Fuqitë e mëdha ta përkrahin Kosovën/ Shefi i UNMIK-ut dhe administrata e tij të shpallen “non grata”

Politika

Fuqitë e mëdha ta përkrahin Kosovën/ Shefi i UNMIK-ut dhe administrata e tij të shpallen “non grata”

Nga: M.L Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 17:47
Shefi i UNMIK-ut Zahir Tanin

Ndonëse ka gati 14 vjet që është shtet i pavarur, Kosova ende nuk ka arritur ta shuaj misionin e UNMIK-ut brenda saj, që ishte vendosur pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Shefi i UNMIK-ut Zahir Tanin vazhdon ta shfrytëzojë rolin e tij, madje për të folur kundër Kosovës gati në çdo mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës dhe të vendeve mike të Kosovës vazhdojnë ta konsiderojnë si të panevojshëm mandatin e UNMIK-ut në Kosovë.

 Ata kërkojnë që ky mision të shuhet.

Vetoja ruse dhe obskurantizmi serb

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” ka folur Enver Bytyçi profesor universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë UNMIK-u duhej të largohej nga Kosova. Por, kjo nuk ndodhi për shkak të vetos ruse dhe obskurantizmit serb.

Image
Enver Bytyçi

“Misioni i UNMIK-ut është në Kosovë me miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 të 10 qershorit 1999.

Sa kohë që Kosova ishte protektorat ndërkombëtar dhe nën administrimin e OKB-së, pra deri më 17 shkurt 2008, UNMIK-u ishte thuajse qeveri e Kosovës. Por prej fillimit e deri në fund të kësaj periudhe ai e lëshoi gradualisht qeverisjen në duart e politikanëve të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë UNMIK duhej të largohej nga Kosova. Por, kjo nuk ndodhi për shkak të vetos ruse dhe obskurantizmit serb. Duke mos njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës Rusia dhe Serbia u detyruan ta pranojnë UNMIK-un si qeveri të saj. Në fakt pati jo pak raste kur administrata e UNMIK-ut bashkëpunoi ngushtë me Serbinë si në rastin e privatizimeve edhe në rastin e administrimit të veriut të Kosovës. Pati raste të tjera bashkëpunimi të paprinciptë, siç ndodhi me Hakerup dhe ndodhi ajo që ndodhi më 17-18 mars 2004!”, potencon Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

UNMIK-u në veri për të implemmentuar politikat destruktive të Beogradit

Bytyçi thekson se UNMIK-u i veriut të Kosovës është fasada e Serbisë dhe e Rusisë. “Sot UNMIK-u është ende në Kosovë, saktësisht në veriun e Kosovës. Kjo me insistimin e Serbisë dhe të Rusisë. Ideja është për të dhënë mesazhin se kjo pjesë e territorit të Kosovës "nuk është pjesë e sovranitetit të shtetit", por administrohet nga OKB-ja. Në fakt veriu administrohet teorikisht nga Kosova dhe praktikisht nga Serbia. UNMIK-u i veriut të Kosovës është fasada e Serbisë dhe e Rusisë. Kjo është e vërteta. Pra, UNMIK-u mbetet në një pjesë të Kosovës, ku banojnë serbët, për të implemmentuar politikat destruktive të Beogradit.

Por, Rezoluta 1244 parashikon që OKB-ja të ketë administrimin e të gjithë territorit të Kosovës dhe jo vetëm të veriut të saj. Qoftë dhe për këtë shkelje që i bëhet Rezolutës, UNMIK-u duhej të ishte larguar me kohë nga ky vend. Por, nuk ka ndodhur kjo. Pse? Sepse Rusia me veton e saj nuk ka lejuar shuarjen e UNMIK-ut”, nënvizon profesori.

Atëherë çfarë mund të bëhet sipas Bytyçit?

“Qeveria dhe institucionet e Kosovës, ndoshta parlamenti, duhet të shohin mundësinë që ta nxjerrin jashtë ligjit atë. Në fund të fundit Kosova ka një Kushtetutë, ka institucionet e veta legjitime e të pavarura, ka integritetin dhe sovranitetin e saj e për pasojë në situata të përshtatshme mund të marrë në konsideratë largimin në formën e non gratës të të gjithë autoriteteve dhe personelit të UNMIK-ut. Në këtë rast Kosova do të dëshmojë pavarësinë e saj të plotë në të gjithë territorin e vendit”, shprehet ai.

Më tej sipas profesorit, nëse Kosova merr një vendim bazuar në kushtetutën e saj për UNMIK-un, atëherë veprimi i saj nuk do të jetë null në praktikë.

“Jam i sigurt se do të ketë protesta dhe reagime të ashpra nga Beogradi dhe Moska nëse Kosova do ta bëjë këtë. Por, si Serbia edhe Rusia nuk kanë reshtur ndonjëherë së reaguari për Kosovën. Rusia e quajti null edhe vendimin e zonjës Osmani për të shpallur non grata një a dy spiunë të Rusisë në Prishtinë, por ata u larguan nga vendi. Vendimi nuk është null, pse kësisoj mendon dikush në Beograd a në Moskë. Vendimet janë null nëse ato nuk zbatohen. Dhe nëse Kosova merr një vendim bazuar në kushtetutën e saj për UNMIK-un, atëherë veprimi i saj nuk do të jetë null në praktikë. Do të paraqitet si i tillë nga pikëpamja formale nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës”, shprehet ai.

Megjithatë, profesori Bytyçi nënvizon se, Kosova e ka barrë të rëndë ndërhyrjen serbe në territorin e saj, derisa marrja e masave kundër UNMIK-ut, është e domosdoshme që të bëhet në konsultim me aleatët amerikanë dhe evropianë.

“Por, nga ana tjetër Kosova duhet të këmbëngulë në Këshillin e Sigurimit dhe kudo që UNMIK-u të largohet vullnetarisht nga Kosova. Kosova e ka barrë të rëndë ndërhyrjen serbe në territorin e saj. Nëse kësaj ndërhyrjeje i shtohet edhe ndihma e UNMIK-ut, atëherë kjo barrë dyfishohet dhe bëhet e padurueshme. Por, nëse ndodhë të merren masa kundër UNMIK-ut, është e domosdoshme që autoritetet e Kosovës të konsultohen me aleatët amerikanë dhe europianë. Së paku tri Fuqitë e Mëdha, anëtare të Këshillit të Sigurimit, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca, po ashtu Gjermania, duhet ta përkrahin vendimin e shpalljes non grata të shefit të UNMIK-ut dhe administratës së tij tashmë në veri të Kosovës dhe jo më në Prishtinë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat