Marrëveshjet në ‘letër’ Kosovë-Shqipëri, a do të hiqet vërtetë kufiri?!

Politika

Marrëveshjet në ‘letër’ Kosovë-Shqipëri, a do të hiqet vërtetë kufiri?!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 nëntor 2021 Në ora: 16:52
Pamje nga mbledhja

Mbledhjet e përbashkëtatë qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë kanë një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund ta marrë lejen e qëndrimit për 5 vite vetëm me një aplikim formal në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të këtij viti, qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë. Dy qeveritë ranë dakord në 2019 që të hapnin pikën kufitare të Kosovës në Portin e Durrësit, por që në këtë pikë ende nuk ka nisur zhdoganimi i mallrave. 

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar.

Analistët politik në prononcimet për “Bota sot” komentuan marrëveshjet e arritura Kosovë-Shqipëri dhe mundësitë për t’i zbatuar në praktikë.

Qarri: Ja çfarë dëshmoi mbledhja mes qeverive shqiptare

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

Krahas kësaj, ai tha se shumica e marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e mbajtura deri më tani nuk janë zbatuar.

“Siç dihet nga mbarë opinion ynë i gjerë, Shqipëria dhe Kosova, deri më tani kanë nënshkruar mbi 70 marrëveshje të përbashkëta, në mesin e të cilave edhe një marrëveshje të veçantë për kalendarin e përbashkët kulturor dhe krijimin e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës, por që fatkeqësisht, pothuajse asnjëra prej tyre, nuk gjetën zbatim kurrë”, deklaroi analisti.

Sipas Qarrit, Kosova dhe Shqipëria u bënë bashkë sërish, pas dështimit të Edi Ramës në rrugëtimin evropian dhe trysnive të ndërmjetësuesve evropian Lajçak dhe Borrell.

“Trysnitë gjithnjë e më të forta, që nga ndërmjetësuesit evropian të dialogut, si Lajçak e Borell, në vijimësi po i bëhen pa të drejtë Kosovës "multi-etnike", për bosnjëzimin e saj me formimin edhe të një "republika srpska", si asociacioni i kundërligjshëm një etnik serb, të cilin e ka hedhur poshtë edhe vet Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mossuksesit të Edi Ramës në rrugëtimin evropian dhe ngopjes me dashurinë që atij, pa kursim, tash e disa vite, po ia falë Aleksandër Vuçiqi, përfundimisht detyruan shqiptarët që ta gjejnë njëri tjetrin, ti kthehen vetvetes dhe tëbëhen sërish bashkë”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti beson se mbledhja e 7 e qeverive shqiptare nuk erdhi spontashit, por që ishte një porosi që shqiptarët u bënë sërish bashkë, që të dëshmojnë se janë një popull dhe komb.

“Kështu që pas shumë peripecish sfiduese ndërmjet dy kryeministrave shqiptar, për dhe kundër të ashtuquajturit "Ballkan Open" më në fund Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, për të ngushëlluar vetveten dhe për tërënë në sy tëopinionit se megjithatë edhe ato po merren me diçka, u takuan në qytetin e "normales" së parë të Shqipërisë etnike, në Elbasan ku kanë mbajtur mbledhjen e shtatë me radhë të të dy qeverive duke nënshkruar edhe 13 marrëveshje të reja, të cilat tanimë po i afrohen numrit 100. 

Por duket se edhe ky takim nuk ka ndodhur aq "spontanisht", dhe se një porosi e tillë erdhi nga larg, ndaj me pëlqimin e "vëllait të madh" shqiptarët u bënë sërish bashkë, që të dëshmojnë se janë një popull dhe njëkomb, të cilët pas gjithë këtyre sfidave dhe trysnive të vazhdueshme mbi ta, shpëtimin mund dhe duhet ta kërkojnë te përshtatja dhe njëjtësimi i ligjeve, deri te bashkimi i tyre kombëtar”, nënvizoi Qarri.

Gjithashtu, ai përmendi faktin se shumica e marrëveshjeve nuk janë zbatuar, mirëpo uron që marrëveshjet e arritura në mbledhjen e fundit të zbatohen edhe në praktikë.

“Kështu që duke pasur parasysh se në takimin e vetëm një viti më parë, Shqipëria dhe Kosova ishin dakorduar për një qeverisje të përbashkët strategjike në mes të dy shteteve tona, për të marrë kuptim dhe mos u kthyer në rutinë edhe ky takim ndër-shqiptar, në mbledhjen e kabineteve të të dy qeverive u nënshkruan edhe 13 marrëveshje të reja, të cilat urojmë që të mos ngelen edhe këto vetëm në letër, siç ka ndodhur deri më tani, por të realizohen duke u zbatuar edhe në praktikë, pasi që edhe në të kaluarën janë nënshkruar shumë marrëveshje të ngjashme, por që fatkeqësisht, tash e sa vite nuk kanë gjetur zbatim asnjëherë”, tha analisti.

Më tej, Qarri kujtoi marrëveshjen enigmë të nënshkruar në mes tëRamës dhe të Hotit për ndërtimin e hekurudhës, e cila u nënshkrua sërish në Elbasan.

“Madje duke dashur ta rritnin vlerën e marrëveshjes së vitit të kaluar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë-Durrës, qeveria e kundërligjshme Hoti dhe ajo e Ramës, qysh atëherë kishin nënshkruar edhe një lloj memorandumi për transportin hekurudhor, studimin e fizibilitetit dhe sigurimin e fondeve financiare nga SHBA-të dhe BE-ja, për ndërtimin e hekurudhës në fjalë, marrëveshje që mbetet enigmë se pse tani u nënshkrua sërish edhe në Elbasan”, thotë ai.

Krejt në fund, analisti foli edhe për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, ku u befasua me këtë gjë, pasi Rama po bie ‘copë’ për krijimin e Serbisë së madhe, dhe jo Shqipërisë etnike.

“Ndërsa, si surprizë e gjithë këtyre zhvillimeve, habit fakti se përderisa në të kaluarën, pas çdo takimi të përbashkët, në mediat e huaja, thuhej se Kosova dhe Shqipëria synojnë heqjen e kufirit ndërmjet tyre, tani ato shkruajnë se kinse, në këtë takim ku u nënshkruan vetëm disa marrëveshjeve, më tepër ekonomike, u "hoq" edhe kufiri në mes të dy shteteve, i cili edhe në këtë shekull, pa të drejtë, vazhdon ende ti mbajë fizikisht, të ndarë shqiptarët, përderisa shoku Edi Rama bie copë duke u marrë jo me Shqipërinë etnike, por me krijimin e Serbisë së madhe të kamufluar si "Ballkan i Hapur", që në fakt është edhe një strategji e Serbisë për zgjerimin e dominimit të saj edhe më të madh politik dhe ekonomik në gjithë Ballkanin Jugor”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Kapiti: Mbledhja ishte formale, Ramës i intereson “Ballkani i Hapur”

Image
Skënder Kapiti

Ndërsa, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti mbledhjet e qeverive shqiptare i vlerësoi si shumë formale, me retorikë të thellë të Edi Ramës, i cili shquhet për rreshtim të fjalëve të bukura.

“Janë bërë shumë mbledhje mes dy qeverive të Shqipërisë e të Kosovës. Deri më tani ato kanë qenë formale, më shumë si simbolika e retorika të tilla si idetë e Edi Ramës, i cili shquhet për kopjime fjalësh të bukura e të mëdha filozofike si p.sh. edhe ajo e rilindjes së socialistëve, për të cilat si teza e dukje populiste shquhet edhe Albin Kurti e që janë dogma socialist-majtiste. Janë bërë shumë marrëveshje, por pa realizime të tyre”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Kapiti tha se të gjitha ato janë premtime të cilat nuk janë realizuar, të cilat më pas bëhen gënjeshtra dhe një gjë e tillë është tradhti.

“Pra janë premtime që deri tani kanë rezultuar mosrealizime. Dhe premtimet që bëhen, kur nuk realizohen, atëherë ato rezultojnë gënjeshtra, dhe gënjeshtrat janë tradhti. Dhe të shohim se këto marrëveshjet e takimit më të fundit të dy qeverive a do të realizohen, apo janë edhe këto mashtrime, hipokrizi e retorikë patriotike e radhës”, potencoi opinionisti.

Për dallim nga Rama, Kapiti beson se Kurti është më i besueshëm dhe më i interesuar për zbatimin e marrëveshjeve, derisa Rama hedhë vallen për “Ballkanin e Hapur”.

“Albini është i besueshëm, pasi ai është i interesuar për realizimin e këtyre marrëveshjeve, por mbetet të shihet se a do të ndryshojë dhe a do ta mbajë fjalën Rama, apo do të vazhdojë t'i bie melodisë e të hedhë vallen e ‘Ballkanit të Hapur’ si ide e prioritet të tij”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat