Kush po e mbështetë rrymën serbo-centriste/ Kërkohet bashkimi i elitës politike shqiptare

Politika

Kush po e mbështetë rrymën serbo-centriste/ Kërkohet bashkimi i elitës politike shqiptare

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 27 nëntor 2021 Në ora: 17:29
Ilir Meta zhvilloi të enjten një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai gjatë kësaj vizite takoi zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës

Serbo-centrizmi nuk është më vetëm një ideologji serbe apo një projekt strategjik i Beogradit. Duket se sipas vetë autoriteteve të Shqipërisë, pjesë e këtij projekti janë bërë edhe zyrtarë të lartë të shtetit në Tiranë.

Ilir Meta, e ka zbuluar pak a shumë se kush janë mbështetësit e fuqishëm në Shqipëri, ndërsa ka gjetur truallin e Kosovës, dhe mbase edhe në takime zyrtare ta ketë pohuar se kryeministri i Shqipërisë, tashmë është në boshtin serbo-centrist.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi të enjten një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai gjatë kësaj vizite takoi zyrtarët e lartë shtetëror të Kosovës.

Po ashtu, Meta gjatë këtyre takimeve shprehi qëndrimin e tij për “Ballkanin e Hapur”.

Presidenti Meta u shpreh se një “rrymë serbo-centriste po rreket të gjallojë në rajon”, duke shtuar se Tirana dhe Prishtina nuk duhet të qëndrojnë indiferente në këtë rast.

"Një rrymë serbo-centriste po rreket të gjallojë në rajon, përmes provokimit të vorbullave artificiale, ku as Tirana apo Prishtina nuk mund t’i lejojnë vetes të tregohen indiferente apo symbyllta. Himnizimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të bashkëjetojnë me aspiratat evropiane dhe euro-atlantike të vendeve tona. Çdo tentativë për të na tërhequr drejt një të ardhmeje përmes halucinacioneve të së shkuarës, duhet të ndesh me një refuzim të prerë", ka deklaruar Meta.

Lidhur me këtë deklaratë të Metës, njohësi të çështjeve politike në Kosovë, janë shprehur se kjo deklaratë ka të bëjë me “Ballkanin e Hapur”.

Mehmeti: Elita politike të jetë unike kundër projekteve serbe

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se projekti serbo-rus për fuqizimin e Serbisë në Ballkan po synohet të jetësohet nëpërmjet "Open Ballkan”.

“E kemi theksuar disa herë këtë gjë, projekti serbo-rus për fuqizimin e Serbisë në Ballkan po synohet të jetësohet përmes "Open Ballkan". Besoj se Meta për këtë e ka pasur fjalën kur ka folur për "rrymën serbo centriste", e kamufluar përmes nismës të cilën po e mbështetë Edi Rama”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje që elita politike shqiptare që të bashkohet në mënyrë që të kundërshtoj përpjekjet serbe.

“Elita politike në Tiranë dhe Prishtinë duhet të jetë unike në qëndrimet e saja për të kundërshtuar përpjekjet serbe për faktorizimin e saj në kurriz të shqiptarëve. Presidenti Meta dhe jo vetëm ai, të ngrehin zërin që projektet shoviniste serbe të mos realizohen”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Hasani: Meta po paralajmëron një ndryshim të madh

Image
Refik Hasani

Ndërkaq, profesori Refik Hasani në një bashkëbisedim për “Bota sot”, e ka komentuar deklaratën e Metës.

“Deklarata e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, është bërë në një moment të ndjeshëm ku Serbia për një iniciativë që ka mbështetje edhe të Rusisë dëshiron nëpërmjet Ballkanit të Hapur, të ngjallë një Jugosllavi gjoja paksa më ndryshe që Serbia do të vazhdojë të luajë rolin kryesor në këtë hapësirë të Ballkanit”, ka thënë ai.

Hasni ka theksuar se kjo deklaratë e Metës është e vonuar.

“Në këtë rast edhe kjo deklaratë e Presidentit Shqiptarë Ilir Meta, është e vonuar, pasi ky i fundit tani më s`ka mandat si President i Shqipërisë, por si do qoftë është për të përshëndetur, populli ynë thotë ,,Më mirë vonë se kurrë’’, ka thënë ai.

Profesori ka treguar se çfarë po paralajmëron Meta me këtë deklaratë, si dhe çfarë do të thotë kjo për Kosovën.

“Presidenti Shqiptarë Ilir Meta, po paralajmëron një ndryshim jo të vogël në skenën politike në Shqipëri dhe në këtë edhe përmasimin e afrimit të Shqipërisë me Kosovën, që përkundër takimeve të dy qeverive nuk po jep rezultate”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai e ka shpjeguar se çfarë nënkupton Meta me “rrymë serbo-centriste”.

“Presidenti Shqiptarë Ilir Meta, po e quan “rrymë serbo-centriste”, ndikimin e Serbisë dhe mbase të Greqisë apo boshti Beograd-Athinë, që kanë patur ndikim të jashtëzakonshëm në kryeministrin Edi Rama, e që do të përfundojë në një të ardhme të afërt”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat