Serbia refuzoi vizitat e ministrave të Kosovës, Kelmendi ka një kërkesë për Qeverinë Kurti

Politika

Serbia refuzoi vizitat e ministrave të Kosovës, Kelmendi ka një kërkesë për Qeverinë Kurti

Nga: A.M. Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 17:52
Kryeministri Albin Kurti

Pak para nisjes, Serbia ua refuzoi kërkesat për vizitë në Medvegj, Bujanoc dhe Preshevë, ministrave të Qeverisë Kurti.

Në këtë vizitë, ishte paraparë që të shkojnë ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, ministrja e Arsimi, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Ky vendim i shtetit serb nxiti reagime të shumta, ku edhe përfaqësues të Kosovës Lindore reaguan ashpër për këtë gjë.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi vlerëson se shteti serb nuk e lejoi zhvillimin e vizitave të ministrave të Kosovës, për shkak se vetëm ditë më parë MPJD e refuzoi një kërkesë të përfaqësuesit serb, Petar Petkoviq.

Sipas tij, vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Kosovën Lindore janë shumë më të kufizuara, krahasuar me vizitat e përfaqësuesve serbë në Veri të Kosovës.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Është gjë normale reagimi i pushtetit serb pas gjendjes që u krijua me përfaqësuesin e Serbisë, Petar Petkoviç. Mos lejimi i vizitës së zyrtarit serb në Kosovë ka dërguar në mos lejimin e vizitës në Kosovën Lindore të ministrave të Kosovës. Reagim tjetër nuk ka.

Natyrisht se vizitat në Kosovën Lindore nga zyrtarët e Kosovës kanë qenë të kufizuara çdo herë. Ndërsa, vizitat e zyrtarëve serbë në Veri të Kosovës, pothuajse janë bërë pa vështirësi. Është mirë që edhe këtu të futet reciprociteti”, deklaroi Kelmendi.

Në vazhdim, ai kërkoi që të vendoset reciprocitet edhe në çështjen e trajtimit të minoriteteve, serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi.

Madje, Kelmendi tha se nuk duhet të bëhen lëshime kur bëhet fjalë për pabarazi, pasi dihet se minoriteti serb në Kosovë gëzon të drejta të shumta.

“Me reciprocitet duhet të zgjidhen çështjet konfliktuoze midis Kosovës dhe Serbisë. Reciprociteti në çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore është e domosdoshme të jetë bazë e çështjes së minoritetit serb në Kosovë. Nuk duhet lejuar pabarazi dhe asnjë lëshim nuk duhet bërë.

Minoritetet me normat ndërkombëtare janë të barabarta dhe ashtu duhet vepruar. Ndërsa, deri tash, kjo ka qenë tabu për çështjen e shqiptarëve nën Serbi”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese.

Në fund, ai vlerësoi se të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë dallojnë shumë, dhe mënyra e vetme për ta rregulluar këtë gjë është vendosje e reciprocitetit.

“Në çdo takim është diskutuar dhe diskutohet minoriteti serb dhe të tjerët në Kosovë i jepet një vend shumë i lartë. Derisa, ky minoritet është më i privilegjuari në botë, me pozitën në Kosovë.

As për së afërmi nuk kanë të drejta shqiptarët nën Serbi si minoriteti serb në Kosovë, kjo duhet ndryshuar. E ndryshimi është vetëm te futja e mekanizmit të reciprocitetit në zgjidhjen e çështjes nacionale. Me këtë realizohet barazia midis Kosovës dhe shtetit serb”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat