Kërcënimet për luftë në Ballkan/Kërkohen veprime serioze - Ushtria dhe Policia e Kosovës duhet të fillojnë përgatitjet

Politika

Kërcënimet për luftë në Ballkan/Kërkohen veprime serioze - Ushtria dhe Policia e Kosovës duhet të fillojnë përgatitjet

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 nëntor 2021 Në ora: 16:58
Ushtria e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka thënë se lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin.

Këtë deklaratë Gërvalla e ka bërë në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë.

Sipas MPJ, gjatë këtij takimi takimi u diskutua lidhur me sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore me theks të veçantë në proceset euroatlantike në rajon si dhe për bashkëpunimin në kuadër të kësaj karte.

“Është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë: lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta fjala luftë nuk është përmendur kaq shpesh sa tani. Dhe asnjëherë që nga vitet e 90-ta, udhëheqësia agresive dhe nacionaliste e Serbisë nuk e ka përdorur një gjuhë kaq të ngjashme me atë të përdorur nga Millosheviçi”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja e Kosovës potencoi se asnjëherë që nga vitet e 90-ta propaganda agresive nacionaliste për audiencën serbe nuk është përgatitur në mënyrë kaq strategjike nga qeveria në Beograd.

Tërnava: Duhet të merren me seriozitet deklaratat e ministres Gërvalla

Image
Ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava

Ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava komentoi kërcënimet për luftë në Ballkan dhe paralajmërimin e ministres Gërvalla.

Fillimisht, ai vlerësoi se situata e krijuar në Ballkan është për t’u befasuar, pasi edhe pse ka më se 20 vite që ka përfunduar lufta, ende po bëhen kërcënime të llojeve të ndryshme.

“Kohërat në të cilat po jetojmë tani, janë me shumë të pazgjedhura, sidomos kur bëhet fjalë për zhvillim, ekzistencë, shkollimin e të rinjve si kuadro për të ardhmen, investimet dhe hapja e vendeve të reja të punës, etj. Situata e krijuar në Ballkan është për t’u habitur, sepse këtu në këto troje ende nuk janë qetësuar shpirtrat nga luftat e tëra që ishin në këto territore. Disa shtete që ishin inicuese të luftërave që nga viti 1990 e deri më 1999, ende nuk po qetësohen dhe nuk po e pranojnë se ishin fajtore për luftërat e shkaktuara, e që të gjitha luftërat edhe që i filluan si të parët, i humbën me fqinjët e tyre, megjithatë tani mu ky shtet zhvillon luftëra speciale, duke bërë presion për përfitime të territoreve nga fqinjët e tyre. Sikur që është fjala për Serbinë e që si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës, po e kërkon veriun me katër komuna serbe, e ku në ato territore kryesisht shtrihet pjesa më e pasur e Kosovës-Trepça”, deklaroi ai.

Sipas Tërnavës, shqetësimi i ministres Gërvalla është i kuptueshëm, pasi i ka të freskëta kujtimet dhe pasojat e luftës.

“Për t’i realizuar ato kërkesa kërcënuese, Serbisë i duhet që të përmend luftërat, qoftë edhe si kërcënim për shtetet tjera në fqinjësi me to, sikur që ende si ka zgjedhur çështjen me Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën dhe së fundi që po ka edhe probleme të tjera edhe me Malin e Zi. Ministrja e MPJ-së, Donika Gërvalla që gjendet në atë post, tani është e kuptueshme se është e shqetësuar, sepse të freskëta i kemi pasojat e luftës që janë zhvilluar në trojet tona dhe askujt nuk i pëlqejnë luftërat”, theksoi ish zv.ministri i MPB-së.

Në vazhdim, ai beson se as shteti serb nuk ka dëshirë të zhvillohen luftëra, pasi përmendi disa nga dëmet më të mëdha që iu shkaktuan Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Megjithatë, edhe Serbia që i ka krijuar këto luftëra me shtetet për rreth, edhe gjeneratat e serbëve si ata të moshuar apo ata në vitet e pjekurisë, i kanë të freskëta kujtimet e luftërave, dhe askush nga ta nuk është i gatshëm apo që ka dëshirë me u zhvillua luftëra në këto periudha, sepse edhe rezoluta 1244 e miratuara nga OKB është ende në fuqi, dhe sikur ta sulmonte Serbia ndonjë shtet fqinj tani, i tërë potenciali i forcave të botës përmes NATO-s do ta sulmonte Serbinë, dhe shteti serb do ta binte veten në situatë të dyshimtë për ekzistencën e saj në të ardhmen”, nënvizoi Tërnava.

Më tej, eksperti i sigurisë vlerësoi se fuqitë e mëdha botërore vendosin për luftëra dhe pa përkrahjen e tyre.

Madje, ai potencoi se Serbia është stërlodhur nga lufta dhe ka krijuar një imazh të një shteti konfliktuoz dhe gjenocidal.

“Mirëpo, fuqitë botërore janë ato që vendosin për luftëra në botë dhe pa përkrahjen nga ato shtete të forta, që iu ofrojnë atyre shteteve më të vogla e që iu shkojnë në favor ato luftëra edhe vetë atyre për qëllimet e tyre. Lufta të tilla nuk mund të ndodhin, sidomos Serbia që më është e stërlodhur nga luftërat e shumta që i kishte me gjithë ato humbje që i kishte si në njerëz, po ashtu edhe në patundshmëri, e sidomos në imazhin e saj të krijuar tani e tutje, që tërë jetën ky shtet do të mbahet në mendje se është shtet konfliktuoz, gjenocidial, jostabil në marrëdhënie jo të mira me të gjitha shtetet që kufizohet për rreth”, shpejgoi Tërnava.

Ndër të tjera, ai tha se pavarësisht këtyre faktve, deklaratat që kërcënojnë stabilitetin e rajonit duhet të merren me seriozitet.

Po ashtu, institucionet e vendit duhet që të merren seriozisht me këto vërejtje, në mënyrë që të jemi në hap me kohën.

“Këto paralajmërime deshëm apo jo, nuk duhet të merren me joseriozitet e sidomos nga ministrja Gërvalla, kur ajo vetë deri në këtë pozitë që ka arritur e ka pas një rrugëtim të tërë me luftëra. Këto brenga të saj duhet t’i shërbejnë popullit si vërejtje që të jemi vigjilent dhe të gatshëm për gjithçka qoftë edhe nëse na imponohet lufta. Institucionet e shtetit të Kosovës duhen këto vërejtje t’i marrin si vërejtje serioze dhe të jemi në hap me kohën, e sidomos tani kur e kemi ushtrinë dhe policinë me një armatim modern, e që ato duhen të jenë me stërvitjet e tyre nonstop mirë të stërvitura dhe të gatshme që nëse iu imponohet ta mbrojnë territorin e shtetit të Kosovës, edhe duke sakrifikuar edhe jetërat e tyre”, potencoi eksperti i sigurisë.

Në fund, Tërnava tha se nuk duhet harruar faktin se faktori ndërkombëtar është në mbrojtje të Kosovës.

Krahas kësaj, ai deklaroi se Kosova duhet ta vazhdojë miqësinë me shtetet aleate, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mos të harrojmë se edhe faktori ndërkombëtar është në mbrojtje të Kosovës, sepse ato garanca të ruajtjes së territorit të Kosovës i kemi nga KFOR-i, por tani edhe shteti shqiptar Shqipëria me Maqedoninë dhe Malin e Zi, janë në NATO, gjë që kjo situatë neve na shkon për shtati. Kurse, stërvitjet e shpeshta të ushtrisë së Kosovës me ushtritë e NATO-s, janë dëshmia e kësaj që e shpjegova deri më tani, dhe rrugëtimi më serioz në të ardhmen e afërt për Kosovën është anëtarësimi i plotë në NATO me ushtrinë e saj. Duke i pasur të gjitha këto shpjegime parasysh, ne duhet ta vazhdojmë miqësinë tonë të afërt me ato shtete që na kanë ndihmuar me çlirimin, sidomos me SHBA-të, në miqësi të përhershme me ta”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Shala: Do prodhohet ndonjë efekt domino në Ballkan

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi paralajmërimin e ministres Gërvalla për kërcënimet me luftë në Ballkan.

Ai tha se kjo tregon se përmes disa lëvizjeve në terren, po jep efektin e saj në krizën e ndihmuar nga Rusia.

Në lidhje me deklaratën e MPJ-së për kërcënimet në lidhje me rajonin e Ballkanit mund të themi që gjatë këtyre 3 viteve që lëmë pas, Serbia në njërën anë për interesa të saj nacionale të jetësimit të Serbisë së Madhe kjo tregon që lufta speciale e saj përmes disa lëvizjeve në terren po jep efektin e saj duke futur në agjendë ndërkombëtare "krizën" artificiale të ndihmuar edhe nga Rusia”, deklaroi Shala.

Në vazhdim, eksperti i sigurisë kërkoi që institucionet në fushën e mbrojtjes të fillojnë të bëjnë marrëveshje me shtete të ndryshme për parandalimin e ndonjë ndërhyrje.

“Pra, institucionet e vendit duhet që në procesin më të shkurt në fushën e mbrojtjes të bëjë marrëveshje shtet me shtet për të parandaluar një ndërhyrje dhe për të pasur një mbështetje operacionale në rast se do prodhohet ndonjë efekt domino në Ballkan”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat