“SHBA ka vendosur t’i jap fund...”/ Parashikimi: Ja kur arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

Politika

“SHBA ka vendosur t’i jap fund...”/ Parashikimi: Ja kur arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

Nga: P.R Më: 12 janar 2022 Në ora: 21:03
Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador më i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë

Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador më i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Hovenier, i cili është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan dhe ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, më të marr detyrën, ka bërë homazhe tek shtatorja e ish presidentit Ibrahim Rugova, duke lartësuar figurën e tij.

“Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova. Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar… Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, u shpreh ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Por çfarë pritet nga ambasadori i ri amerikan? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Ambasadori amerikan i sapo ardhur në Kosovë, Jeff Hovenier, paraqiti letrat kredenciale te presidentja Osmani dhe u zotua se do të përkushtohet për Kosovën, si një vend mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njëkohësisht zonja Osmani ritheksoi se vendi i saj do të jetë gjithmonë në krah të aleatit më të madh, SHBA-ve. Ambasadori Hovenier menjëherë pas takimit me zonjën Osmani shkoi dhe nderoi figurën emblematike të shqiptarëve e të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Më pas takoi kryeministrin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, zonjën Gërvalla. Që ditën e parë të punës së tij si ambasador zoti Hovenier vendosi themelet e miqësisë së tij me Kosovën. Ai ishte pjesë e këshilltarëve amerikanë në Rambuje në shkurt-marsin e vitit 1999 dhe është marrë me Kosovën e Ballkanin vazhdimisht në ditët më të vështira të rajonit dhe në kulmin e konfliktit shqiptaro-serb. Ai e njeh edhe dinamikën e zhvillimeve në rajon. Prandaj kam qenë gjithnjë optimist për emërimin e tij nga presidenti Biden si ambasador i Kosovës, ashtu siç jam optimist për emërimin e Christopher Hill në Beograd”, deklaron Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, me emërimin e ambasadorëve të rinj, SHBA ka vendosur t’i japë fund konflikteve në Ballkan.

“Unë besoj se me emërimin e ambasadorëve të rinj në katër vendet kyçe në konflikt në Ballkanin Perëndimor, administrata amerikane ka vendosur që t'i japë fund konflikteve të shkuara në rajonin tonë. Ka vendosur që të bëjë paqen midis popujve, kombeve dhe shteteve të Ballkanit. Problemi më i madh ka qenë, është dhe mbetet Serbia, prandaj dhe në Beograd dërgoi mjeshtrin e diplomacisë amerikane e më gjerë, zotin Hill”, shprehet profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Hovenier e sheh të ardhmen e Kosovës në duart e qytetarëve dhe të shtetarëve vendorë.

“Ambasadori i ri amerikan në Kosovë do të ndihmojë që ajo të përparojë në konsolidimin e institucioneve të shtetit, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe në respektimin e demokracisë, iniciativës së lirë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të vendit. Ai në ditën e parë u shfaq optimist kur vlerësoi zhvillimet aktuale në Kosovë dhe performancën e qeverisë e të qeverisjes së saj. E vërteta është se zoti Hovenier e sheh të ardhmen e Kosovës në duart e qytetarëve dhe të shtetarëve vendorë. Dhe kjo është ajo që njerëzit i bën optimistë”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

“Ky vlerësim është respekt për institucionet e Kosovës, për luftën e saj për liri, për sovranitetin dhe integritetin territorial, për motivimin e politikës kosovare për t'u përkushtuar në drejtimin e vendit. Politika duhet të kthehet në art të drejtimit të vendit. Këtë po kërkon edhe ambasadori amerikan dhe të gjithë miqtë e Kosovës e të shqiptarëve. Politika e korruptuar dhe e kapur nga bandat e krimit kurrë nuk mund të bëhet art i drejtimit të shtetit në dobi të vendit e të qytetarëve. Këtë parim e ka shpallur qeveria e zotit Kurti. Ka arrit gjithashtu disa rezultate. Por është në filli të rrugës, sepse politika e shkuar ka lënë gjurmë të thella të korrupsionit dhe lidhjeve kriminale, deri me bandat serbe në veriun e Kosovës”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Por çfarë do të ndodhë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të Hovenier?

“Është interesant se ambasadori Hovenier pak ose aspak u mor me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi të hënën e shkuar. Kam përshtypjen se ai mendon që ndërtimi i shtetit demokratik të së drejtës, zhvillimi i ekonomisë e rritja e të ardhurave, punësimi dhe kujdesi social janë themelet e këtij dialogu. Natyrshëm duhet të jetë kështu. Një shtet serioz, që bëhet shembull i demokracisë në rajon, e ka shumë të lehtë dialogun dhe arritjen e epilogut të tij në rastin konkret të dialogut Kosovë-Serbi. Në bisedime nuk vihet vetëm e shkuara, por edhe aftësia shtetformuese dhe shtetndërtuese. Pikërisht këtë ka parasysh ambasadori amerikan kur këmbëngul që shoqëria dhe qeveria e Kosovës të përkushtohen për progresin dhe forcimin e institucioneve demokratike”, thotë Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se dialogu është dhe do të mbetet çështja themelore e kujdesit dhe përkushtimit amerikan.

“Që do të thotë edhe e ambasadorit Hovenier. Por ky rol do të ndahet e kombinohet me angazhimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christpher Hill. Në rrethanat e zhvillimeve të reja diplomatike duhet besuar se ky dialog do të përshpejtohet dhe do të kurorëzohet me një marrëveshje përfundimtare gjatë vitit 2022 ose së paku në pjesën e parë të vitit 2023. Është periudha më e volitshme për ta përmbyllur, sepse asnjëri nga vendet në bisedimeve nuk përballet me zgjedhje parlamentare apo zgjedhje të tjera, të cilat interferojnë negativisht në dialogun dhe arritjen e një marrëveshjeje midis dy vendeve”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat