Më në fund/Tomë Gashi tregon rëndësinë e marrëveshjeve të arritura sot – ja pse nuk u implementuan të mëhershmet

Politika

Më në fund/Tomë Gashi tregon rëndësinë e marrëveshjeve të arritura sot – ja pse nuk u implementuan të mëhershmet

Nga: G.B Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 16:04
Mbledhja e dy qeverive shqiptare

13 marrëveshje janë nënshkruar sot në Elbasan, në mbledhjen e 7-të të përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Ato u bënë të ditura gjatë mbledhjes së përbashkët e më pas edhe gjatë konferencës së kryeministrave shqiptarë, Rama dhe Kurti.

Ndër më të rëndësishmet dhe historike u vlerësua vendimi i dy qeverive për heqjen e kontrollove fizike në kufi, duke e bërë këtë vetëm përmes monitorimit me kamera dhe pa ndalesa.

E rëndësishme u vlerësua edhe marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prizren.

Lidhur me marrëveshjet e arritura në mes të dy qeverive shqiptare, për gazetën “Bota sot” ka folur avokati Tomë Gashi.

Image
Tomë Gashi

Ai ka thënë se më në fund kemi dy kryeministra të fuqishëm që do t’i realizojnë marrëveshjet e mëhershme dhe ato që u nënshkruan sot.

“Më në fund është diçka reale që kemi dy Kryeministra të fuqishëm të kombit tonë, z.Rama dhe z.Kurti e të cilët do të përdorin gjithë fuqinë e tyre ekzekutive për t’i realizuar marrëveshjet e mëhershme dhe ato që janë lidhur sot e që kanë një kuptim konkret jo vetëm teorik-folklorik dhe politik por praktik për zhvillimin e kombit shqiptar e që ende jemi të ndarë në dy shtete”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, marrëveshjet e arritura sot janë të një dimensioni tjetër, derisa përmend marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prizren.

“Marrëveshjet konkrete të sotme janë të një dimensioni krejtësisht tjetër, siç është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prizren, që do të pësojë sipas studimit të fizibilitetit të këtij projekti gjigant për ne shqiptarët, e i cili projekt do të na ofrojë edhe më tepër jo vetëm me Shqipërinë si atdheu unë, jo vetëm me bregdetin shqiptar, por edhe me portin më të madh në Ballkan e që do ta lehtësojë shumë qarkullimin e mallrave në dy shtetet tona, që do të ndikojë në fuqizimin ekonomik të të dyja vendeve”, ka vlerësuar ai.

Ai thekson se marrëveshjet deri tani kanë mbetur në letër dhe janë shfrytëzuar për poenë politik dhe publicitet ndërsa tani duhet të implementohen.

“Të gjitha marrëveshjet deri më tani kanë mbetur të ekspozuara vetëm në letër dhe media, janë shfrytëzuar për poenë politik dhe publicitet, por tani është koha që këto të implementohen, sepse do të ishte e pakuptimtë që të lidhen marrëveshje që favorizojnë dy shtetet duke i lehtësuar pengesat artificiale që i kemi dhe këtë e presin rreth 6 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Është e rëndësishme që takimi i dy qeverive dhe marrëveshjet e arritura do të përfshijnë të gjitha fushat institucionale dhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Me zbatimin e marrëveshjeve do të rritet edhe më tej bashkëpunimi në mes dy vendeve. Është e rëndësishme që me përkushtimin dhe vullnetin e të dy kryeministrave do të çohen përpara të gjitha marrëveshjet e lidhura deri më tani”, ka deklaruar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat