Mësohet se çfarë kishte zbuluar Jusuf Gërvalla nga përgjërimet, para se të vritej

Politika

Mësohet se çfarë kishte zbuluar Jusuf Gërvalla nga përgjërimet, para se të vritej

Nga: A.M. Më: 19 janar 2022 Në ora: 23:02
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Më 17 janar u shënua 40 vjetori i vrasjes së veprimtarëve të çështjes kombëtare, Bardhyl e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Për këtë atentat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se do të bashkëpunojnë më autoritetet gjermane, në mënyrë që të zbardhet e vërteta për vrasjen e vëllezërve, Bardhyl e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka.

“Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ndërkaq, publicisti dhe analisti i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka përmendur se personat që u intervistuan për rastin Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin të njohur për Policinë Gjermane.

“Kërkesën e bërë nga Kroacia, shtetit gjerman, për hetimin dhe ndëshkimin e UDB-ashëve, të implikuar në vrasjet e nacionalistëve kroatë. Dhe, ka funksionuar mrekullisht mirë, kriminelët morën dënime të merituara e deri maksimale, edhe pse krimet kishin ndodhur disa dekada më parë. Për policinë gjermane, personat që u intervistuan për rastin Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishin të njohur dhe me precedent penal. Por, siç thonë ata që e kanë përcjellur këtë proces, ka munguar qasja serioze, duke e trajtuar si "larje hesapesh", mes emigracionit!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Idriz Zeqiraj

Po ashtu, Zeqirja ka zbuluar se çfarë përgjime kishte hetuar Jusuf Gërvalla para se të vritej.

“E vërteta është se marrëdhëniet gjermano-jugosllave, kanë qenë të shkëlqyera. Në mes tyre kanë ekzistuar një serë marrëveshjesh bashkëpunimi. Dhe, jugosllavët kanë amortizuar, lehtësisht, edhe procese, qofshin ato edhe kriminale. Jusuf Gërvalla kishte hetuar përgjimin që i bëhej, nga njerëz të dyshimtë, bashkëkombës! Andaj, kishte kërkuar mbrojtjen policore. Por, përgjigja kishte qenë dëshpëruese për atë: "Ligji gjerman nuk parasheh mbrojtjen e azil-kërkueseve!" Pavarësisht rrezikut, Jusuf Gërvalla vendosi të mos tërhiqet nga veprimtaria atdhetare. Profesioni i gazetarit e kishte favorizuar në thellimin e analizave politike të kohës. Veprimtaria e Jusufit, me vëllain Bardhin, synonte zgjerimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, bindjen e emigracionit se duhet menduar dhe punuar më shumë për Atdheun, Kosovën”, ka nënvizuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, është e drejtë legjitime që Qeveria e Kosovës, të kërkojë informacione nga Qeveria gjermane, për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

“Është e drejtë legjitime që Qeveria e Kosovës, të kërkojë informacione nga Qeveria gjermane, për vrasjen e qytetarëve të saj, më 17 janar 1982, në Untengruppenbach të Herilbronit. Është moto e drejtësisë se - krimit nuk i skadon afati -. Prandaj, pavarësisht viteve, dekadave të shkuara, dosja e begatë, për çështjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, ekziston në arkivin e shtetit gjerman, gjithnjë, si çështje e rëndë penale, ende e pazgjidhur, rrjedhimisht, e pambyllur! Aq më parë, ngulmimi i Qeverisë të Kosovës është i domosdoshëm, duke qenë se ka indikacione të mjaftueshme, se pjesë e krimit të 17 janarit 1982, janë edhe disa shtetas të Kosovës, me punë dhe qëndrim në Gjermani”, është shprehur ai.

Në fund, Zeqraj e ka përmendur edhe deklaratën e Qeverisë Kurti për zbardhjen e vrasjes së trefishtë në Untengruppenbach të Gjermanisë.

“Qeveria Kurti në këtë përvjetor të dyzetë të atentatimit të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, pranoi obligimin dhe premtoi zbardhjen e vrasjes së trefishtë, në Untengruppenbach të Gjermanisë. Urojmë të mos zhgënjehemi në sinqeritetin e Kryeministrit tonë! Dhe, më në fund, drejtësia ta bëjë detyrën e saj e shpenguar, të triumfojë në përballje  me krimin dhe kriminelët!”, ka deklaruar Zeqiraj për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat