Zbulohet mesazhi që Rama i dha Kurtit përmes “shqiponjës”, kështu e ndihmoi Vuçiqin me deklaratën për bashkim kombëtar

Politika

Zbulohet mesazhi që Rama i dha Kurtit përmes “shqiponjës”, kështu e ndihmoi Vuçiqin me deklaratën për bashkim kombëtar

Nga: G.B Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 12:06
Pamje nga mbledhja e fundit e dy qeverive shqiptare

Dy ditë më parë  në Elbasan është mbajtur mbledhja e 7-të e përbashkët e dy qeverive shqiptare.

Qeveria Rama dhe Qeveria Kurti nënshkruan 13 marrëveshje të përbashkëta.

Gjatë konferencës së përbashkët për media të dy kryeministrave, Rama bëri një krahasim interesant të dy shteteve me shqiponjën me dy koka.

“Nëse do më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka është një trup i vetëm kur njëra kokë sheh nga njëra anë dhe tjetra nga ana tjetër por trupi qëndron drejtë, që do të thotë shqiponja është e informuar në 36- shkallë. Mos keni dyshim që shqiponja mund të kapet në befasi pasi i sheh gjërat nga të dyja anët, mos të keni asnjë shqetësim për këtë. Është e rëndësishme që në këtë periudhë jemi shqiponjë me dy koka, por kur të vijë dita të jemi me një kokë, është rreziku që ta hamë veten”, deklaroi Rama.

E kur u pyet për bashkimin kombëtar, Rama tha nëse flet si fallxhor kjo do të ndodhë dhe se do të votonte pro një referendumi të paqes.

“Nëse më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkim kombëtar, unë do të bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur pro. Tani në rast se pyesni se a do ndodh kjo apo jo, meqë ju po më provokoni, do të ndodhi, por kur nuk e di, kur do ndodhi, si do ndodhi sot, por që kjo do ndodhi një ditë, unë them që po. Atyre që mund ta marrin këtë dhe të dalin bërtasin për Shqipërinë e madhe, fallxhorët nuk gjykohen se është një fall, nëse unë do hidhja fall në këtë rast, po e hedh me imagjinatë se nuk shoh filxhan, kjo do ndodhi, por kur nuk e di”, tha kryeministri.

Lidhur me këto deklarata të Ramës, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se Rama duke qenë mjeshtër i fshehjes së qëllimeve të tij, nuk bën asnjë deklaratë pa ndonjë qëllim të caktuar.

Image
Enver Bytyçi

“Deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës janë në stilin e së shkuarës së tij tetë vjeçare në qeverisjen e vendit. Ishte mbledhja e shtatë e të dy qeverive, por nga retorika ngjante me mbledhjen e parë të vitit 2014. Rama është i njohur për diskurs të tillë, sa provokues, aq dhe hipokrit. Rama është mjeshtër i fshehjes së qëllimeve të mbrapshta të tij, madje edhe i atyre qëllimeve që shkojnë kundër interesit kombëtar! Ai nuk artikulon asgjë në deklarimet e tij pa një synim të caktuar, pa paracaktuar qëllimin që i duhet të arrijë. Edi Rama nuk e lëshon asnjë fjalë kot, nuk bën asnjë gjest nga emocioni. Edhe kur duket se është i nervozuar, duhet ditur se nervozizmi i tij është i shtirur në funksion të një intrige të radhës”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, Rama përmes krahasimit të shqiponjës I ka dhënë mesazh Kurtit se ai po e ha veten dhe se kjo është vërejtje ndaj tij për kundërshtitë ndaj politikave të Ramës, Vuçiq dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës.

“Deklarimet e tij në Elbasan nuk bëjnë përjashtim. Me retorikën e shqiponjës ai u përpoq t'i thotë Albin Kurtit se ti po "kafshon veten"! Me mospjesëmarrjen në Open Balkan ti Albin "po ha kokën tënde"! Sepse ti Albin "nuk e njeh shqiponjën me dy koka dhe kokë jam edhe unë këtu në Shqipëri"! Ky është mesazhi i Edi Ramës në adresë të Albin Kurtit sa i përket retorikës me shqiponjën. E ndërkohë këtë mesazh e fsheh me pozën patriotike se gjoja ai "le kokën për shqiponjën e flamurit shqiptar"! Madje ky mesazh shkon edhe më tej: Rama le të kuptojë se ai paska dashur ta bëjë shqiponjën me një kokë, pra ta bashkojë Kosovën e ndarë me Shqipërinë, por kjo përpjekje e tij e "kafshoi atë"! Pra është vërejtje e tij për kundërshtitë ndaj politikave të Ramës, Vuçiq dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës”, ka vlerësuar profesori.

Ndërsa për deklaratën për rolin e fallxhorit, ai mendon se Rama i shkoi në ndihmë Vuçiq në projektin e Beogradit për "botën serbe" por që nuk e ka dhe kurrë nuk e ka pasur në agjendë bashkimin kombëtar, ndërsa që e mendon ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

“Dhe e njëjta gjë ndodh edhe me pjesën tjetër të retorikës së Edi Ramës. Ai, jo rastësisht e vë veten në rolin e fallxhorit. Dëshiron të thotë se "është kaq parashikues sa mund të bëjë rolin e fallxhorit"! E më pas lëshon mashtrimin e madh se "fallaxhorët nuk dënohen"! Siç thoshte dikur se "Të gjatët nuk vjedhin"! Në fakt, me këtë deklaratë Edi Rama i shkoi në ndihmë Aleksandër Vuçiq në projektin e Beogradit për "botën serbe" dhe mbrojtjen e kësaj bote. Kur një udhëheqës politik shqiptar përmend sot bashkimin kombëtar, me dashje ose pa dashje i shkon në ndihmë konceptit të Serbisë së Madhe. Ndërkohë që Shqipëria e Madhe ndodhet në eter. Edi Rama kurrë nuk e ka pasur dhe kurrë nuk do ta ketë në agjendën e tij bashkimin kombëtar si e mirë e madhe e shqiptarëve. Ai e përdor këtë retorikë për t'u shitur si patriot, në fakt për të mbuluar tradhtitë e tij të mëdha kundër kombit shqiptar. Edhe në Elbasan kur përmendi bashkimin, ka parasysh objeksionin serb të këtij bashkimi. Pra, ndarjen e Kosovës me Serbinë dhe bashkimin e pjesës së mbetur të saj me Shqipërinë. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë lufton për ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe jo për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Aq më pak për bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Këtë nuk e ka përmendur kurrë ai”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se mënyra si e përmend Rama bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do të thotë ndarje e saj, derisa thotë se kushdo që këtë e emëron bashkim e quan tradhtar të interest kombëtar.

“Pse përmend vetëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Sepse kjo retorikë çon në ndarjen e saj. Të gjithë e dimë se në rastin e një diskutimi të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ende pa u pranuar ajo në OKB, çon automatikisht në ndarjen e saj midis Serbisë dhe Shqipërisë. Nëse kjo quhet bashkim, atëherë unë këdo që e ëmërton si të tillë do ta konsideroja si injorant ose tradhtar të interesit dhe çëshjtes sonë kombëtare”, ka potencuar ai.

Sipas profesorit, bashkimi kombëtar nuk bëhet me arrogancë e Edi Ramës.

“Nga ana tjetër, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk bëhet me arrogancën dhe urdhër të Edi Ramës, nuk bëhet i stisur nga lart, nuk diktohet nga një palë për palën tjetër. Shiheni si e artikulon bashkimin kombëtar. Si një vepër e një kryeministri të çmendur si ai, por jo si vullnet të qytetarëve të lirë. Që këtu merr fund liria. Dhe nëse nuk ka liri qytetare, nëse shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të të dy vendeve nuk do ishin të lirë të vendosnin vetë për bashkimin kombëtar, atëherë ky bashkim do shndërrohej në skllavëri të re të tyre. Edi Rama edhe kur flet për bashkim ka ndërmend lavdinë e tij personale dhe likuidimin e lirisë së qytetarëve. Arroganca e tij është e tejskajshme. Deri aty sa t'u jepte urdhra ministrave të qeverisë së Kosovës gjatë mbledhjes në Elbasan”, ka thënë ai.

Bytyçi krejt në fund ka thënë se duhet pasur kujdes nga Edi Rama edhe kur jep dhurata me bashkim ose heqje kufijsh për shqiptarët, pasi ai duartrokitet me ovacione në parlamentin e Serbisë dhe sillet si padron ndaj Kosovës.

“Kujdes duhet patur nga Edi Rama edhe kur ai "jep dhurata me bashkim, ose heqje kufijsh për shqiptarët"! Kujdes nga një kryeministër që duartrokitet me ovacione në parlamentin e Serbisë dhe sillet si padron ndaj Kosovës, qeverisë së saj dhe qytetarëve të saj! Duhet të kenë kujdes sidomos ata kosovarë që thonë se "Rama është i zgjuar"! Edhe djalli është i zgjuar”, ka deklaruar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat