëtare të “Open Ballkan”.

Në njërën nga mediat qëndronte titulli : “Paralajmërimi i Metës nga Prishtina: Një rrymë serbo-centriste po rreket të gjallojë në rajon” dhe se “Ilir Meta përcolli  disa deklarata të forta nga Prishtina”, ka deklaruar ai.

Sa i përket vizitës së Metës në Kosovë, Peçani shprehet se presidenti shqiptar një vizitë të tillë do të duhej ta bënte më herët.

“Mendoj se ardhja e Presidentit Meta do duhej të kishte ndodhë  muaj më parë. Një vizitë Kosovës ,ku do ishte pritur si President i Shqipërisë, me ceremonial shtetëror, ashtu edhe do i kthente vizitën që Presidentja Vjosa Osmani – Sadriu i kishte bërë vizitë në 2020, si U.D Presidente, në veçanti do kishte pasur peshën politike për rrethanat nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës në planin ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Peçani: …një deklaratë me eufemizëm e presidentit

Më tej, Peçani shpjegon se pse Meta e bëri një deklaratë të tillë në këtë kohë.

“Kreu i shtetit Shqiptar foli për një rrymë “serbo-centriste që po gjallon në rajon përmes vorbullave artificiale”.

Presidenti Meta bëri një deklaratë me elokuencë – jo se “dha një deklaratë të fort”, kur thotë: “serbo-centriste që po gjallon në rajon përmes vorbullave artificiale”, Meta këtë e bëri me eufemizëm, ngase gjendja në Ballkanin perëndimor qëndron krejt ndryshe, këtë patjetër se dhe vetë presidenti Meta i ka në dijeni mjaftë mirë. Ka patur në dijeni edhe atë që ndodhi në shtator, kur forcat ushtarake u ishin vënë në gjendje gatishmërie jo larg kufirit të Kosovës.

Përse duhej të nguronte Meta të thoshte se kemi të bëjmë me hegjemonizmin sero – rus, se Ballkani po kërcënohet me luftë. Të shkruhet në mediat dhe portalet :“Paralajmërimi i Metës nga Prishtina..”, të thuhet “paralajmërim” është diletantizëm për kohën e ngjarjeve që po ndodhin rreth Kosovës”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Peçani e ka përmendur deklaratën e Metës për takimin e dy qeverive shqiptare, duke thënë se ai kërkoi që të ketë një marrëdhënie të vërtëtë  mes Kosovës e Shqipërisë.

“Presidenti kërkoi një marrëdhënie më të vërtetë mes Kosovës e Shqipërisë, që të shkojë përtej spektaklit të takimit mes dy qeverive, duke thënë se “T’i përmbahemi zbatimit të marrëveshjeve. Kjo është shumë e rëndësishme ..”duke mos thënë asnjë vlerësim apo kritikë se ato ishin vetëm spektakle të qeverive të kaluara. Një vlerësim sa për të thënë se  “konstatojmë oshilacione të padobishme si  në marrëdhëniet Shqipëri“, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, Peçani ka folur edhe për deklaratën e Metës sa i përkët “Ballkanit të Hapur”, ku ka thënë se në Tiranë nuk ka pasur përpjekje institucionale t´i kundërvihet kësaj të fundit.

“Presidenti kritikoi edhe “Ballkanin e Hapur”, se nuk është gjithëpërfshirës dhe rivalizon Procesin e Berlinit, “Në kuadër të bashkëpunimit rajonal po ashtu edhe në raport me BE-në, e kam fjalën edhe për energjitë kaq të tepërta që po i përkushtohen Mini-Shengenit dhe Ballkanit të Hapur”.

"Dhe për çfarë energji të tepërta flet Meta? Në Tiranë as që kishte përpjekje institucionale t´i kundërviheshin Ballkanit të Hapur dhe të shpjegohej se kemi të bëjmë me projektin hegjemonist serb “Bota serbe”. Dhe për habi, presidenti deklaroi se ka akoma rezevra për “Open Ballkan”?! dhe nga ana tjetër ,vazhdon : “Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Peçani ka thënë se deklarata e Metës ngjason me deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Deklaratë e fortë e Metës do ishte, po të ngjasonte me atë që Ministrja Donika Gërvalla bëri nga Mbledhja e ministrave në Zagreb me temën: “Vazhdimi i destabilizimit të Ballkanit nga Rusia dhe Serbia, ka nevojë të trajtohet qartë nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të NATO-s”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter, ka thënë se “kërcënimet e Vuciçit dhe Putinit e bëjnë luftën një rrezik real për Ballkanin. Gërvalla tha se Rusia dhe Serbia po e destabilizojnë Ballkanin në vazhdimësi dhe këtë çështje duhet ta trajtojë qartë BE-ja dhe vendet anëtare të NATO-së”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Peçani u shpreh se këto deklarata të Metës janë bërë në vendin dhe kohën e gabuar.

“Duke vazhduar, se për herë të parë që nga vitet 90’ta, ekziston rreziku real që kërcënimet e Putinit dhe Vuciqit të prodhojnë luftë në Ballkan.

Kështu deklarata e bërë nga Presidenti Ilir Meta, mendoj se ishte bërë në vendin dhe kohën e gabuar – tejet e vonuar. Në vendin e gabuar, ngase këtë do duhej ta bënte qëmoti në Tiranë, nga Presidenca, aty ku edhe qëndron “Krahu i djathë” i “Open Ballkan”, pra kryeministrit pse jo dhe gjithë Qeverisë së Shqipërisë, dhe duke hequr dilemat që ka ai vetë”, ka përfunduar Peçani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat